Lufta në Ukrainë është afruar edhe më shumë me kufijtë e Bashkimit Evropian. Paralajmërimin e bëri Kievi pasi Rusia goditi me dronë zonën e Jahodinit, vetëm dy kilometra nga kufiri me Poloninë, duke dëmtuar lokomotivën e një treni pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës dhe një pikë karburanti pranë vendkalimit kufitar.

Sipas kompanisë hekurudhore ukrainase Ukrzaliznytsia, ekuipazhi i trenit ishte paralajmëruar paraprakisht për rrezikun dhe, falë kësaj, nuk pati të lënduar mes pasagjerëve.

Sulmi shkaktoi edhe një zjarr të madh në një pikë karburanti pranë kufirit. Pamjet e publikuara nga mediat ukrainase tregojnë flakë që përfshijnë pikën e karburantit dhe disa kamionë të ndodhur pranë vendkalimit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, e shfrytëzoi sulmin për t'u dërguar një mesazh vendeve perëndimore.

"Ky është terrori i Putinit që po troket drejtpërdrejt në dyert e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Barbarët rusë janë tashmë te dyert tuaja", shkroi ai në rrjetin social X.

Ndërsa Rusia godiste pranë kufirit me Poloninë, Ukraina ndërmori një tjetër sulm me dronë në territorin rus. Objektiv ishte zona industriale e qytetit Nizhnekamsk, në republikën e Tatarstanit, ku ndodhen disa nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi, më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit ukrainas.

Banorët raportuan shpërthime dhe aktivizimin e mbrojtjes ajrore, ndërsa autoritetet ruse njoftuan se sulmi la dy të vdekur dhe 12 të plagosur. Sipas Moskës, një dron goditi pranë një automjeti ku ndodheshin katër të rinj, dy prej të cilëve humbën jetën. U dëmtua edhe një ndërtesë banimi, ndërsa në një impiant industrial shpërtheu zjarr.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse goditën në rajonin e Odesës një qendër logjistike të kompanisë ukrainase Nova Poshta, e cila sipas Moskës përdorej për magazinimin dhe shpërndarjen e pajisjeve ushtarake.

Paralelisht me zhvillimet në fushën e betejës, vijojnë edhe përpjekjet diplomatike. I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, deklaroi se Uashingtoni ka përgatitur pjesën kryesore të një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës, por sipas tij pengesa kryesore mbetet refuzimi i Kievit për të pranuar kërkesat territoriale të Vladimir Putinit.

"Nëse Ukraina do të pranonte të lëshonte territoret që kërkon Putini, ne do ta kishim tashmë një marrëveshje", tha Kushner, duke shtuar se qëllimi i ndërmjetësve është gjetja e një formule për ngrirjen e konfliktit.