Sulmet ruse në Ukrainë kanë goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e cila njofton se jeta e tij është vënë në rrezik serioz, diçka e papranueshme. Report Tv ka siguruar edhe pamjet e sulmit dhe pasojat që ka lënë në godinë.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme! Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë", shkruan Hoxha.

Ministri Hoxha i bën thirrje Rusisë që të ndalë sulmet dhe të ulet në negociata, duke theksuar qëndrimin e Shqipërisë krah Ukrainës.

"Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t'i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.

Ministria e Jashtme Shqiptare shpjegon për Report tv se ka thirrur për shpjegime ambasadorin Rus në Tiranë Alexey Zaytsev, të cilit i është përcjellë notë verbale.

“Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.  Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, ambasadori Filo në një prononcim për Report Tv thotë se kompleksi ku banon ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet, duke shtuar se ka parë vdekjen me sy.

“Gjatë sulmeve u strehuam në bodrumet e sigurta, ku qëndruam deri në mëngjes. Kompleksi ku unë jetoj është shumë pranë ambasadës. Ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet. Pashë vdekjen me sy!”, është shprehur Filo për Report Tv. Kjo deklaratë e tij është cituar edhe nga media italiane La Repubblica.

Katër persona kanë humbur jetën dhe të paktën 50 të tjerë janë lënduar si pasojë e sulmit masiv rus ndaj Kievit gjatë natës. Tre fëmijë janë mes të plagosurve, ndërsa operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Moska goditi rezidencën e ambasadorit të Shqipërisë në Kiev, reagon delegacioni i BE: Dënojmë ashpër sulmin! Të kujton brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me sulmin me dronë nga Rusia, në kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, delegacioni i BE ka dënuar ashpër sulmin, teksa shtoi se është vënë në rrezik jeta e ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë.

Po ashtu, Delegacioni i BE e cilësoi sulmin si “të papërgjegjshëm” dhe një tjetër dëshmi sipas tyre, e “brutalitetit të luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit rus kundër Ukrainës”.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon me forcën më të madhe sulmin me dronë dhe raketa të kryer gjatë natës nga Rusia ndaj Kievit, i cili shkaktoi disa viktima dhe goditi gjithashtu rezidencën e Ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë, duke vënë në rrezik jetën e tij.

Ky sulm i papërgjegjshëm na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën dhe Shqipërinë”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Ora 19:08
Sulmi i Moskës në kompleksin ku jeton ambasadori shqiptar, Ministria e Jashtme për Report Tv: I dorëzuam notë verbale ambasadorit të Rusisë në Tiranë

1779263016_ministriaejashtme.jpeg

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Alteo Hysi, tha për Report Tv se pasi forcat ruse goditën me raketa kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, kanë zhvilluar një takim me ambasdorin rus në Tiranë.

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri ditën e sotme Ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë protestën e ashpër pas sulmeve masive përgjatë natës me dronë dhe raketa, gjatë së cilave u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë" tha Hysa.

Gjatë këtij takimi MPJE shprehet se ambasadorit Alexey Zaitsev iu dorëzua notë verbale, teksa u theksua se sulmet cenuan sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Shqipërisë, Ernal Filo.

"Gjatë takimit u theksua se sulmet kishin cenuar rëndë sigurinë dhe jetën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë. Ky incident është i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë në çdo rrethanë të sigurisë dhe dinjitetit të stafit diplomatik të akredituar.

Ambasadorit rus iu dorëzua notë verbale dhe iu kërkua që të përcjellë thirrjen e palës shqiptare për të respektuar normat ndërkombëtare pranë autoriteteve të vendit të tij”, shtoi ai.

Gjatë orëve të para të kësaj të diele forcat ruse goditën me raketa balistike kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Report Tv, Filo u shpreh se në ato çaste pa vdekjen me sy.

Ora 08:30
Ekskluzive/ Report Tv siguron pamjet pas sulmit rus në rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet pas sulmit rus në kompleksin rezidencial të ambasadorit shqiptar në Kiev, Ernal Filos.

Siç shihet, raketat kanë sjellë dëmtime të shumta, si edhe zjarre.

“Sulmi nisi në orën 22:00 dhe zgjati deri në orën 07.00 të mëngjesit. Sulmet ishin intensive dhe u godit kompleksi ku unë banoj. Gjatë sulmeve u strehuam në bodrumet e sigurta, ku qëndruam deri në mëngjes. Kompleksi ku unë jetoj është shumë pranë ambasadës. Ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet. Pashë vdekjen me sy!”, është shprehur Filo për Report Tv.