Të paktën 24 persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në sulmet ruse në Kiev gjatë 24 orëve të fundit. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se rusët po shkatërrojnë qëllimisht jetë njerëzish teksa theksoi se ndërkombëtarët duhet të ushtrojnë presion.
“Rusët praktikisht shkatërruan një pjesë të tërë të ndërtesës me raketën e tyre. Një Rusi si kjo nuk mund të normalizohet kurrë - një Rusi që shkatërron qëllimisht jetë dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar. Nevojitet presion. Është Ukraina ajo që po mbron Evropën dhe botën në mënyrë që sulme të tilla, në të cilat vriten fëmijë, të mos përhapen më tej”, tha Zelensky.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se "nuk mund t'i marrë seriozisht" deklaratat e vendeve evropiane në lidhje me dëshirën e tyre për të hapur një dialog me Moskën, veçanërisht pas reagimeve të tyre ndaj propozimit të Presidentit Vladimir Putin për të emëruar ish-kancelarin gjerman Gerhard Schroeder si ndërmjetës.
"Papritmas, evropianët filluan të thonë: 'Epo, po, herët a vonë do të na duhet të flasim me Rusinë. Do të na duhet të flasim, por ne evropianët do të vendosim se çfarë dhe kur'. E dini, unë nuk mund t'i marr seriozisht deklarata të tilla. Javën e kaluar, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa theksoi dy herë nevojën për të hapur një dialog me Moskën. Më 9 maj, Putin u përgjigj se Rusia nuk e refuzon propozimin dhe e emëroi Schroeder si një ndërmjetës të mundshëm. Ky emër u ndesh me kundërshtim të fortë nga vendet e BE-së. Presidenti Putin, i ka testuar evropianët për pjekurinë dhe ndjeshmërinë e tyre politike, do të thoja. Shikoni bujën që është krijuar!”, tha ai.
Sipas Ministrit të Jashtëm rus, përgjigjja e Putinit tregon se rusët janë "gati" për negociata të mundshme me BE-në.
"Por ne kurrë nuk do të vrapojmë pas askujt për të lypur. Dhe sidoqoftë, evropianët kanë një rekord krejtësisht të dobët kur bëhet fjalë për aftësinë e tyre për të negociuar”, shtoi ai.
Komente








