Rusi-Ukrainë drejt zgjidhjes?! Çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit e çfarë pritet? Mesazhet nga Rusia dhe perëndimi

Rusi-Ukrainë drejt zgjidhjes?! Çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit e çfarë pritet? Mesazhet nga Rusia dhe perëndimi

Ushtria ruse

Përpjekjet diplomatike për të shmangur atë që zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se mund të jetë një sulm i afërt rus në Ukrainë, hynë në një fazë të re të hënën. Kryediplomati rus Sergei Lavrov këshilloi presidentin Vladimir Putin të vazhdojë bisedimet ndërsa kancelari gjermane u takua me presidentin ukrainas. Kryeministri i Britanisë tha se Evropa është “në buzë të greminës”, duke përmendur një paralajmërim amerikan se Rusia mund të sulmojë Ukrainën gjatë 48 orëve të ardhshme. Por ai tha se ka ende kohë që Putini të “tërhiqet”. Në një paraqitje të orkestruar për kamerat televizive, Ministri i Jashtëm rus argumentoi se mundësitë për bisedime nuk janë ezauruar. Kjo dukej e qëllimtë për të dërguar mesazhin se vetë Putini beson se shpresat për një zgjidhje diplomatike nuk janë zbehur ende. Ja një vështrim se çfarë po ndodh, ku dhe pse:

CILI ËSHTË MESAZHI NGA RUSIA?

Kremlini sinjalizoi të hënën se është gati të vazhdojë të bisedojë me Perëndimin për ankesat e tij të sigurisë, që çuan në krizën aktuale, duke ofruar shpresë se Rusia mund të mos sulmojë Ukrainën brenda disa ditësh, siç kanë shfaqur frikën gjithnjë e më shumë zyrtarët perëndimorë.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha në një takim me Presidentin Putin se Moska duhet të zhvillojë më shumë bisedime me SHBA-në dhe aleatët e saj, pavarësisht refuzimit të tyre për të marrë në konsideratë kërkesat kryesore ruse. Zoti Lavrov tha se bisedimet “nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, por unë do të sugjeroja që ato të vazhdojnë dhe zgjerohen në këtë fazë.” Ai vuri në dukje se Uashingtoni ka ofruar të nogociojë rreth kufizimeve për vendosjen e raketave në Evropë, për stërvitjet ushtarake dhe masa të tjera për ndërtimin e besimit.

I pyetur nga presidenti Putini nëse ka kuptim vazhdimi i përpjekjeve diplomatike, zoti Lavrov u përgjigj se mundësitë për bisedime “janë larg të qenurit të ezauruara” dhe ai propozoi vazhdimin e negociatave. Ai tha se ministria e tij nuk do të lejojë SHBA-në dhe aleatët e saj të pengojnë kërkesat kryesore të Rusisë.

ÇFARË PO NDODH NË UKRAINË?

Kancelari gjerman Olaf Scholz përcolli një mesazh solidariteti në Kiev, duke i thënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk janë të negociueshëm. Kancelari Scholz, vizita e të cilit erdhi përpara një takimi me Presidentin Putin në Moskë të martën, kërkoi “hapa të qartë për të ulur përshkallëzimin e tensioneve aktuale” nga Rusia. Ai falënderoi qeverinë ukrainase për “reagimin e saj të matur dhe të përmbajtur ndaj një situate shumë të rëndë dhe kërcënuese”.

Kancelari Scholz vuri në dukje se NATO-ja dhe SHBA-të i kanë bërë Moskës propozime që Gjermania i mbështet, “dhe ne tani presim një reagim, një përgjigje për to nga Rusia”. Ai i kërkoi Rusisë të pranojë ofertat për dialog.

Kancelari gjerman tha në rast të përshkallëzimit ushtarak, “ne jemi gati për sanksione shumë të gjera dhe efektive në konsultim me aleatët tanë” dhe se “e dimë se çfarë do të bëjmë” nëse Rusia do të shkelte përsëri integritetin territorial të Ukrainës.

Edhe një herë, ai nuk dha hollësi se çfarë saktësisht do të ishte këto masa. Siç pritej, nuk pati asnjë ndryshim në pozicionin e Gjermanisë në refuzimin për t’u bashkuar me disa aleatë për furnizimin e Ukrainës me armë vdekjeprurëse. Presidenti Zelensky tha se tensionet rreth të ardhmes së vendit të tij paraqesin “një sfidë të paprecedentë për Evropën dhe botën”.

“Në Ukrainë sot vendoset e ardhmja e arkitekturës evropiane të sigurisë – pjesë e së cilës është shteti ynë”, tha presidenti Zelensky.

KUR MUND TË SULMOJË RUSIA?

Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se Evropa është “në buzë të greminës”, duke përmendur një paralajmërim amerikan se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në 48 orët e ardhshme. “Por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet”, tha kryeministri Johnson. Zoti Johnson kërkoi një përgjigje të bashkuar nga NATO-ja. Ai tha se “bota duhet të nxjerrë mësime nga viti 2014”, kur pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe aktivitetit në Ukrainën lindore nuk u bë mjaftueshëm për t’u larguar nga gazi dhe nafta ruse. Ai tha se Evropa duhej të largohej nga “hidrokarburet ruse” dhe përsëriti thirrjeN që gazsjellësi Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani të anulohet.

Zëdhënësi i zotit Johnson, Max Blain, nuk pranoi të thoshte nëse Mbretëria e Bashkuar ra dakord me SHBA-në se e mërkura është një datë e mundshme e një sulmi rus në Ukrainë. Por ai tha se “ekziston një mundësi e madhe e një sulmi këtë javë”. Nga ana tjetër, kreu i forcave ushtarake të Suedisë, vend jo-anëtar i NATO-s, tha se Rusia ka “të gjithë kapacitetin e nevojshëm përgjatë kufirit ukrainas për një operacion ushtarak”. “Ne nuk përjashtojmë asgjë,” tha gjenerali Micael Byden, kreu i Forcave të Armatosura të Suedisë. “Nëse do të ndodhë sot, të mërkurën apo një javë më pas, këtë nuk e dimë”.

ÇFARË NDODH NËSE BISEDIMET NUK KANE SUKSES?

Polonia po përgatitet për të pranuar refugjatë ukrainas në rast të një sulmi rus ndaj fqinjit të saj. Por qeveria polake shpreson se skenari më i keq mund të shmanget. Përgatitje të ngjashme po bëhen në të gjithë rajonin, veçanërisht në vendet që ndajnë kufirin me Ukrainën.

Polonia, e cila ka mirëpritur një numër të madh emigrantësh ekonomikë ukrainas në vitet e fundit, veçanërisht pas inkursioneve të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014, ka bërë plane për javë të tëra për të pranuar refugjatë nëse kjo ndodh, tha Marcin Przydacz, zëvendësministër i Jashtëm.

SI PO VLERËSOHEN VEPRIMET E PRESIDENTIT TË UKRAINËS?

Presidenti Zelensky fitoi thellë në zghedhjet e vitit 2019. Si një i ri në politik, duke bërë një ofertë gati të pamundur për të marrë detyrën, ai u zotua se do të bisedonte me rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje, të cilët po luftonin me forcat ukrainase dhe do të ndërmerrte hapa drejt zgjidhjes së konfliktit.

Por presidenti Zelenskyy po shikon që mbështetja e tij dikur e madhe po dobësohet, ndërsa Ukraina përballet me frikën e një sulmi rus që mund të pushtojë jo vetëm rajonet rebele, por ndoshta edhe pjesën tjetër të vendit.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, ish presidenti i mëparshëm, të cilin Zelensky e mundi në vitin 2019-n, është kthyer me guxim në vend për t’u përballur me akuzat për tradhti dhe ka nxitur kundërshtime ndaj tij. Analistët sugjerojnë se Moska po kërkon të forcojë mbështetjen midis politikanëve pro-rusë në Ukrainë dhe se grumbullimi i forcave ruse pranë kufirit të Ukrainës synon pjesërisht destabilizimin e jetës politike të vendit./VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër