RUTTE DHE RAMA! Refleksion mbi dy kryeministrat më jetëgjatë të Holandës dhe Shqipërisë

RUTTE DHE RAMA! Refleksion mbi dy kryeministrat më jetëgjatë të Holandës dhe Shqipërisë

Rama dhe Rutte

Kam njohur nga afër kryeministrin e mirënjohur socialdemokrat të Hollandës Wim Kok kur ai drejtonte, në mandatin e tij të dytë (1998-2002), qeverinë e atij vendi. Kryeministri britanik laburist Tony Blair, 15 vite më i ri në moshë sesa homologu i tij hollandez, plot respekt e konsideronte kryeministrin Kok si mentorin e vet.

Kam njohur nga afër disa zëvendëskryeministra, anëtarë të qeverisë së kryeministrit Kok dhe shumë anëtarë të Dhomës së Dytë të parlamentit hollandez.

Ajo çka mund të them për politikën (e brendshme e të jashtme) të Hollandës dhe për politikanët e atij vendi mund të përmblidhet në këto pak fjalë: një politikë thellësisht demokratike e një monarkie kushtetuese të iluminuar, që ka zënë me kohë dhe ruan një vend të nderuar mes kombeve më të zhvilluar, më të industrializuar e më të pasur të globit, me një ndër sistemet arsimorë më të mirë, me shkallën më të lartë të respektimit të lirive e të të drejtave të njeriut dhe ndër popujt më të lumtur.

Pa dyshim që zhvillimi ekonomik, shoqëror, kulturor dhe politik i këtij vendi–një ndër republikat e para në Europë (1581-1795) dhe një ndër monarkitë më të iluminuara të saj (nga viti 1815 deri më sot)–dëshmon talentet e këtij populli të vogël në periferi të kontinentit– dhe në pjesën më të madhe të territorit të vet nën nivelin e oqeanit–emancipimin politik të tij, por edhe largpamësinë dhe suksesin e elitave politike të atij vendi

Rasti i kryeministrit hollandez 56-vjeçar (sërish këto ditë i dorëhequr, por ende provizorisht në detyrë) Mark Rutte është domethënës.

Rutte u bë kryeministër i mbretërisë së Hollandës në vitin 2010. Ai e ka mbajtur këtë post në krye të qeverisë së asaj mbretërie për afro 13 vite rresht, duke u bërë kryeministri i dytë më jetëgjatë në Europë, pas kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Konstelacioni politik në Hollandë ka bërë të mundur që partia politike liberale, që ai ka drejtuar, VVD (Partia Popullore për Liri), të krijonte 4 qeveri koalicioni pas 4 zgjedhjeve parlamentare në atë vend (në vitet 2010, 2012, 2017 dhe 2021), të cila Mark Rutte është zgjedhur t’i drejtojë.

Nëse mbajmë parasysh se Hollanda është një ndër shoqëritë më të hapura, më paqësore e më libertine, me një sistem demokratik mjaft të konsoliduar, mund të kuptojmë lehtësisht dinamikën e zhvillimeve politike në atë vend.

Mark Rutte është zgjedhur 4 herë kryeministër i Hollandës, por, për arsye të ndryshme, ka dhënë 3 herë dorëheqjen nga ai post: më 2012, më 2021 (së bashku me të gjithë anëtarët e kabinetit të tij) dhe disa ditë më parë, më 9 korrik 2023.

Një ditë pasi kryeministri Mark Rutte dha për herë të tretë (javën që shkoi) dorëheqjen nga posti i kreut të qeverisë, ai dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të partisë së tij VVD.

Kjo do të thotë se, edhe pse Rutte mbetet të drejtojë punët e qeverisë së vendit të vet deri në zgjedhjet e reja, që do të mbahen në vjeshtë, pas atyre zgjedhjeve, edhe nëse partia e tij fiton, ose ngarkohet të krijojë një qeveri të re koalicioni, Mark Rutte nuk do të jetë më keyeministër i Hollandës. Karriera e tij politike si kryeministër i vendit të vet mbyllet këtu. Dhe ai vetë largohet nga ai post faqebardhë.

Dorëheqja e kryeministrit Rutte pak ditë më parë i lë “stafetën” e kryeministrit të dytë më jetëgjatë në Europë (pas kryeministrit Orban të Hungarisë) kryeministrit Edi Rama.

Rama është në mesin e mandatit të tij të tretë si kryeministër i Shqipërisë dhe, nëse punët shkojnë siç janë dhe siç duket se do të jenë edhe pas dy vitesh, ai mund të dojë të qëndrojë edhe për një mandat të katërt në krye të qeverisë. Kjo do të shënonte një rekord “Guinness” në Europë!

Është interesant të shihet dinamika e lëvizjeve politike në krye të qeverisë së Shqipërisë, të paktën nga viti 1997 e këtej. Socialistët kanë fituar zgjedhjet e përgjithshme pesë herë (1997, 2001, 2013, 2017 dhe 2021), ndërsa demokratët vetëm dy herë (2005 dhe 2009).

Në periudhën 1997-2005 socialistët krijuan disa kabinete qeveritarë, që u drejtuan nga gjashtë kryeministra. Në rend kronologjik ata ishin: Nano, Majko, Meta, Meta, Majko, Nano.

Pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e vitit 2005, në krye të qeverisë erdhi Sali Berisha. Qëndroi tetë vite në atë post, por do të kishte qëndruar edhe më gjatë nëse partia e tij nuk do të kishte humbur në zgjedhjet e vitit 2013. Berisha ishte i enamoruar pas pushtetit. I obsesuar me të. I rrezikshëm me të. Fatmirësisht, në moshën që është dhe, sidomos, i shpallur një “persona non grata” nga aleatët tanë amerikanë dhe, për këtë shkak, i braktisur nga një pjesë e mirë e partisë së tij, ai ka humbur çdo shans për t’u rikthyer në krye të qeverisë së këtij vendi.

Tani mbetet Edi Rama. Ndërsa Mark Rutte përfundimisht hoqi dorë nga posti i kryeministrit të Hollandës dhe nga ai i kryetarit të partisë së tij në atë vend (poste të cilat i ka fituar përmes zgjedhjeve apo votbesimit dhe i ka rifituar pas disa dorëheqjeve), nuk duket se e njëjta gjë mund të ndodhë me liderin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin e kësaj partie në Shqipëri, z. Edi Rama.

Edhe ky, si Berisha, edhe pse një individ dhe një politikan krejt i ndryshëm nga ai, është i enamoruar pas pushtetit dhe i obsesuar me të. Edhe pse, si Berisha dhe Rama kanë të përbashkët një karakteristikë–të dy kanë një “authoritarian persona”–Rama është më narcisist se i pari, pot po aq i dhënë pas pushtetit, të cilin e drejton thuajse i vetëm.

Unë me kohë kam vënë në dukje rrezikun e një despotizmi kryeministror në këtë republikë parlamentare tonën, në të cilën kryeministri dhe qeveria janë mbi parlamentin dhe mbi presidentin e vendit.

Le të sqaroj atë që unë nuk them. Unë nuk them se socialistët duhet të mos përpiqen t’i fitojnë sërish zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato që do të vijnë pas tyre, pra të heqin dorë nga qeverisja e vendit. Jo, unë nuk them dhe nuk dua këtë. Për mua, socialistët gjithnjë kanë qenë një parti politike më e mirë, e përbërë nga njerëz më të kultivuar dhe kanë qeverisur më mirë. Kjo është arsyeja që, ashtu si deri më sot, edhe në të ardhmen unë do të votoj për përfaqësuesit e kësaj partie.

Por, duke pohuar këtë, unë gjithashtu mendoj se, nëse “rotacioni” në qeverisje nuk nënkupton domosdo ndryshimin e partive në pushtet, ai nënkupton ndryshimin e liderëve në krye të partive politike dhe të qeverisë.

Unë jam kundër “liderëve historikë”. Historia nuk është një kohë e ngrirë, por një proces, një lëvizje e pandërprerë kushtesh, rrethanash, raportesh e marrëdhëniesh humane e institucionale, që ndryshojnë. Ky proces nuk mund as të udhëhiqet, as mund të ndihmohet e realizohet nga një individ i vetëm, sado i shquar të jetë ai.

Duke dëshiruar që Partia Socialiste ta drejtojë këtë republikë edhe më gjatë, sepse ka provuar se di të drejtojë më mirë se partitë që sot janë në opozitë, unë nuk do të doja që PS dhe qeveria e këtij vendi të drejtohen edhe më gjatë nga i njëjti njeri.

Nuk them se kryeministri Rama duhet të dorëhiqet nesër, as këtë vit, por nuk do të doja kurrësesi që në Shqipëri të kishim një tjetër Viktor Orban. Ajo që them është që z. Rama ta pranojë se dorëheqja, pas një kohe të gjatë në pushtet (sidomos kur bëhet në mënyrë jodetyruese) është një akt politik i civilizuar dhe civilizues, dhe se një lider i vërtetë duhet të jetë në gjendje të kuptojë kohën kur largimi i tij nga drejtimi i partisë së vet nga pushteti që drejton në emër të asaj partie është më i mirë e më i dobishëm se sa qëndrimi edhe më gjatë në ato pozita drejtuese e komanduese.

Mark Rutte është vetëm një shembull. Nelson Mandela është një shembull edhe më domethënës. Ky hero i lirisë provoi në mënyrë të shkëlqyer se ishte vërtet një udhëheqës i madh i vendit të vet, një njeri i mençur dhe i drejtë, jo vetëm për shkak të karakterit të tij dhe të forcës morale, të mbrujtura përmes një jete heroike e plot sakrifica, por edhe sepse diti që të zgjidhte rreth vetes njerëz të tjerë të mençur dhe të drejtë.

Pas mandatit të tij të parë si president i Afrikës së Jugut (1994-1999), Mandela zgjodhi që të mos qëndronte më në atë post për një mandat të dytë, edhe pse, për të, një mandat i dytë do të kishte qenë gjëja më e sigurtë në botë. Pas kësaj, ai jetoi edhe 14 vite të tjera. A e përfytyroni dot një kryeministër shqiptar, i cili, pasi fiton në zgjedhje, me dëshirën e tij të heqë dorë nga pozita që mban pas një mandati të vetëm? Berisha dje? Rama sot?

Ata shqiptarë që sot janë mbi të tridhjetat kanë lindur e janë rritur me Sali Berishën “nëpër këmbë”. Berisha u ka “mbirë në sy”. Rama më pak, por edhe atë u bë rreth një çerek shekulli që e kemi “nëpër këmbë”.

Kjo është një kohë e gjatë, një kohë shumë e gjatë për një popull që të mos ketë mundësi të “provojë” një tjetër politikan në krye të qeverisë që del nga ajo parti, së cilës ai i jep shumicën e votave të tij.

Unë nuk dëshiroj që 16-vjeçarët e sotëm, të cilët e kanë njohur Ramën si kryeministër të vendit të tyre qysh kur nisën klasën e parë, pra kur ishin vetëm 6 vjeç, të kenë të njëjtin kryeministër edhe kur të mbarojnë studimet universitare. Vetë Rama dhe çdokush tjetër në vendin e tij nuk do të kishte të drejtë dhe nuk do të duhej të drejtonte për kaq gjatë një qeveri në emër të dhe për të mirën e brezave të rinj.

Unë e kuptoj–dhe dëshiroj–që Partia Socialiste në Shqipëri, nëse misioni i saj dhe mënyra e qeverisjes së saj i shërbejnë përparimit të kombit dhe rritjes së mirëqenies së përgjithshme, ta drejtojë këtë vend edhe me gjatë. Në Suedi, Partia Socialdemokrate e atij vendi ka marrë për afro gjysmë shekulli (nga mesi i viteve 1930 deri në mesin e viteve 1980) mbi 40% të votave të suedezëve dhe ka qenë në krye të qeverisjes së atij vendi pa ndërprerje nga viti 1932 deri më 1976, pra për 44 vite me radhë–dhe përsëri nga viti 1982 deri më 2022, me përjashtim të periudhave 1991–94 and 2006–14.

Suksesi politik dhe ekonomik i socialdemokratëve në atë vend e bënë Suedinë shtetin social par excellence apo, siç shpreheshin Gunnar dhe Alva Myrdal, vendin ideal të një “cradle-to-death welfare state”.

Por, me përjashtim të kryeministrit Per Albin Hansson (në rrethanat fill dhe gjatë Luftës së Dytë Borërore) dhe kryeministrit Tage Erlander (pas vdekjes së Hansson-it), asnjë lider tjetër socialdemokrat suedez nuk ka qëndruar në krye të partisë apo të një qeverie socialdemokrate në atë vend për më shumë se një ose dy mandate, edhe nëse partia e tij ka fituar zgjedhjet.

Ne nuk jemi e s’mund të bëhemi as suedezë, as hollandezë. As ne, qytetarët shqiptarë, as politikanët që e drejtojnë këtë vend. Por, a s’mund të mësojmë prej tyre se si të sillemi politikisht dhe si ta përmirësojmë e forcojmë më shumë demokracinë tonë?

Dhe a s’duhet që kreu i partisë politike më të madhe dhe kryeministri i vendit të jenë të parët që japin shembullin e tyre?

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 11/07/2023 18:43

    Kur tè mos dègjojmè dhe lexojmè mè, JARGA SHKRIMORE DHE ZANORE, nga njerèz tè tillè si ky Tarifa i provincès, atèherè kemi bèrè tè paktèn atè hapin e parè, drejt çlirimit tè vetvetes nga perversiteti i njerèzve demode. Ç,lidhje ka kryeministri hollandez me njè kaposh ballkanik tè rrethuar me hajdutè dhe kriminelè? Taifa. FUCK OFF.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi