S'kanë lekë, transporti i paguan
fatorinove rrogat me abone

S'kanë lekë, transporti i paguan<br />fatorinove rrogat me abone
TIRANE- Fatorinot e transportit publik urban nuk marrin rrogë prej muajsh, por në këmbim marrin abone të cilat i shesin dhe lekët e tyre i mbajnë për vete në këmbim të rrogës. Po në mungesë të rrogës, ata bëjnë disa “hile” të vogla me biletat e linjave urbane.

Fatorinot e urbanëve të transportit publik nuk paguhen me rrogë mujore por me abone. Prej muajsh fatorinot nuk marrin më një rrogë fikse mujore por vetëm një numër të caktuar abonesh pasi përgjegjësit nuk kanë mjaftueshëm para për ti paguar. Ata gjatë punës së tyre duhet të bëjnë edhe punën e shitësit të aboneve, për të nxjerrë rrogën e tyre, e cila ndonjëherë nuk është e mjaftueshme pasi gjatë muajit nuk kanë shitur aq abone sa për të zevendësuar rrogën e tyre mujore.

 Kjo do të thotë që krahas shitjes së aboneve, për të nxjerrë fitime të paktën aq sa rroga e dikurshme të cilën tashmë nuk e marrin, ata mundohen të nxjerrin diçka më tepër nga biletat e transportit. Për këtë fatorinot përdorin disa “hile”të thjeshta. Në shumicën e lëvizjeve brenda Tiranës me transportin publik urban, qytetarët nuk marrin një biletë, por një gjysëm, pasi fatorinoja e ndan biletën në dy pjesë duke ja u dhenë dy personave të ndryshëm.

Madje shpesh mund të të japë edhe pjesën e kontrollit. Ndërkohë  ai ka marrë 60 lek, dhe ka shitur vetëm një biletë. Jo të pakta janë rastet kur nuk do ta marrësh as atë gjysëm pasi fatorinoja të përgjigjet ftohtë “ kanë mbaruar”.

Megjithatë ka nga ato udhëtarë zemërmirë që preferojnë t’ja lënë vetë biletën fatorinos edhe pse e kanë paguar atë. Koston e gjithë kësaj e paguajnë qytetarët e thjeshtë të cilët janë të detyruar të marrin dy apo më shumë herë në ditë linjat e urbanit. Kjo pasi ndarja në dysh e biletës, që përben një përfitim personal të fatorinos do të thotë që në mbrëmje janë më shumë bileta të pashitura, dhe më pak para për shoqërinë e transportit publik.

Kjo kompani duke mos e marrë të plotë fitimin nga biletat dhe me një numër të vogël shitjesh ndjehet e detyruar të marrë një nismë të tillë, siç është kërkesa për rritjen e çmimit të biletës. Eshtë kjo ndër arsyet kryesore që ka çuar përfaqësues të shoqërisë së transportit urban të bëjnë kërkes për rritjen e biletës në 70 lek. 

Pra të gjitha këto manovrime të ndërthurura si një rreth vicioz janë në dëm të qytetarëve që zgjedhin të udhëtojnë me transportin publik. Megjithse asnjë fatorino nuk pranon të flasë duke u identifikuar në lidhje me këtë problem, nga frika e humbjes së vendit të punës, pa përmendur identitetin e tyre ata shprehen se nuk paguhen prej muajsh, ç’ka do të thotë se edhe këtë fund muaji ata nuk do të mund të marrin një rrogë të plotë dhe ta çojnë në shtëpi. Para disa ditësh në një artikull të veçantë, Shqiptarja.com lajmëroj rritjen e çmimit të biletës, ndërsa sot ju sollën edhe arsyet e kësaj rritjeje.
 
Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin