PRESHEVË - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Kori Udoviçki, vizitoi Bujanocin ku takoi kryetarët e komunave, liderët lokalë dhe deputetët shqiptarë, me të cilët bisedoi kryesisht për zhvillimin ekonomik në rajon.
Zëvendëskryeministrja serbe tha se "zhvillimi ekonomik në rajon është i rëndësishëm për qeverinë tonë dhe se autoritetet lokale po bashkëpunojnë në mënyrë që të përmirësojnë më tej performancën e institucioneve ndërmjet institucioneve shtetërore".
"Propozimi është për të përcaktuar numrin maksimal të të punësuarve dhe jo të jetë një reduktim linear në numrin e të punësuarve. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme pa bashkëpunim dhe duhet ta vërtetojmë se e ardhmja do të jetë e qëndrueshme në mënyrë që të tërheqim investitorë", tha Udoviçki.
Megjithëse këto deklarata, nga qeveritarët serbë janë dëgjuar prej dhjetë vitesh me radhë, sa herë që e vizitojnë Preshevën, por situata në fakt nuk ka ndryshuar dhe nuk ka shënuar asnjë hap përpara dhe shumë pak dallon nga koha e regjimit të diktatorit serb Millosheviç, sidomos në avancimin e të drejtave të shqiptarëve etnikë në Krahinën e Preshevës, deklaruan liderët nga Presheva për agjencinë e lajmeve "Presheva jonë", madje ata kërkuan edhe kthimin e lapidarit të UÇPMB-së aty ku ishte.
"Dialogu i ngrirë mes përfaqësuesve të Luginës së Preshvës nuk mund të vazhdojë individualisht, por në mënyrë kolektive dhe unike të liderëve tanë", tha kryetari i KKSH-së, Jonuz Musliu, për agjencinë e lajmeve "Presheva jonë".
Sipas tij, e dimë se vazhdimi i dialogut të Beogradit jo vetëm me Kosovën, por edhe me Preshevën në këto momente i vlen Serbisë në prag të anëtarësimimit të saj në BE.
"Ne i kemi bërë me dije autoriteteve serbe se nuk ka dialog me Beogradin përderisa të drejtat elementare të shqiptarëve në Krahinën e Preshevës injorohen nga Serbia. Këto të drejta ne i kemi prezantuar qeverisë serbe me kohë, përmes platformës sonë prej 7 pikave dhe tashmë pa realizimin e tyre nuk ka as dialog", deklaroi Musliu.
"Planit shtatë pikësh", vijoi Musliu, nënkupton përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të tre komunave, përdorimi zyrtar i gjuhës, alfabetit dhe simboleve kombëtare, decentralizimi i gjyqësorit, arsimit, kulturës dhe medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, si dhe sigurisë dhe masat për krijimin e besimit në këtë rajon.
"Topi është në anën e Beogradit, nëse është e interesuar vërtetë të rivazhdojë dialogun, fillimisht Beogradi duhet të zbatojë plain shtatë pikësh", nënvizoi kreu i KKSH-së, Musliu.
Zëvendëskryeministrja serbe Udoviçki me përfaqësuesit e qeverisë lokale të komunave të Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës biseduan për përmirësimin e punës së vetëqeverisjes lokale. Ajo shprehu kënaqësinë që iu dha rasti që të ulet së bashku në tryezë me ta dhe se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet e këtij rajoni.
Sipas zyrtares serbe, dialogu është rruga e vetme, që ka nevojë për rikthimin e besimit./ATSH/