S'ka referendum

S'ka referendum
I “bukosi” Berisha dje socialistët në kuvend kur kërkoi referendum për imunitetin. Ishin të papërgatitur. Por duket se në këtë vend ka edhe njerëz të mençëm, ata që hartuan, ndihmuan, dhe i vunë vulën dokumentit themeltar të shtetit. Sali Berisha dhe forca e tij politike nuk mund të bëjnë asnjë referendum për çështjen e imunitetit. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë,
në nenin 177 të saj, për “Rishikimet kushtetuese” parashikon se referendumi për një amendament kushtetues mund të bëhet vetëm pasi ky ndryshim ka marrë votat e dy të tretës së anëtarëve të Kuvendit. Pasi ndryshimi ka kaluar në kuvend, atëherë mund të kërkohet referendumi.

Po cili është qëllimi i propozimit të kryeministrit? Në pamje të parë, kjo u duk një gjetje politike nga ana e Berishës. E kush do të mund të shprehet qoftë edhe publikisht që nuk duam referendum kushtetues për imunitetin? Populli patjetër do ta përkrahte këtë nismë. Patjetër dhe opozita sikurse deklaroi duke përfshirë në paketë edhe reformën gjyqësore. Tani debati fillon dhe mbaron te historia a bëhet referendumi apo jo. Ne gazetarët do të marrim konstitucionalistët të na lexojnë nenin 177 të Kushtetutës për të thënë atë që shkruhet aty; deputetët në këtë vapë 40 gradëshe do të nxitojnë të dalin në pozicionet e tyre, njëra palë për referendum për imunitetin, dhe pala tjetër për të dyja bashkë. Në fund, askush nuk e lexon kushtetutën që trajtohet si “leckë”. Shashka e radhës së kryeministrit ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes së ndërkombëtarëve, përfshirjen në këtë lojë të opozitës me anë të deklaratave, dhe ngulitjes në popull të idesë: pse këta të opozitës nuk duan që të bëhet referendumi????

Dhe kryeministri këtë lojë di ta luajë shumë mirë. Nuk e ka për gjë të ndryshojë shifrat e rritjes ekonomike, as ato të të punësuarve apo të papunëve; nuk e ka asfare problem se mund të mashtrojë me kilometrat e asfaltuara në gjithë Shqipërinë...e mandej, s’ka sesi të mos mashtrojë edhe për nenin 177 të Kushtetutës së republikës që e thotë qartë se nuk ka referendum po nuk e miratoi parlamenti një amendament kushtetues.

Kryeministri për shoë politik e mediatik, nuk e ka për gjë që nesër të mbledhë firma për referendumin: janë gati 100 mijë punonjës administrate të cilët me kartat e identitetit në dorë do të presin në radhë të firmosin për referendumin për imunitetin. Mund t’i çojë këto firma edhe te KQZ e Ristanit dhe t’i hapë rrugë një referendumi që s’dihet sesi mund të bëhet.
Por këtu përfundimisht dalim në konkluzionin që s’kemi shtet, s’kemi kushtetutë, s’kemi ligj, s’kemi politikanë, e mbi të gjitha s’ka demokraci. Fatkeqësi më të madhe se kjo në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar nuk mund të ketë.

(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta