Sa i përgjigjet së vërtetës
shkrimi i Daniela Cavini-it?

Sa i përgjigjet së vërtetës<br />shkrimi i Daniela Cavini-it?
Çdo shkrim i gazetarëve të huaj për Vendin tonë, zgjon kureshtjen dhe interesimin e lexuesvet shqiptarë. Ky interes, në një farë mase, është një shprehje e trashëgimisë atavike të gjysmë shekullit komunist, në të cilin ishim kthyer në një lloj “muzeu” të një populli të ndryrë në “kullën e tij të fildishtë”, ku kryheshin sprovat më mizore të mjerimit lëndor e mendor, të dhunës brënda species në format më të larmishme, të marrëzive më të çoroditura, t’afta të gjenin qytetari vetëm në një Vend të shkëputur krejtësisht nga bota dhe qytetërimi. Atëherë ndonjë shkrim i rrallë i huaj që i jepëj lexuesit, ishte prodhim sahanlëpirësish e puthadorësh të ndonjë gazetari mjeran të organeve të shtypit  “marksist-leninist”dhe merret me mënd përmbajtja dhe vlera e tij.

Sot, kur priremi të “djegim” etapat e  të jemi pjesë përbërëse e Evropës dhe Perëndimit, duke arritur edhe synime të lavdërueshme n’atë drejtim, kryesisht nëpërmjet veprimtarive të shqiptarëve të mërguar, por edhe punës së institucioneve të Shtetit, t’inkuadruara n’ata mbikombëtare si NATO apo Be, do të na pëlqente të ndjenim mbi vete shikimin dhe interesimin e të tjerëve, nëpërmjet publiçistikës cilësore të huaj e cila, kur është objektive, mund të na shërbejë dhe si një pasqyrë, edhe si nxitje, edhe si qortim në rrugën tonë.

tirana

Shkrimi i mësipërm, i marrë nga SETTE, shtojca javore e së përditëshmes “Corriere della Sera”, meriton një vëmendje të veçantë. Duke filluar nga titulli bombastik, që ngjall tek lexuesi italian një shpresë e duke arritur në përfundimin e shkrimit të parë, i cili krahason Shqipërinë e sotme me Italinë e viteve 60, periudha më e begatë e historisë së saj të mbas Luftës së dytë botërore, gazetarja Daniela Cavini na ka dhënë një kuadër shpresëdhënës e mjaft pozitiv e tërheqës për lexuesin italian, kryesisht për ata që mendojnë të investojnë paratë jashtë Vendit të tyre. Më duket se ky është në vazhdën e disa shkrimeve të viteve të fundit n’atë drejtim, që janë munduar t’a paraqesin Shqipërinë si një objekt tërheqës  për kapitalin italian.

Autorja, për shkrimin e saj, ka qëmtuar në realitetin shqiptar pamjen e tij të jashtme, atë që shërbehet nga superstruktura shtetërore. Të dhënat i ka marrë nga institucionet shqiptare e gjykimet për të nga personalitete të huaja, që punojnë në Shqipëri, si përfaqësuesja e Be, kolegia kroate Romana Vllahutin, apo ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo.

Ka biseduar me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punës e Çështjeve sociale, si znj. Denada Dibra apo ish ministri Erjon Veliaj. Pra, është i dukshëm synimi për të dhënë mendimin zyrtar të Shqipërisë, në dritën e një mundësie për t’a paraqitur atë si një Vend në portat e Evropës, “një hap nga Brindisi”, “gjysmë ore me aeroplan nga Italia”, që është futur në rrugën e zhvillimit intensiv, që ka hequr “rrënojat” dhe ka filluar fluturimin.

Shkrimi që ze katër faqe të plota të javores SETTE, shoqërohet me dhjetë fotografi që paraqesin pamje të ndryshme të Tiranës, të Bunk-Artit dhe si një lloj stende muzeumi ku janë renditur disa fac-simile të letrave të Titos, të shkruara me dorë, e një portret i vjetër i tij.

Përtej dëshirës së gazetares dhe bashkëbiseduesve të saj shqiptarë, për të paraqitur të vërtetën zyrtare, a është një fotografi e saktë e realitetit shqiptar artikulli “Vëndi i Shqipevet fluturon dhe mund të bëhet toka e jonë e premtuar”?

Nuk mund të jap një përgjigje të prerë, sepse nuk mungojnë argumentet për të hedhur poshtë secilën nga përgjigjet, pohuese apo mohuese. Ka në shkrim perceptime të vërteta, si përsa i përket së shkuarës, ashtu edhe të sotmes. Paraqiten përpjekjet e Qeverisë Rama për “ligjshmërinë”(aspak e fituar), që nga prishja e ndërtesave pa leje deri tek djegja e plantacioneve të kanabisit, që nga futja e idesë se “fjala “leje” nuk është një herezi”, deri tek koncepti politik se “më shumë se fitore e shumicës demokracia është respekt për Opozitën” e vënë në gojën e Kryeministrit.

Të gjitha argumentet e zgjedhur nga gazetarja për t’u trajtuar, mundohen të japin përfytyresën  e një Shqipërie që ka filluar “fluturimin”, e që synon “arritje” që mund t’a kthejnë në “tokën e premtuar” edhe për italianët e zhgënjyer nga kriza ekonomike, bijë e globalizimit. Duke kujtuar 7 gushtin e vitit 1991, kur 20.000 shqiptarë kërkuan “tokën e premtuar” ”në portin e Barit, në sytë e një Italie të shastisur”, autorja nxjerr në pah “përmbysjen” e situatave, kur rreth 20.000 italianë zhvillojnë jetën e tyre në Shqipërinë e mbas 25 vjetëve. A mund të jetë një dukuri përgjithësuese kjo? Do të dëshironim të gjithë t’ishte por, më duket më shumë një rastësi....

vendi i shqipeve

Mendoj se autorja shpreh më shumë një dëshirë se një realitet objektiv të Shqipërisë. Në këtë paraqitje anashkalon shumë dukuri të cilat, për zgjedhje apo padije, nuk dëshiron t’i fusë në hullinë e arsyetimit të saj, të cilat nuk i a zë në gojë asnjë nga bashkëbiseduesit, të cilat ajo nuk ka kohë e mundësi t’i qëmtojë në thellësi.

Ajo nuk e din se në Shqipëri shtohen dita ditës njerëzit që marrin ushqime me listë e paguajnë kur marrin rrogën apo pensionin; që shifra e 300-600 euro në muaj të cilën i a kanë paraqitur si rrogë mesatare, nuk i përgjigjet së vërtetës; që pensionet në shumicën dërmuese të rasteve, nuk kapin shumën e 130 € e mjaft prej tyre as atë të 80 € në muaj; që çmimet e artikujve ushqimorë ndonjëherë u a kalojnë edhe atyre t’ofertave të supermerkatove popullore n’Itali. Autorja mundohet t’a paraqesë Shqipërinë si një Vënd imigrimi por nuk e din se synimi kryesor i shqiptarëve, ende sot, është largimi nga Vendi i tyre, jo aq për t’u dukur e për kërshëri, por sepse nuk gjejnë as sendërtimin e kërkesave më jetike, nuk mund të bëjnë një projekt për t’ardhmen, nuk mund të krijojnë familjet, duke pasur një bazë sigurie. Nuk e di nëse është në dijeni znj.

Cavini se shqiptarët jetojnë me një “shpatë Damokleu” mbi kokë, e cila është largimi nga puna sapo të ndryshojë kuadri politik. Cilido që fiton zgjedhjet do të kujdeset shpejt të “shpërblejë” me vende pune pasuesit apo votuesit e vet, në kurriz të “humbësvet”. Ky kriter zbatohet në të gjitha hallkat e zinxhirit t’administratës publike, që është rezerva më e madhe e vendeve të punës, që nga ministrat deri tek pastrueset dhe portierët, pa kursyer as kuadro të diplomuara në universitetet e njohura të botës. 

Kjo metodë, e trashëguar si mendësi nga komunizmi, një kujtesë e zbehtë e famëkeqes “luftë e klasave”, vazhdon të përsëritet prej një të katërt shekulli. Kjo është arsyeja që shoqëria qytetare, e pavarur nga politika, është pothuajse e paqenë në Shqipëri, që nuk ka asnjë nismë të çdo lloji, politike, ekonomike, kulturore etj që të mos ketë nxitjen dhe vulën e partive politike.


Autorja nuk vështron nga kjo anë e nuk pyet ndonjë nga bashkëbiseduesit për faktin që, prej një çerek shekulli, qëndrueshmëria e sistemit është e siguruar nga kalçifikimi i tij, që nuk ka zëra të protestës apo shprehje të politikës jashtë kuadrit të ngurtë zyrtar të saj, që nuk ka ndonjë lëvizje si ajo e “5 yjeve” në Vendin e saj. Madje ajo i beson një drejtori krahinor të shërbimeve shoqërore të Durrësit kur ai i thotë: “Kam parë politikanë që bashkëpunojnë me kriminelët, por kam parë edhe popullin që i kërkon llogari politikanëve.” Nëse ka të drejtë për pjesën e parë të pohimit, për të dytën ndoshta shkëmben dëshirën me faktet, ndoshta e njëjtëson popullin me zëdhënëset apo zëdhënësit e partive kryesore, që padisin çdo ditë në televizione kundërshtarët e tyre.


Pa mëtuar që gazetarja e “Corriere della Sera” të njohë n’imtësi realitetin shqiptar, duke vënë në diskutim disa interpretime të pamjeve të ndryshme të tij, autorja nuk shpreh asnjë lloj simpatie për të shkuarën e afërt tonën, por nxjerr në pah prirjen e vullnetin e klasës drejtuese, për t’a kaluar atë përfundimisht në muzeun e historisë. Do të ishim shumë të lumtur të ishte plotësisht kështu, por fatkeqësisht, ajo e shkuar mbetet e pranishme nëpërmjet njerëzvet, mendësivet, mënyrave të qeverisjes e të bërit politikë.
              

“Ecja e kryer në 25 vjet është mbresëlënëse”, pohon autorja. Pohimi do t’ishte më bindës, sikur të shoqërohej me një farë krahasimi me Vendet e tjera që, 25 vjet më parë, filluan ecjen pak a shumë në kushtet tona, por ky nuk është synimi i shkrimit.

Duket se ai mbetet një reklamë për bashkatdhetarët e autores, një lloj karremi për t’i sjellë këtu. Kjo është pozitive, është n’interesin tonë, nëse politika jonë do të jetë në gjendje të mos përsërisë gabimet e së shkuarës në këta vite. “Optimizmi” i Daniela Cavinit për Vendin tonë besoj se është i sinqertë edhe se arrin maja të papërfytyrueshme, kur thur, me imagjinatën e saj krijuese, një projekt fantastik për të kthyer “kërpudhat prej betoni” në biznese për shqiptarët!!!!

Megjithatë artikulli është shkruar mirë e besoj se vlen të lexohet nga ne, për të parë një mënyrë vlerësimi të një gazetareje të së përditëshmes më të njohur italiane, për Vendin tonë. Prandaj vendosa t’a përkthej e t’a dërgoj për botim, së bashku me këtë shkrim, përshtypjet e mija që janë subjektive e që nuk mëtojnë të kushtëzojnë gjykimin e lexuesit, të cilin e uroj të jetë në përgjithësi pozitiv, mbasi kemi të bëjmë me një shkrim dashamirës për Vendin tonë.

Korrik 2016


Redaksia Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë