VLORE - Këshilli i Qarkut të Vlorës, në mbledhjen e saj, ka vendosur sot me 43 vota pro dhe asnjë kundër emërimin e kryetarit të ri të Këshillit të këtij qarku, Sadrit Danaj, për të zëvendësuar ish-kryetarin e shkarkuar po sot nga këshilltarët, Anesti Dhimojani. Shkarkimi i Dhimojanit erdhi si rezultat i votimeve ku 39 vota ishin pro shkarkimit të tij dhe 3 kundër. Ndërkaq Sadrit Danaj ishte kandidati i vetëm i propozuar nga këshilltarët e PS dhe PDK. 

Lidhur me këtë vendim për shkarkimin e Dhimojanit dhe emërimin e kryetarit të ri, ka dhënë dorëheqjen nënkryetari i Këshillit të Qarkut Dhimitraq Lapa i PDK. Në votimet për zgjedhjen e nënkryetarit të ri, kandidatura e vetme ishte  Harallamb Panteqi i PBDNJ, i cili u zgjodh me votim të fshehtë me 36 vota pro nga po kaq votues. 

Në mbledhjen jashtë rradhe të zhvilluar sot, ku në rend dite ishte nocioni i dytë për shkarkimin e kryetarit të Qarkut të Vlorës, ishin të pranishëm 42 nga 59 anëtarë të këshillit, ku mungonte edhe vetë kryetari i saposhkarkuar Anesti Dhimojani. Ndërsa 43 anëtarë Këshilli ishin vetëm në momentin e votimit të kryetarit të ri.

Mësohet se nga 39 vota për shkarkimin e kryetarit Dhimojani, 6 vota ishin të djatha prej të cilave 5 të PDK dhe 1 e PD. Ndërkohë 17 anëtarë të djathtë bojkotuan mbledhjen e këtij Këshilli. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)