Saimir Kumbaro: “Pallatin
176” e kanë masakrua

Saimir Kumbaro: “Pallatin<br />176” e kanë masakrua
TIRANE - Roland Trebickën edhe në ditën e lamtumirës së tij, kolegët, regjisorët, miqtë nuk e ndanë nga roli ikonë i Jovan Bregut. Një rol, me të cilin ai fitoi dashurinë absolute të publikut. Edhe përmes lotëve dhe hidhërimit, dje binte shpesh e më shpesh fjala për komedinë e famshme “Pallati 176”.

“Nuk e di unë, por kam vërtetuar se çdo kanal televiziv shqiptar, i cili është promovuar në shfaqjet e para të ditëve të para, për rubrika humori, Vox-Pop, emisione, inserte, i bie trumbetës me skena nga “Pallati 176”.

E kuptoj që interesi i tyre është të thithin vëmendjen e publikut përmes kësaj komedie, me batutat e Jovan Bregut, por nga ky shfrytëzim i jashtëzakonshëm që i është bërë kësaj komedie, artistët që punuan me të nuk kanë përfituar asnjë gjë”, thotë aktori i njohur Bujar Asqeriu.

Ndërsa regjisori i njohur Saimir Kumbaro, i cili është një ndër të parët që e ftoi në filmin e tij “Koncert në Vitin 1936”, pasi “e kishte admiruar” në rolin e tij të parë te “Debatiku” i regjisorit Hysen Hakani, sapo e pyesim për shkakun e suksesit të Roland Trebickës me Jovan Bregun, reagon sikur ta kishim shkelur në kallo.

“Komedia “Pallati 176” u masakrua, u shfrytëzua në mënyrë barbare nga njerëzit, nga ato që quhen shtëpi diskografike dhe prodhojnë dhe shumëfishojnë këtë komedi të famshme. Unë di që skenaristja e asaj komedie Adelina Balashi, që e kam pasur edhe kolege në Kinostudio, ka mbetur e papunë. Sot nuk e di se çfarë pune bënë”.

Zoti Kumbaro, cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Roland Trebickën?
Rolandin kam pasur fat ta njoh që kur e kam pasur tek filmi im “Koncert në vitin 1936”. Pas filmit të parë të tij “Debatiku” ai interpretoi tek filmi im. Për mua Landi ishte një njeri që më kujton gjithmonë atë shprehjen e famshme të Stanislavskit që thoshte: “Në radhë të parë duhesh të jesh njeri, pastaj artist”. Ai ishte edhe artist edhe shumë njeri.

Me ikjen e beftë të Landit ne kaluam një dhimbje (qan). E kam pasur shok Landin gjithë jetës, jo vetëm koleg. Ne diskutonim për hallet tona, për problemet tona dhe sigurisht edhe për artin.

Landi ishte shumë i ri, kur luajti në filmin “Debatik” të Hysen Hakanit, dhe ne bashkëmoshatarët e tij e shihnim me admirim që interpretonte në atë film, në një kohë që luheshin shumë pak filma. Në vitin ‘78 unë e mora në filmin “Koncert në vitin 36”. Ishte i paparë si aktor, shumë serioz, shumë punëtor, shumë pozitiv. E ndjejmë shumë humbjen e tij sot.

Kam një përfytyrim nga jeta e tij prej aktori: në çdo rol, parësor apo dytësor dha maksimumin deri në perfeksion, mos i jemi borxh këtij aktori, duke i mohuar disa role të tjerë në repertorin e tij?
Ke të drejtë për këtë, por nuk është faji i Landit që talentin e tij nuk e shfrytëzuam dot. Është faji i atij institucioni, që shquhet nga mungesa e vlerësimit që i bëhet individit. Këtu nuk ka një institucion që të vlerësojë talentet, njerëzit. Landi ishte njeri modest.

Nuk kërkoj kurrë të dukej, të shquhej mbi të tjerët, nuk këmbënguli asnjëherë që të zotëronte rolet për famë, saqë shumë të tjerë pa merita kanë marrë sot “Mjeshtri i Madh” përpara Landit. Dhe ai kurrë nuk u ankua, se zuri në gojë ndonjëherë çështjen e vlerësimit me titull.

Ai shihte punën. Ka mbajtur Teatrin Kombëtar në një kohë që kurba e tij fillonte të ulej, se unë e kam ndjekur vazhdimisht kurbën e Teatrit Kombëtar. Me gjithë mend ka mbajtur barrën kryesore në tranzicion që nga vitet ‘91 e derisa u shkërmoq teatri.


Është edhe pak e çuditshme historia me famën e Roland Trebickës me rolin e Jovan Bregut. Komedia “Pallati 176” është me përhapura...
Është më grabitura, thuaj më mirë, jo më e përhapura.

Pra, nuk është marrë kopirajt, nuk u është dhënë ndonjë shpërblim  material aktorit dhe autorëve për DVD-të e kudogjendura me komedinë “Pallati 176”?

Aktori i është dhënë vetëm shpërblim shpirtëror nga publiku. Ndërsa komedia “Pallati 176” u masakrua, u shfrytëzua në mënyrë barbare nga njerëzit, nga ato që quhen shtëpi diskografike dhe prodhojnë dhe shumëfishojnë këtë komedi të famshme.

Unë di që skenaristja e asaj komedie Adelina Balashi, që e kam pasur në Kinostudio kolege është pa punë. Unë sot nuk e di se çfarë pune bënë. Vetëm me përqindjen e shitjeve të kësaj komedie të pjesës që i takon asaj si skenariste, ajo dhe artistët e tjerë që kanë punuar për të do të kishin një ekonomi më shumë se normale.

Po kështu edhe Alfred Bualoti dhe regjisori që e ka vënë në skenë bashkë me të. Vetë Rolandi do të kishte shumë fitime. Këtu nuk ka institucion që të vlerësoj njerëzit dhe të mbrojë krijimtarinë e tyre, troç muhabeti.

Kush e ka kopirajtin e komedisë “Pallatit 176”?

E kanë në dorë piratët, vetëm piratët, kaq.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha