Saimir Strati mes pesë mjeshtërve të mëdhenj të mozaikut botëror: Arti për mua është përjetësi! Liria pasuria më e madhe

“Arti për mua është përjetësi. Kur e krijoj, e di që një ditë ne qeniet njerëzore nuk do të jemi, ajo vepër do të ngelet edhe përtej. Dhe, kur them përjetësi do të thotë që të arrish të komunikosh edhe pse nuk je. Komunikim në përjetësi, kështu do ta përkufizoja. E ndjeva që mozaiku do të ishte jeta ime dhe ashtu po ndodh”- thotë Saimir Strati.

Si troku i pandalshëm i këtij kali, në këtë mozaik të rrallë realizuar me 1 milionë e 500.000 mijë kruajtëse dhëmbësh prej druri, është edhe jeta e artistit shqiptar, i vlerësuar si një zë i veçantë në artin botëror, i renditur tashmë mes pesë mjeshtërve të mëdhenj në fushën e mozaikut modern.  

Saimir Strati vlerësohet nga kritika botërore krahas krahas Antoni Gaudít, Emma Biggs, Marcelo de Melo dhe Sonia King.

Energjia dhe portreti i tij artistik përkthehet në metaforën e ecjes me furinë e kalit –kryevepër, i titulluar “Shpirti i lirë”, që më 26 korrik të vitit 2007 u shpall në librin e rekordeve botërore Guinness si mozaiku më i madh me kunja dhëmbësh, i realizuar në një sipërfaqe prej tetë metrash katrorë.

Ky është një kalë që flet me zërin e artistit, që vrapon nga e shkuara në ardhmen, pa u ndalur, fort i lëvduar, por ende me të pathëna të kritikës për dimensionet esenciale që mbart vepra.

Kur i thua artistit Strati se e para vepër që të bënë  më shumë përshtypje është vepra kali, e cila e tejkalon konceptin e artistit, duke e bërë një subjekt artistik i gjallë e vibrues në sytë tanë, ai thotë se: 

“Ajo që unë kam dashur të tregojë dhe të shprehë është arritur falë një pasioni shumë të madh dhe një lloj energjie që të vjen ngaqë duke u rritur vepra rritet edhe dëshira që ti të jesh i pari për ta përfunduar, por duke e zotëruar veprën kupton se duke u plotësuar nis të zotërojë ajo vepra dhe megjithatë të jetë ajo vepra që të jep të gjithë emocionin dhe padurimin për ta përfunduar”-thotë Strati.

Kunjat e dhëmbëve nuk kanë asnjë përmbajtje artistike në vetvete, por artistit i ka shkuar mendja rastësisht që këtë material të parëndësishëm ta kthejë në vepër arti.

Në një restorant, ai bisedonte me një mik për dëmtimin që po i bëhet natyrës dhe e pyet nëse mund të bashkëjetojë një arkitekturë pa e dëmtuar natyrën, ose në harmoni me natyrën. Dhe me kunjat e dhëmbëve në tavolinë i gjeti  si objekt të rastit për të argumentuar idenë. Pastaj ato kunja në inkoshiencën artistike përkthehen në një tjetër dimension.

“Kështu unë përdora një nga shembujt me disa kunja dhëmbësh dhe e modelova me mënyrën më të thjeshtë dhe kjo më tha shtysën për të bërë një vepër arti me kunjat e dhëmbëve”, tha Strati.

Artisti punoi 40 ditë për të arritur rekordin Guinness. Kali që puth ajrin e lirisë ishte i dyti rekord botëror, fill pas të parit që e preku në vitin 2006.

Saimir Strati hyri për herë të parë në librin e rekordeve botërore me mozaikun më të madh me gozhdë industriale, “Gjeniu”.

Në këtë vepër ai rikrijoi portretin e Leonardo Da Vincit. U përdorën rreth 400 kilogramë gozhdë mbi një sipërfaqe tetë metra katrorë. Rekordi  u shpall nga Guinness World Record më 4 shtator të vitit 2006.

“Në fakt ideja ka qenë pasi kam parë një emision televiziv dhe thuhej që në botë është shpikur një printer që arrin ta printojë Xhokondën e Da Vinçit pothuajse qind për qind. Ideja ishte se shpirti nuk mund të printohet dhe mua m’u duk se ai lajm e gozhdoi Da Vinçin, dhe unë nisa të gozhdojë teknologjinë. M’u duk sikur e çlirova pak Da Vinçin nga ai frymëzim.”, thotë Strati. 

Veprat e Saimir Stratit janë mikpritëse për kritikën profesionale botërore, edhe pse fatkeqësisht në vendin e tij nuk ka mundësi ekspozimi.

“Duhen ekspozitat, se nuk mjafton fotografia e veprave. Syri është lakmitar dhe kërkon më të mirën, atë origjinalin Vepra e mia janë diku të magazinuara dhe më duhet t’i shikoja se ka 15 vjet që më merr malli, se ato rrinë aty mbyllur. Një nga veprat që më ka marrë malli është ajo që iu është dedikuar artistëve dhe i është dhuruar Teatrit Kombëtar në hollin e vet. Godina e Teatrit është prishur, shpresoj që vepra të ketë mbetur diku.”, thotë artisti,

Talenti, ndjeshmëria, sinqeriteti, pasioni, perfeksioni janë dhuntitë e Saimir Stratit

Saimir Strati ka një vullnet absolut për interpretimin e të përsosurës që ngjizet fillimisht brenda tij. Kështu ai nisi të mos u mungonte rekordeve Guinness.

Në vitin 2008 realizoi mozaikun më të madh me tapa vere “Mesdheu”.

Tashmë ai nisi ta pushtonte librin e rekordeve dhenë vitin 2009 realizoi mozaikun mëtë madh me penela “Black or white”, dedikuar Mikael Jackson-it.

Fitoi sërish rekordin në vitin 2010 me mozaikun më të madh me vida industriale “Monedha e Artistit” (Homeri).

Fitoi rekordin Guinness në vitin 2011 me mozaikun më të madh me kokrra kafeje, “Një botë, një familje, një kafe”.

Fitoi rekordin botëror sërish në vitin 2012 me mozaikun më të madh “Pavarësia”të cilin e realizoi nëPrishtinë, një mozaik 63 metra katrorë, ku me 620 kg fasule krijoi shqiponjën dykrenare. 

Nëse në vitin 2013 patëm menduar se Saimir Strati një ditëe ndali sprovën e vështirë për të arritur trofetë e rekodit Guinness, ishim gabuar, sepse në vitin 2014 ai e përmbushi dimensionin e tij krijues me fitoren e dy trofeve Guinness.

Fitoi rekordin botëror  me mozaikun më të madh me pipa plastike “Të mbrojmë Tokën”, realizuar në Fier dhe me mozaikun më të madh me tapa, “Simbolet”, dedikuar Jose Saramago-s në Portugali.

Në vitin 2016 Saimir Strati fitoi rekordin botëror me veprën “Nënë Tereza “, realizuar në Prishtinë me kapëse teli.

Dhe rekordi më i fundit, por ende jo i fundit, Guinnes ishte ai i vitit 2019, ku realizoi mozaikun më të madh me vida industriale “Vizionari” dedikuar rilindasit të Turqisë Qemal Ataturk.

Vlerësimet me superlativa të kritikës botërore, nuk e ndryshojnë dot natyrën modeste të artistit Strati. Në bisedën me të kuptojmë edhe më qartë karakterin e tij origjinal, si rrjedhojë frymën origjinale artistike. Saimir Strati ka një stil të veçantë jetese. Me këtë ai na sfidon të gjithëve.

“Mbijetesa është mbijetesë, unë jetoj shumë thjesht. Kjo është më mirë se të kesh zënë një karrige në një institucion dhe thjesht jeton. Liria ime është pasuria më e madhe. Ajo pjesa tjetër është thjesht mbijetesë, shumë thjesht. I kam krijuar komoditetin vetes time që të jem absolutisht i lirë. Nuk kam pranuar të kem influenca në jetën time, qoftë fisnore, familjare institucionale mes kolegëve. Lirinë time e kam përdorur për të krijuar vepra që të ndihet shpirti i lirë.”, thotë Strati.

Vullneti i mjeshtrit të mozaikëve Saimir Strati është i pazakontë përkorë teknikave befasuese për realizimin e tyre dhe veprave të tjera artistike.

Magjia që buron nga shpirti dhe mendja e tij shpesh vjen si një ndërthurje e teknikave antike me materialet moderne. Në finale ato të dhurojnë emocione..

“Mbase në Shqipërinë time të dashur nuk kam pasur ndonjë vlerësim të madh, por vlerësimi në botë me emërtimin “shqiptari Saimir Strati” është krenaria ime më e madhe.”, thotë artisti.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'