Fotoja ku Saimir Tahiri, Klement Balili, Safet Bajri dhe një person i katërt duken rreth një tavoline teksa konsumojnë ushqim është fotografuar në burgun e Kosovës së Lushnjes, nga vetë personeli i burgut. 

“Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi” thuhet në njoftimin për shtyp të drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si njoftim sqarues për publikun për foton që qarkulloi sot në rrjetet sociale

Fotoja është bërë në kohën kur Saimir Tahiri ka qenë duke vuajtur dënimin me statusin e 'të burgosurit' në IEVP 'Kosova e Lushnjes', ndërsa prej 2 qershorit dënimin e mbetur do ta vuante në shtëpi.

Përmes njoftimit drejtoria e burgjeve kërkon të sqarojë se të katër të dënuarit kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe se ulja e tyre në një tryezë për drekë nuk ka qenë një shkelje e rregullave të burgut.

“Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre”

Drejtoria e burgjeve mohon që në ato momente të dënuarit kanë qenë duke pirë pije alkoolike duke hedhur poshtë se janë shkelur rregullat apo janë bërë favorizime.

“Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.  Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.”

Në të njëjtën kohë, ky institucion informon se është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Ndërkohë Sali Berisha përmes një postimi hodhi akuza për privilegjim të tyre në qelitë e burgut.

"Jo të gjithë shqiptarët vdesin nëpër burgjet e Edi Ramës, vdesin ata që janë aty për lekët e dritave por jo ata që janë aty si hajdutë e trafikantë. Këta të fundit kanë privilegjin të bëjnë turizëm në burg, në kavalishencën e tyre qeveritare, madje edhe të ngrenë dolli shëndeti për kapon e tyre, që i bëri sheikët e vendit më të varfër në Europë. Në foto, Saimir Tahiri, Klement Balili, Safet Bajri gëzojnë privilegjet e partisë. sb" shkruante sot Berisha në një postim në facebook.