TIRANE-Shtyhet sërish për herë të tretë seanca gjyqësore ndaj Saimir Tahirit te Gjykata e Krimeve të Rënda. Arsyeja është se prokuroria nuk ka gjetur 3 procesverbale. Por cfarë janë procesverbalet që kanë humbur? Report Tv mëson se procesverbalet që kanë humbur janë përkthimet në gjuhën shqipe të tre të pandehurve që po përballen me drejtësinë italiane, Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridjan Sulaj. Bëhet fjalë për deklarimet e tyre të dhëna në shtetin italian.

Kryetari i trupës gjykues Ardit Mustafaj konstatoj se në dosje mungonin pikërisht të përkthyera këto tre dëshmi. Pjesë e dosjes ishin vetëm dëshmitë në gjuhen italiane. Nga ana tjetër, avokati Maksim Haxhiaj tha se në dosje rezulton që të jenë përkthyer të tre deklarimet pasi ministria e drejtësisë u ka konfirmuar këtë gjë me anë të dy shkresave zyrtare. Ndërsa vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi në gjyq që seanca të bëhej gjatë ditës së sotme në mënyrë që të mos ketë më zvarritje të procesit.

Ai tha se nuk "nuk po kërkoj gjilpërën në kashtë, por vetëm pafajësinë time". Sipas Tahirit kjo është një mënyrë e prokurorisë për të shtyrë seancat njëra pas tjetrës. Në këto kushte gjykata i la kohë prokurorisë  afat deri më datë 22 korrik për të sjellë përkthimet e tre dëshmive të marra në Itali.

Ndërkohë që Saimir Tahiri pas daljes nga prokuroria e ka cilësuar si qesharake dhe të turpshme këtë situatë. Ai deklaroi se me këto letra prokuroria kërkoi arrestimin e tij dhe sot thotë se kanë humbur. Gjithashtu ish-ministri u shpreh se në fashikujt që kanë humbur ka prova në favorin e tij. Por ai theksoi se heq dorë nga ato prova, edhe pse janë në favorin e tij vetëm që gjyqi të mos zvarritet.

"Ky proces është shtyrë për të tretën herë, herën e parë se letrat e postës ishin të grisura, herën e dytë se nuk ishin bërë njoftimet dhe herën e tretë, që na kanë humbur letrat. Edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq. Nuk e di si mund të ndodhë që mund të humbasin letra në prokurori kur dihet kush i ka dërguar dhe kush i ka marrë.

Nuk e di si mund të vijohet kështu, me këto letra prokuroria kërkoi arrestimin tim dhe sot thotë më kanë humbur. Kjo është qesharake. Nuk dua ta di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëz, nëse është e qëllimshme është e keqja më e vogël, pasi nuk paska gjetur rrugë tjetër se kjo kaq banale. Shpresoj që të jenë mungesë vëmendje.

E thashë edhe në seancë, ata janë prova në favorin tim, por unë heq dorë vetëm që gjyqi të mos shtyhet. Po heq dorë nga disa dëshmi në favorin tim. Unë heq dorë vetëm të mos shtyhet. Një procedim nisi me kërkesën për arrestimin tim dhe letrat janë zhdukur.

Kjo është qesharake, kjo  nuk ndodh as në dyqan. Përkthimet janë në prokurori. Di të them që e quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herë të tretë, qesharake, skandaloze, poshtëruese për drejtësinë dhe jo për mua. Unë kam konstatuar edhe mungesa të tjera, drejtuesja e prokurorisë më kanë thënë se dosja është e saktë, sikur e keni marrë edhe ju. Më intereson që gjyqi të mos zgjatet.

Është e shëmtuar si mund të ndodhë kjo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe bëhet fjalë për shkresa që i keni nxjerrë ju në gjuhën shqipe, kur i ka media nuk i ka prokuroria?! Ata janë dëshmi në favorin tim, por nuk i dua, heq dorë, vetëm gjyqi të mos shtyhet. Nuk mund të bëj edhe postierin, edhe policin edhe të pandehurin.

Një seancë postieri solli ca letra të grisura, një seancë nuk bëri njoftimet dhe tani hataja më e madhe është që paskan humbur letrat. Më gjeni një tjetër institucion që ka humbur letrat në këtë mënyrë, atëherë Republika ka rënë. Nuk spekuloj dot se ka shumë variante, janë njëri më i keq se tjetri, por di që do ia dal herët apo vonë dhe keni për ta parë" tha ai.

Ndërkohë që u pezullua me 1 vit gjyqi për Sokol Boden e Gjergji Kohilën për shkak se nuk kanë marrë dijeni për seancat, pasi janë në kërkim. Procesi gjyqësor me gjykim të shkurtuar do të vijojë vetëm për Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën. Seanca e radhës për Tahirin është në datë 22 korrik ora 11:00.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes 'Habilaj'. Në 19 Qershor ai tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.