Procedurë të padrejtë e quajti nga selia blu kryedemokrati Sali Berisha atë të shkarkimit të Erion Veliajt. Ai tha se krahas seancës së sotme në Kushtetuese, Veliaj duhet të ishte dëgjuar edhe në Këshillin Bashkiak.

Sot doli edhe me një tezë të re, kur tha se beteja mes Ramës e Veliajt ka nisur pasi ky i fundit realizoi foto me ish-kandidaten demokrate të garës presidenciale në SHBA Kamala Harris.

“Pra, i solla më shumë këtu për të pasur të qartë çdo shqiptar se çfarë regjimi është i instaluar këtu. U them këtu, se ne që kemi memorien e kohës së shkuar, nuk kanë asnjë dallim, përveç kësaj seance publike, nuk kanë asnjë dallim veprimet e tjera nga qëndrimi që mbante Enver Hoxha ndaj armiqve të tij, Identik! Por ama nuk kanë asnjë dallim edhe armiqtë, se edhe ata ishin mëkatarë, nuk ishin kurrë të pafajshëm, por kishin kryer krime kundër shqiptarëve.

Por edhe këta janë mëkatarë. Edhe këta kanë vjedhur, vjedhur dhe vetëm vjedhur. Por krijimi i ngjashmërisë është dëshmi flagrante e narkoshtetit, e narkodiktaturës. U ndala këtu për të theksuar se ky dimension represiv i shkallës së paimagjinueshme ndaj atyre që Rama i konsideron të rrezikshëm ose ndaj atyre që nuk vazhdon dot t’i mbrojë, kurse këtë e ka hequr vetë, Veliajn, ju jeni dëshmitarë, dihet kjo.

Ky shkoi në SHBA dhe bëri foto me Kamala Harris. Po, publiku duhet ta dijë këtë. Rama shkoi dhe nuk bëri dot fotografi. Kjo është e vërteta. Shkoi dhe nuk bëri dot fotografi. Pse e tek, këtë nuk e di. Por aty filloi shizma e madhe. Për të vjedhur, asnjë nga vjedhjet që ka bërë me Ramën, nuk iu faturua Erion Veliajt. Erion Veliaj i di Ramës të gjithë vjedhjen që bën Edi Rama në urbanistikë”, tha Berisha.