Salianji në 'Kontrast': Berisha po priste fjalën, u ul në karriget e PS se nuk e kishte të lirë vendin e tij! PD të bashkohet për zgjedhjet lokale

Sali Berisha, i cili zakonisht ulet në vendin e Luciano Boçit në Kuvend, ditën e sotme zgjodhi që të kalonte në radhët e socialistëve duke ngjallur jo pak diskutime. Ndonëse Berisha u shpreh se e bëri me qëllim për të dhënë mesazhin se demokratët, ndryshe nga socialistët, përcjellin interesat e qytetarëve, deputeti demokrat, Ervin Salianji u shpreh se nuk donte të jepte një simbolikë, por thjesht po priste radhën për të folur.

Në një intervistë në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv me gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli, deputeti Salianji u shpreh se edhe nëse do të bënte Basha të njëjtin veprim, askush nuk do të surprizohej.

“Pavarësisht se ka dashur të japë një simbolizëm, mu duk sikur u ul diku ndërsa po priste fjalën. Ulet zakonisht tek vendi i Boçit, sot duke qenë se ishte aty dhe nuk kishte vend, u ul atje. Nuk e shoh me ndonjë simbolikë sesa një moment që në seancat parlamentare ndodhen. Kushdo që të ulej, nuk besoj se ish kryetari i partisë surprizonte”, tha Salianji.

Salianji komentoi edhe përçarjen e PD duke thënë se është e nevojshme që deputetët të mblidhen e të flasin me njëri-tjetrin, jo vetëm të bëjnë deklarata publike. Edhe më parë ka kërkuar bashkimin e PD, ndërsa sot theksoi se opozita nuk duhet t’i japë avantazh PS duke u shfaqur e përcarë në zgjedhjet lokale.

“Nuk besoj se kjo çështje ka nevojë për magji. Veçse flasin në publik, nuk flasin me njëri-tjetrin. Gjykata nuk e zgjidh çështjen, por zgjidhet vetëm duke u ulur me njëri-tjetrin dhe duke diskutuar pikat e përbashkëta. Po vijnë zgjedhjet lokale dhe duhet të kemi një kandidat të përbashkët dhe s’mund t’i japim avantazh PS duke u përçarë vetë”, tha Salianji.

Teksa kthehej mbrapa në zgjedhjet e 6 marsit dhe në kohën kur PD drejtohej nga Lulzim Basha, Salianji u shpreh se ishte tërësisht i stakuar në fushatë dhe nuk bëri asnjë takim, ndaj rezultati i dështimit ishte i pritshëm. Ndryshe nga ai, Berisha që kërkon të rikthehet sërish në krye të PD, bënte rreth 20 takime në ditë dhe përmes koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ ia doli të marrë fitoren në bashkinë e Shkodrës. Megjithatë, Salianji vijon të mbetet i mendimit që PD mund të ketë zgjidhje vetëm kur të largohet edhe Berisha.

“Politika ka një gjë, që luhet në skenë dhe prapaskenë. Çdo tërheqje është hile. Nëse ka një taktikë që mendohet të ketë 2 parti, një parti tjetër e vogël që ta mbajë peng ish kryetarin dhe një parti e Berishës, nuk është zgjidhje. Jemi një grup deputetësh që mendojmë se rikthimi i Berishës e dëmton opozitën dhe kontributi i tij duhet të ishte gjatë gjithë kësaj kohe. Ishte një betejë jo e barabartë më 6 mars. PD e Bashës kishte avantazhe, por pësoi humbje. Në fushatë ishte thuajse i stakuar. Doli 2-3 herë. Po them disavantazhet e Berishës duke nisur nga mosha, non grata dhe mungesa e siglës, por bënte 20 takime në ditë, ndërsa ai asnjë. Ne i kërkuam dorëheqjen që të bashkohej PD, por kemi këtë situatë sot. Një njeri që mendon se mund të rikthehet sërish ku ka qenë dhe një pjesë tjetër që mendon se fitimtari ka të drejtë të bëjë gjithçka e të tjerët të nënshtrohen. Nëse nuk hiqet dorë nga kjo, s’ka zgjidhje”, tha Salianji.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë