TIRANË- As ditët e fundit të vitit nuk i kanë ulur gjakrat mes demokratëve. Ervin Salianji, rebeli i ri brenda Partisë do të ndalë këtë të shtunë turin e tij të takimeve me demokratët për rizgjimin e partisë në Shkodër

Por PD, që së fundmi e sheh Salianjin si armik të brendshëm, u kërkon demokratëve të distancohen duke thënë se takimi i tij është për interesa personale, për të cilin është ndihmuar nga kryebabashkiku i kryeqendrës së Veriut, Benet Beci.  Në telefonat e demokratëve, pak orë para takimit të Salianjit, mbërriti ky mesazh:

“Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe, për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë. Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtar i degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”, thuhet në mesazhin e dërguar demokratëve.

Edhe për takimin e organizuar më herët në Elbasan, Sali Berisha dhe Flamur Noka akuzuan Salianjin se është ndihmuar nga eksponenti në kërkim i krimit Suel Çela, akuzë për të cilën ish-deputeti u kundërpërgjigj duke thënë se është vetë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së që është akuzuar më herët për lidhje me të.

Ndërkohë vetë kreu i PD-së vijon turin e foltoreve të tij në Korçë në të njëjtin orar me takimin e Salianjit në Shkodër. Kjo ndalesë e Sali Beerishës vjen vetëm një ditë, pasi ish-deputeti i tij në këtë qark Edmond Spaho kritikoi ashpër lidershipin blu duke thënë se është përgjegjës për gjendjen e partisë ndërsa të besuarin e Berishës, Flamur Nokën, e quajti servil dhe të pabesë.

Mesazhi që i është dërguar demokratëve të Shkodrës