Ish deputeti i PD, Ervin Salianji nga Korça ka deklaruar se kanë dalë sërish në terren për të dëgjuar problematikat e bizneseve, fermerëve dhe fasonerive. Salianji është shprehur se nuk ka asnjë vendim nga selia e PD-së për të protestuar.

"Kemi bërë mbledhje me strukturat në Korçë dhe po dëgjojmë shqetësimet e qytetarëve, biznesit, fermerëve, punonjësve të fasonerive që kanë mbetur pa punë dhe pa u paguar. Shqetësimi i madh nga Korça, që pavarësisht se kanë qenë të hapura, për shkak të bllokimit nuk kanë pasur mundësi për të ardhura në turizëm, nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga qeveria duke u përjashtuar nga përfitimi i paketave të ndihmës. Është një situatë si në të gjithë Shqipërinë. Varfëri ekstreme, po zien, qeveria e ka braktisur detyrën.

Është në fund të mandatit, është braktisur, Rama është i vetëm, por edhe nga qytetarët, më shumë sesa i ka braktisur ata. Në momentet e fundit, në paketën e tretë të kihet në vëmendje fermerët. Nuk ka një vendimmarrje për protesta, mbështesim cdo protestë të qytetarëve ku ka pasur shqetësime. Po takojmë qytetarët që shprehin shqetësime për paketat dhe që janë selektive.

Unë besoj që kjo do të përkthehet në votë kundër qeverisë, dhe protestat dhe reagimet duhet të shërbejnë që paratë që janë te oligarkët të rishpërndahen te qytetarët. S'ka vendimmarrje për protesta të organizuara nga opozita, por cdo protestë nga qytetarët do të mbështetet. Nuk është momenti për të shfokusuar vëmendjen për protesta politike por për të qenë pranë qytetarëve" tha ai.