Foto: Andis Salla

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde, vjen në një moment kyç për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe krijon mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrjet agro-ushqimore.

“‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe sektorin bujqësor. Është një mundësi që u jep jo vetëm bizneseve të mëdha, por edhe sipërmarrjeve të vogla dhe fermerëve mundësinë të rriten, të investojnë dhe të kalojnë në një standard tjetër zhvillimi,” u shpreh Ministri Salla.

Ministri nënvizoi se transformimi i bujqësisë shqiptare lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian dhe përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Europian.

“Bizneset shqiptare kanë nevojë për këtë mbështetje për t’u përshtatur me legjislacionin e Bashkimit Europian. Programi vjen në momentin e duhur për të mbështetur investimet që lidhen me sigurinë ushqimore, modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë,” deklaroi ai.

Salla tha se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë në terren për të orientuar dhe asistuar bizneset gjatë gjithë procesit të aplikimit dhe zbatimit të programit.

“Bashkë me ekipin do të jemi në terren për të orientuar dhe asistuar bizneset që të bëhen pjesë e kësaj nisme. Sektori i bujqësisë ka specifika të veçanta dhe ne po zhvillojmë njëkohësisht programe dixhitalizimi për t’i ndihmuar fermerët të përshtaten me standardet e Bashkimit Europian,” përfundoi Ministri Salla.


Lajmi kryesor:

Programi ‘dyfisho sipërmarrjen tënde’/ Euro po bie nga pastrimi i parave, Rama: Banalitet absolut! Sukses i ekonomisë, ka turizëm e investime