Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.
Shefi i ekzekutiit, theksoi ky program ka për qëllim përkrahjen financiare të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për rritjen e tyre në një nivel tjetër. Me një tavan financimi prej 2 milionë eurosh, Rama theksoi se sipërmarrjet e mëdha janë të përjashtuara nga përfshirja në program.
“Ajo që ne synojmë me këtë program është që t'u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme”,- tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri në pah rëndësinë themelore që ka përfshirja dhe gatishmëria e Bankës së Shqipërisë në implementimin e suksesshëm të programit “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.
“Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që të paktën me fjalë na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët që luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar”,- tha Rama.
Për perfeksionimin e programit, Rama tha se në vijim do të angazohen eskpertë ndërkombëtarë.
“Duke qenë se bankat kanë një kalvar të vjetër justifikimesh që i përdorin, dhe një ndër to është se planet e biznesit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshëm të arritura dhe bindëse, ne kemi angazhuar ekspertizë të padiskutueshme, që është Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, përmes së cilës do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë dhe do të kemi një grup të gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante, të cilat kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankën. Dhe ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjithë bizneseve, ndërkohë Ministria e Ekonomisë do të bëjë punën e vet për të garantuar koordinimin midis subjekteve të biznesit dhe grupit të ekspertëve”,- tha Rama.
Për informimin i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend për ekzistencën e këtij programi, Rama tha se do të realizohet një fushatë reklamimi në mënyrë kapilare në mbarë vendin.
“Është planifikuar një cikël takimesh në territor për të takuar bizneset e interesuara që të përfshihen në këtë program. Nuk është vetëm Ministria e Ekonomisë, këtu është një skuadër që ka objektiva të përbashkëta. Pa diskutim, Ministria e Financave ka qenë kyçe dhe dua të falënderoj edhe ministrin”,- tha Rama.
Rama theksoi se qeveria është gati që të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje.
“Është krijuar një kompani interesante prsh, me djem 30 vjeç e poshtë dhe që bëjnë çobanin. Ai që e ka krijuar më tha se punëtorë kam, idenë e kam, por donte më shumë para. Edhe në Fier ka një kompani, që merret me produkte kozmetike. Kanë të njëjtin problem, atë të financimit. Ka ndërmarrje dhe në fushën e teknologjisë. Edhe këto kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike.
Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”, u shpreh kreu i qeverisë.
Lajm në përditësim...

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se Shqipëria është një vend ku pastrohen para të pista, duke argumentuar se një gjë e tillë do ta kishte penguar vendin të avanconte në procesin e integrimit europian.
“Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë objektiv i institucioneve të huaja”, deklaroi Rama.
Sipas tij, sistemi ka krijuar tashmë mekanizma të rinj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ndërsa SPAK është pjesë e këtij transformimi.
“Risia është se sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit. Sistemi po lufton, sepse deri dje nuk luftonte. Nuk kishte balancat e brendshme për të garantuar imunitetin e vet, ndërsa sot lufton”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se zbulimi i rasteve të trafikut të parave të pista nuk është provë e ekzistencës së një “narkoshteti”, por dëshmi se institucionet po funksionojnë.
“Fakti që kapet një rrjet që ka sjellë para të pista është historik për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon se kjo është vetëm një detaj i vogël në majën e një narkoshteti. Kjo tregon që po goditen trafiqet, rrjetet dhe korrupsioni”, tha Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha sot gjatë një takimi më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”, se në vitin 2025, në Shqipëri kanë hyrë 5 miliardë euro vetëm nga shërbimet e turizmit.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu se nga viti në vit ka pasur një rritje të numrit të turistëve në Shqipëri, ç’ka çon sipas saj edhe në futjen nga jashtë të flukseve më të mëdha të të ardhurave.
“Në vitin 2025 në bilancin e pagesave, para të llogaritura të hyra në vend, të matura nga Banka e Shqipërisë janë mbi 5 miliardë euro vetëm nga shërbimet e turizmit. Ndërkohë që nga remitancat, nga investimet e huaja direkte, kemi pasur rritje të të hyrave. Janë rritje të flukseve që futen në vend”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.
Më tej Ibrahimaj, duke iu referuar sekuestrimeve apo konfiskimeve të pasurive kriminale nga SPAK tha se kjo është arritur falë fuqizimit të institucioneve shqiptare, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se disa qindra milionë euro të sekuestruara nga SPAK, janë shumë pak krahasuar me 8.5 miliardë euro që kanë hyrë vitin e fundit në vendin tonë.
Prandaj sipas saj, forcimi i lekut kundrejt euros nuk vjen si pasojë e futjes në ekonominë tonë të parave të pista.
“Kur i referohemi disa qindra miliona eurove që janë konfiskuar nga një sistem shqiptar i ngritur në vitet e fundit, duhet të kuptojmë se ato qindra miliona janë një fraksion shumë i ulët i atyre 8.5 miliardë eurove që kanë hyrë në ekonominë shqiptare. Në radhë të dytë duhet të kuptojmë që janë qindra miliona euro që janë arritur të konfiskohen për hir të fuqizimit të institucioneve shqiptare”, vijoi Ibrahimaj.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe sistemit bankar për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te sektori i fasonerisë, duke theksuar se modeli i bazuar te fuqia e lirë punëtore i përket së shkuarës.
“Koha kur kishte krah të lirë pune ka vdekur dhe sa më shumë të bashkëjetoni me iluzionin e ringjalljes së saj, aq më shumë do të mbeteni pas”, u shpreh kryeministri.
Rama komentoi edhe debatet për forcimin e lekut, duke hedhur poshtë pretendimet se ky fenomen lidhet me paratë e narkotrafikut.
“Duke pasur në mendje edhe ekonomistët popullorë që forcimin e lekut e lidhin me narkoregjimin, një banalitet absolut. Forcimi i lekut është sukses i ekonomisë shqiptare, një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë dhe nuk ka të bëjë fare me atë shpjegimin e atyre që i thonë vetes analistë e nuk dinë çfarë flasin”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, në Shqipëri hyjnë çdo vit miliarda euro nga ekonomia reale, ndaj pretendimet se forcimi i monedhës lidhet me aktivitetin kriminal nuk kanë bazë.
“Në një vend ku miliarda e miliarda hyjnë çdo vit nga ekonomia reale, të flasësh për narkotikë e gomarllëqe të tilla nuk kanë lidhje me realitetin”, përfundoi kryeministri.
Komente











