Me fare pak vëmendje, t’i mund të kuptoje se bëhej fjalë për një komunitet të qëndrueshëm, përbërë kryesisht nga aristokratë apo personalitete të rënë vafti, ish- nëpunës dalë në pension, apo gjithfarëlloj hallexhinjsh, të cilët, përveç ndjenjës së përjetshme njerëzore për protagonizëm që të ofronte prania në qarqet mondane të kryeqytetit të dritave, kishin njëkohësisht mundësinë të ushqehen me cilësi.
Por pavarësisht ngjashmërisë së taktikave për hyrje pa ftesë, dukej qartë se ky komunitet mondan ishte i përçarë. Kuptohej lehtë se kjo buronte nga konkurrenca për të hyrë në pritje.
E përmbajtur në dukje, një konkurrencë jo pak e ashpër niste që para hyrjes së jashtme të pritjes, pra aty ku bëhej dhe kontrolli i ftesave, ku një turmë modeste mondanësh hallexhinj, d.m.th.pa ftesë, bënin sikur prisnin dikë. S’ishte vështirë të kuptoje se ata rrinin aty për t’iu ngjitur, si rastësisht, dikujt me ftesë. Modalitetet e ngjitjes dikujt me ftesë ishin pak a shumë të njëjta: ai, mondani pa ftesë pra, afishonte në fytyrë një buzëqeshje të çiltër, i afrohej krejt spontanisht dikujt që mbante ftesë në dorë dhe, mu pranë hyrjes ku kontrolloheshin ftesat, i drejtonte bashkudhëtarit me ftesë ndonjë pyetje koti, bie fjala: “ah, pa të shohim se në ç’krah do e kenë vendosur gardërobën kësaj radhe...”, dhe kur i ftuari qëllonte të përgjigjet me mirësjellje se “besoj do jetë në krahun e djathtë”, atëherë mondani pa ftesë lëshonte një të qeshur me zë të lartë dhe thoshte, “bah, sinqerisht unë po mendoja se do ishte në të majtën”, duke mos i lënë kështu asnjë dyshim rojave në hyrje se të dy zotërinjtë kishin ardhur bashkë në këtë pritje dhe s’kishte pse t’u kërkohej të dyve ftesa, pasi në hyrjet e pritjeve mondane, ka aq shumë njerëz saqë mondani ka kohën e mjaftueshme të vërë buzën në gaz dhe të lëshojë pyetjen e tij, bie fjala “se në “krah është garderoba”, m’u pranë kontrollorit të ftesave.
Me individët pa ftesë të seksit femër, ndodhte ndryshe, ato jo vetëm toleroheshin nga konkurrentët për të shkelur radhën, por edhe pa këtë privilegj, rojat e pritjeve dinin ta respektonin seksin e dobët.
Por ndodhte që, për të eliminuar krejtësisht konkurrencën, ndokush bënte edhe hile.
Mondanët hileqarë
Me qëllim që t’i shmangej radhës së vendosur heshturazi në komunitet, hileqari avanconte dhjetëra metra para hyrjes, për t’iu ngjitur si rastësisht cilitdo individi të veshur shik, përfshirë edhe atyre që s’mbajnë ftesë në dorë. Përveç pabesisë ndaj shokëve të tij, pra të shkeljes së radhës, kjo mënyrë veprimi mbarte në vetvete dhe rrezikun që ti mund t’i ngjiteshe dikujt kot, pra, që nuk kishte asnjë lidhje me pritjen dhe qëllonte t’i binte aty rruga rastësisht. Vetëkuptohet që në këso rastesh, mondanit hileqar i dilte mundimi huq.
Duhet thënë se kishte edhe një tjetër takëm hallexhinjsh që nuk e duronin dot hipokrizinë, d.m.th. ngjitjen gjoja spontane mbas të ftuarve, por, në mënyrë të hapur e të sinqertë, atyre që dilnin shpejt nga pritja, i pyesnin se mos rastësisht, e kishin ftesën me vete.
Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë i prekte ata që e kishin ende ftesën në xhep dhe pranonin me mirësjellje t’ia dhuronin mondanit hallexhi. Ky i fundit, me të marrë ftesën në dorë, çehrja i merrte një pamje dinjitoze dhe hynte në pritje siç i ka hije, gjë që i jepte atij më pas edhe sigurinë për të hyrë krejt i barabartë në bisedë me diplomatë apo personalitete të larta.
Është e tepërt të thuhet që kjo konkurrencë fashitej krejtësisht kur bëhej fjalë për ndonjë të moshuar, që mezi mbahej në këmbë, apo që dukej sheshit se ishte i sëmurë. Në të tilla raste, të moshuarit i lihej hapësira e mjaftueshme, d.m.th. lejohej nga grupi të hynte pa radhë e, me t’u shfaqur dikush me ftesë në dorë, ai të kishte mundësi t’i ngjitej menjëherë nga pas e të hynte spontanisht në bisedë me të.
Pikërisht n nga ky kontingjent e hasa që në pritjen time të parë në një ambasadë latino- amerikane, në hyrjen e së cilës m’u afrua një grua e moshuar kockë e lëkurë, dhe me një fytyrë mbuluar nga një tepri kremrash m’u drejtua me një zë të njomë:
- Zotëri, më falni, por unë do desha të hyj në pritje në shoqërinë tuaj, pasi… pasi kam harruar ftesën time në shtëpi.
- Patjetër zonjë, - pranova unë.
Por, papritmas, aty pranë kërceu një tjetër grua e moshuar:
- Bah, zotëri, zonjëza po shfrytëzon pa skrupull mungesën tuaj të përvojës në fushën e mashtrimit me ftesa. Po për çfarë harrese e ka fjalën ?! Zhënevievë, pse s’thua të vërtetën?! Po kush i dërgon asaj ftesë, zotëri?!
Zonja, që sapo kishte hyrë në shoqërinë time, ia dha përgjigjen aty për aty:
- Mjaft tani, Bernadetë, nuk të takon ty të flasësh në këtë mënyrë. Unë thjesht po kërkoj një gjest mirësjelljeje nga zotëria dhe ti s’ke pse përzihesh.
Tha kështu dhe më futi natyrshëm krahun e saj të hollë. Hymë brenda dhe unë nuk e mora vesh nëse zonja me emrin Zhënevievë fliste me vete, apo e kishte me mua tek mërmëriste:
- Zot i madh, sot ka humbur krejt mirësjellja... Në kohën tonë nuk ndodhte kurrsesi kjo gjë... - thoshte këto fjalë dhe e revoltuar tundte kokën e saj të vogël.
Zonja nuk priti të miratoja ato që thoshte, por sapo hymë brenda, shkëputi krahun nga mua dhe pa asnjë hezitim u hodh e babëzitur në drejtim të tavolinave.
Franku, gazetar i lirë
Në dalje Zhënevieva m’u afrua përsëri dhe pasi më futi natyrshëm krahun më prezantoi me një burrë të shkurtër, i cili më buzëqeshi ngrohtë dhe tha:
- Zotëri, le të prezantohemi, unë jam gazetar në profesion të lirë, dhe sot kam harruar...
- Ftesën – kërceu e moshuara.
- Pikërisht - tha, gjithnjë i qeshur burri i shkurtër, - pra, ndofta e keni ende me vete dhe...
Nuk e lashë të mbaronte, i dhashë ftesën time, ndërsa ai më falënderoi duke u përkulur thellësisht dhe më la në dorë një kartëvizitë, ku shkruhej emri “Frank - gazetar i lire”.
Franku më telefonoi pas dy ditësh:
- Siç duhet të jeni në dijeni, sot e ka Spanja. Do vini besoj?
- Po, i thashë.
- Shihemi para pritjes dhe shkojmë bashkë, - tha ai me një zë miqësor.
- Ftesa është personale - iu përgjigja menjëherë.
- S’ka problem, - tha, - edhe po më kthyen unë nuk jam si ca të tjerë që kundërshtojnë të dalin. Unë dal vetë. Foli me vendosmëri.
-S’di ç‘t’ju them…hezitova.
- E kam, si të themi, këmbë ngulte Franku nga ana tjetër e telefonit. E kam fiksim këtë ftesë. Dhe a e dini përse?
- Jo, - i thashë.
- Jam i detyruar t’ju them një intimitet, dua të kapërcej, si të thuash, rekordin e vjetshëm, ku munda të marr pjesë në 92 pritje.
- Po këtë vit sa keni kapur? –u bëra kureshtar.
- Aty te ‘72- shi, por ka ende kohë, deri në fund të vitit janë një sërë pritjesh ambasadash të vogla, të cilat mezi presin t’u shkojnë njerëz, pasi, të flasim hapur, nuk është se i përfill njeri, sidoqë duhet pranuar se aty ka më shumë bollëk.
U kujtova për një tjetër pritje të nesërmen në UNESCO, ku mund t’i jepja një ftesë, pasi kisha dy të tilla.
- Bah! - tha Franku, - UNESCO ka rënë mjaft. Ka kohë që aty s’ia vlen mundimi i rrugës. Si është, tek apo çift?
I thashë çift dhe ai psherëtiu i lehtësuar.
Ftesat false për të joshur gratë
Të nesërmen Franku më priste para pritjes së UNESCO- s në krah të një mesogruaje, të cilën ai ma prezantoi si një mikeshë të tij, dhe me të marrë ftesën u fut brenda duke e mbajtur atë për krahu në mënyrë demonstrative.
- Oh, po ky është kulmi, - m’u afrua mikesha ime e moshuar, - ky xhuxh, veçse po na hap probleme duke na sjellë çdo natë nga një zonjë, me shpresë se do gjejë grua duke e joshur me ftesa kallpe. Ka mbledhur në shtëpi një koleksion të tërë ftesash nga vitet e kaluara, - shpjegoi zonja, - dhe hyn me to në dorë nëpër pritje festash, duke fshehur si rastësisht atë pjesë të ftesës, ku duket viti dhe lë t’i duket vetëm pjesën, ku duket flamuri kombëtar i vendit përkatës. Natyrisht që viktimat, d.m.th gratë që fton nuk e dinë këtë marifet dhe pranojnë shoqërinë e këtij buburreci, i cili bën karshillëk, sikur bën pjesë në listat e të ftuarve të vërtetë. Për ne që e dimë të vërtetën, ai pretendon se vjen nëpër pritje mondane, për shkak se nuk e duron dot vetminë. Por të gjithë e dimë se ai thjesht kërkon të gjejë grua, duke dashur kësisoj të dëshmojë klasin e tij të lartë. Veçse gratë ia pinë menjëherë lëngun, sapo futen në pritje e, pasi dënden mirë, nisin e argalisen me ndonjë mashkull më simpatik se Franku. Atëherë Franku na bën be e rrufe se nuk do t’i ftojë më. Po ashtu qyqar siç ka mbetur pas dy tri ditësh e shohim me një kandidate të re për grua në krah. Nuk e di, tundte kokën zonja e moshuar, burrat e vuakërkan ku e ku më keq vetminë sesa ne gratë.
Në pritje Franku m’u afrua dhe më prezantoi një bullafiq, i cili, pas një bisede jo më të gjatë se dy minuta, mori një pamje konspirative dhe pyeti me zë të ulët:
- Zotëri, përfitoj nga rasti për t’ju pyetur nëse vendi juaj do ishte i interesuar për të blerë me çmim të arsyeshëm, për të mos thënë falas, disa armë të sofistikuara?
- Jo, faleminderit, - i thashë.
- Gjithsesi, nëse nuk jeni kundër, i shkëmbejmë kartëvizitat, nuk i dihet, - tha, - më vonë mund të ndryshoni mendim. Mori kartëvizitën dhe u largua me po atë pamje konspirative.
- Bah, tha Franku, - me t’u larguar zotëria, - s’hoqi që s’hoqi dorë nga ky marifet, unë i bëj nder e prezantoj me Ju, ai rropatet të lerë përshtypjen se është i shërbimeve të fshehta dhe me këto broçkulla të sigurojë ftesa. I ka dalë boja, të gjithë e dinë se nuk ia var njeri, as shërbimet e fshehta, as ato jo të fshehta. Ç’nuk i pjell mendja qenies njerëzore për të kapur një ftesë! - psherëtiu Franku dhe u largua ashtu i revoltuar me njerëzit me dy fytyra.
Te uriturit, me sytë nga tavolinat e koktejit
Frankun nuk e pashë nëpër pritje për një kohë të gjatë.
Gati gjashtë muaj më pas m’u shfaq para hyrjes së një pritjeje kishtare. Ishte i vetmuar, me fytyrë të zbehtë. Më qeshi me dashamirësi, më futi krahun dhe ne hymë në pritje si dy miq të vjetër. Me të hyrë brenda, Franku i hodhi një sy të shpejtë tavolinave dhe, pasi më tha një faleminderit të thatë, u drejtua menjëherë nga tryeza me ushqime. Hante i uritur si urith ndër pjatat e pakta dhe kthente me shumicë gotat me shampanjë.
Përballë zellit të tij të tepruar për alkool, famullitari i kishës që shërbente në pritje, tregoi kujdes të mos nxirrte më shishe shampanje nga sirtarët.
- Më vjen keq, shampanja mbaroi! shpalli famullitari.
Franku pranoi përunjësisht dhe u largua pa folur.
Të nesërmen mbrëma më telefonoi zonjëza e moshuar. Pasi më dha lajmin e hidhur se Franku kish ndërruar jetë dhe se kështu e ka jeta, më kërkoi mos kisha ndonjë ftesë për pritjen e portugezit.
- Si na la Franku? Pse? - u befasova unë.
- Ndërroi jetë, pa njeri te koka. Me gjithë ato favore që u kishte bërë grave, asnjëra për bé s’iu ndodh pranë... Iu preftë shpirti asaj krijese të vetmuar! E pra, të thuash se i kishte munguar trajtimi i mirë.
- Ç’trajtim?
- D.m.th. trajtimi ushqimor cilësor… E kam fjalën,nga pritja në pritje. Veç meje në varrim nuk kishte as një nga gjoja miqtë e pritjeve mondane apo atyre bishtdredhurave që ai i kishte futur nëpër pritje me shpresë se do martohej një ditë.
Para hyrjes së pritjes së portugezit zonjëza më kërkoi ftesën dhe pasi i ra radha dikujt, më mori për krahu dhe nuk ma shqiti, derisa kaluam hyrjen ndjekur nga vështrimet xheloze të grupit kundërshtar.
Me të hyrë brenda, ajo mori shprehjen e asaj që revoltohet thellësisht me disa njerëz dhe më pëshpëriti në vesh: Bah ç’qenie të çuditshme!
- Kush? - e pyeta.
- Ata tek hyrja, presin gjithë ditën para pritjeve të ambasadave, me shpresë të njohin dikë që do t’i futë brenda, dhe kur nuk vjen njeri kthehen në shtëpitë e tyre, për të verifikuar festën kombëtare të radhës.
Tha kështu dhe tundte kokën e habitur me natyrën njerëzore.
(Shënim: Titulli dhe nëntitujt janë redaksionalë!)
dy.b/shqiptarja.com