Një derë e madhe drejt skenës ndërkombëtare të dizajnit është hapur për Shqipërinë. Për herë të parë, Salone del Mobile. Milano prezantohet zyrtarisht në Tiranë, duke sjellë një mundësi konkrete për arkitektët dhe dizajnerët e rinj shqiptarë, që të bëhen pjesë e eventit më të rëndësishëm global të sektorit.
Në qendër të vëmendjes ishte platforma SaloneSatellite, hapësira që prej vitit 1998 promovon dizajnerë nën 35 vjeç nga e gjithë bota, një trampolinë ndërkombëtare ku janë prezantuar mbi 16 mijë të rinj.
“Është hera e parë që Shqipëria përfshihet në këtë sallon. Shpresojmë që këtë vit apo vitin tjetër të shohim të rinj shqiptarë pjesë të SaloneSatellite.”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
“Dizajni flet për të ardhmen. Është transformimi i një ideje në një projekt konkret. Dhe e ardhmja u përket të rinjve.”, tha Marco Alberti, ambasador i Italisë në Shqipëri.
Për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, “Italian Design Day 2026”, solli në Tiranë dy nga figurat kyçe të sistemit italian të dizajnit: Marva Griffin, themeluese dhe drejtore e SaloneSatellite, e cila ndau përvojën e saj ndërkombëtare dhe rolin e SaloneSatellite, platformës së krijuar për të promovuar talentet e reja në botën e dizajnit dhe Alessandro Rossi, i cili prezantoi risitë e edicionit 2026, përfshirë lançimin e Pavijonit Contract, zgjerimin e sektorëve si EuroCucina dhe International Bathroom Exhibition, si dhe hapësirën e re kushtuar Collectible Design.
“Salone është më shumë se një panair. Është një ngjarje globale me mbi 300 mijë vizitorë çdo vit. SaloneSatellite u krijua për t’u dhënë zë talenteve të rinj dhe për t’i bërë ata të dukshëm në botë.”, tha Griffin.
“Jemi një platformë që lidh kërkesën me ofertën. Salloni mbetet lider botëror sepse krijon takime reale mes kompanive, arkitektëve dhe profesionistëve.”, tha Alessandro Rossi.
Edicioni 2026 i Salone del Mobile.Milano do të mbahet nga 21 deri më 26 prill në Milano, me rreth 1,900 ekspozues nga mbi 30 vende dhe 169 mijë metra katrorë hapësirë ekspozimi. Risi këtë vit është “Pavijoni Contract”, si dhe hapësira të dedikuara për kuzhinën, banjën dhe “collectible design”.
“Kemi qenë te për të emocionuar sepse sot patëm mes nesh një nga ikonat e dizajnit botëror dhe bashkëkohor. Kur them dizajn, është i lidhur jo vetëm me arkitekturën dhe me dizajnin e produkteve, por me të gjitha sferat e artit, qoftë instalativ dhe artit bashkëkohor, por dhe të dizajnit. Është hera e parë që Shqipëria ftohet në mjedisin internacional të dizajnit të produkteve dhe është një mundësi e mirë për të gjithë mjedisin e studentëve dhe arkitektëve të rinj, të cilët mund të shfaqin kreativitetin e tyre dhe produktet e tyre në mjedisin ndërkombëtar dhe bashkëkohor. Mendoj që sot është hapi i parë drejt një rruge e cila mund të konsiderohet si si një mundësi fatlume për të gjithë të gjithë ata të cilët janë interesuar.”, tha Matilda Pando, arkitekte dhe kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë.
Për studentët e arkitekturës dhe dizajnit në Shqipëri, kjo është më shumë se një prezantim. Është një ftesë për të hyrë në rrjetin global të kreativitetit. Nga Tirana në Milano, ky është një hap i parë drejt një skene ndërkombëtare ku idetë marrin formë dhe talenti bëhet i dukshëm.
Komente










