KONFERENCA pas Samitit, Rama: Nga sot, studentët tanë mund të studiojnë nga vendi i tyre në universitete europiane! Michel: Ngjarje historike! Patëm progres konkret

TIRANË- Samiti i BE-Ballkani Perëndimor është mbyllur me një konferencë të përbashkët nga mediat nga kryeministri Edi Rama dhe liderët Europian Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen. Liderët Europian ranë dakord për sfidat e përbashkëta që kanë vendet, duke nisur që nga lufta në Ukrainë dhe ndikimet që ka sjellë në Europë, si edhe emigracionit.

Mes përgëzimeve për organizimin që i cilësoi si mbreslënëve, Michel e cilësoi si një ngjarje historike fakti që ky samit po mbahej në Tiranë. Kjo sepse është hera e parë që ky samit po mbahet në një vend në Ballkanin Perëndimor, kjo jo rastësisht. Michel tha se ky është një mesazh që BE-ja i “ka sytë” nga Ballkani Perëndimor.

Emigracioni është një nga sfidat e mëdha që i përket të gjithëve. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen vë theksin në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbështetjen e BE-së.

“Për mua është e rëndësishme që të përçojmë mesazhin që edhe këtu mund të mbështeteni te. Kjo është sfidë e përbashkët dhe ta përballojmë së bashku”, tha Von der Leyen.

Pikërisht për këtë frenuar këtë fenomen, speficikisht largimin e të rinjve nga atdheu i tyre, liderët Europian kanë nënshkruar marrëveshjen e cila mundëson që universitete e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kështu Shqipërinë, të anëtarësohen në Aleancën e Universiteteve Europiane. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, pasi është hera e parë që në këtë aleancë anëtarësohen vende që nuk janë pjesë e BE-së. Ajo mundëson që çdo student mund të studiojë në universitetet europiane, duke mos u larguar nga vendi i tij i origjinës. Një marrëveshje e tillë u cilësua nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit i pyetur edhe nga gazetarët, u ndal edhe në procesin e integrimit të Shqipëris në BE, ku kësaj here nuk pati akuza në drejtim të Unionit, por tha se gjithçka varet në “detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjë Shqipëria’.

“Na duhet të kemi instrumentet e procesit të anëtarësimit për tu forcuar për të forcuar institucionet tona për të arritur një shtet funksional në nivelin e BE-së. Ka të bëjë me detyrat e shtëpisë dhe jo me ardhjen me vrap. Por BE po krijon mekanizma mbështetje që të na sjelli më parë pa pritur që të jemi anëtar”, tha Rama.

Në përfundim të Samitit, u publikua edhe një deklaratë e përbashkët, me 32 pikat që është rënë dakord nga emigracioni, te arsimi, lufta në Ukrainë dhe bashkëpunimi ekonomik. (LEXO KËTU 32 pikat që u dakordësuan)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:19
Vuçiç s’firmos marrëveshjen për sanksionet ndaj Rusisë? Mediat serbe: Presidenti do pyesë popullin, qeverinë dhe parlamentin tonë për vendimin

1670343384_Screenshot1.jpg

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk ka firmosur marrëveshjen për sanksionet ndaj Rusisë në samitin e BE-Ballkanit Perëndimor i cili u zhvillua në Tiranë sot.

Sipas mediave serbe, Vuçiç ka thënë se qëndrimi i Serbisë kundrejt sanksioneve të Rusisë është çështje respekti. Më tej, Vuçiç shton se për këtë vendim do pyetet populli, qeveria dhe parlamenti i Serbisë për të qenë kështu ata që do të vendosin për të ardhmen e Beogradit.

“Nuk kemi asgjë kundër që ata të shkruajnë faktet se ne nuk jemi dakord me sanksionet. Është fakt. Nuk mund t'ju them të gjitha detajet. Unë thashë se qëndrimi ndaj sanksioneve është qëndrim ndaj nesh serbëve dhe qytetarëve të Serbisë. Rusia vendosi sanksione në vitin 1992, ne jo. Është një çështje respekti për ne dhe për atë që kemi kaluar, nëntë vite që kemi vuajtur sanksionet ndaj të cilave u ekspozuam dhe duke parë se çfarë i sjellin popullit dhe nuk është e natyrshme që ne të marrim pjesë në këtë. Marrëdhëniet tona janë të ndryshme për çështjen e integritetit territorial ose për çështjen e infrastrukturës energjetike në Ukrainë, siç u shkatërrua në Serbi, ky qëndrim është pak më ndryshe. Ne kemi qëndrimin tonë, por e kemi kuptuar mirë vendimin e BE-së dhe kujt i referohet. E kuptova shumë mirë edhe diskutimin e tetë anëtarëve. Ne ju pyetëm drejtpërdrejt dhe ju u përgjigjët drejtpërdrejt. Do të pyes popullin dhe parlamentin në Serbi dhe Qeverinë e Serbisë dhe pak veten. Unë besoj fuqishëm se ne vendosim për të ardhmen tonë, e jo dikush tjetër”- tha Vuçiç.

Ora 19:29
Samiti i BE në Tiranë, kryeministri i Kroacisë: Serbia nuk mund të ulet në dy karrige

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç është shprehur se është koha e fundit që Serbia, nëse do që t’i bashkohet Bashkimit Evropian, t’i harmonizojë politikat e veta me ato të Bashkimit Evropian.

Ai u shpreh se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige dhe se nuk po luan një rol pozitiv në rajon, duke qenë se nuk i ka vënë as Rusisë sanksione.

'Tani s’është koha të ulet në dy karrige. Nëse Serbia në të vërtetë ka ambicie dhe është e përkushtuar t’i bashkohet BE-së, është koha që të rreshtojë pozicionin e vet krah politikës së jashtme po ashtu. Deklarata e Plenkoviç u bë në hyrje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë', u shpreh Plenkoviç.

Ora 19:20
Samiti i BE në Tiranë, Presidenti i KiE: E ardhmja e fëmijëve tanë do jetë më e begatë me Ballkanin në BE

1670339090_Screenshot3.png

Presidenti i KiE Charles Michel ka reaguar edhe përmes një postimi në Twitter se e ardhmja është më e sigurt dhe e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së.

“Samiti dhe deklarata e sotme janë piketa të rëndësishme: ato mbartin angazhime konkrete dhe hapa shtesë drejt integrimit. Unë besoj thellësisht se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me #Ballkanin Perëndimor brenda BE-së.”- shkroi Michel.

Ora 18:07
Meloni: Italia mbështet Ballkanin Perëndimor në integrimin në BE! Fola me Vuçiç për çështjen e Kosovës

 

Në një intervistë për mediat, në përfundim të Samitit të BE-Ballkani Perëndimor, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është shprehur se Italia do të jetë gjithmonë një mbështetje për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Për italinë, Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Tregon bashkëpunimin që Italia ka me këto vende.

Kam folur eshte për çështjen e Kosovës, kam folur edhe më presidentin serb. Ballkani perëndimor është edhe një çështje për sigurinë e Bashkimit Europian. Nuk kam parë kundërshti të mëdha për integrimin e Shqipërisë në BE. Integrimi i Ballkanit perëndimor është çështje strategjike”, tha Meloni.

Ora 16:41
Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE? Rama: Ka të bëjë me detyrat e shtëpisë, por BE po krijon mekanizmat e mbështetjes

 

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp pas samitit të BE-Ballkani Perëndimor u pyet edhe në lidhje me me kohën se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE. Kjo tha kryeministri Edi Rama ka të bëjë me detyrat e shtëpisë.

‘Do thoja që është e padrejtë që ta thuash këtë. Përparimi që është bërë, pa asnjë dyshim edhe për shkak të luftës është një përshpejtues si jashtëzakonshëm. Nuk ishte 10 vite më parë. Ju them se kur vjen fjala për anëtarësimin duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe ua thashë dhe ua them të gjithëve dhe nuk kam ndryshuar mendim para kur kisha debatet e mia me disa prej miqve dhe udhëheqësve të BE-së. Na duhet të kemi instrumentet e procesit të anëtarësimit për tu forcuar për të forcuar institucionet tona për të arritur një shtet funksional në nivelin e BE-së. Ka të bëjë me detyrat e shtëpisë dhe jo me ardhjen me vrap. Por BE po krijon mekanizma mbështetje që të na sjelli më parë pa pritur që të jemi anëtar. 30 vite më parë nuk do të kishim hyrë në aleancën e universiteteve. Ndërkohë që bëjmë detyrat e shtëpisë duhet edhe të mbështetemi e të jemi gjithnjë e më pranë. Marrëveshja e Roaming nuk do të ishte bërë. Falë dy presidentëve gjërat po ndryshojnë. Është lindja e një komisioni gjeopolitik, për herë të parë Ballkani shihet e trajtohet si një rajon gjeostrategjik. Ne duhet të bëjmë përparime.’- tha Rama.

Ora 16:34
Samiti/ Michel: Tirana vendi i duhur! Organizim mbresëlënës! Sinjal i qartë që i jepet Ballkanit Perëndimor nga BE

 

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka treguar arsyet se përse u zgjodh Tirana që të zhvillohej Samiti i BE-së.

“Tirana ishte vendi i duhur, ishte mbresëlënëse si u bë e gjithë kjo gjë në kaq pak kohë një gjë kaq të madhe, nuk është kaq e e lehtë, ne kemi përvoja të ndryshme, kemi një sinjal shumë të qartë që ia përcojmë ballkanit perëndimor, se ideja është që ne jo vetëm nuk mund të flasim me udhëheqësit e vendeve tua, por t’i dërgojmë mesazhe  të qarta”, tha Michel.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh se jo më kot u zgjodh Tirana, sepse është vendi më proeuropian.

“Është vendi më proeuropian, bazuar në barometrin europian. Sepse Tirana është kaq e bukur, nëse Rutte i tha shtypit holandez kjo është aventura më emocionuese për Europën”, tha Rama.

Ora 16:28
Von der Leyen: Sfida e emigracionit është e përbashkët, do ta përballojmë së bashku

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në konferencën për mediat foli edhe sfidën e emigracionit. Ai tha se BE dhe Ballkani do të përballojnë së bashku.

“Të gjitha temat që janë të rëndësishme për qytetarët dhe që theksojnë rëndësinë e këtij samite që arritëm të përshpejtohen edhe më tej. Një çështje tjetër ka qenë migracioni. Bëhet fjalë për menaxhim të përbashkët të situatës. Për mua është e rëndësishme që të përçojmë mesazhin që edhe këtu mund të mbështeteni te. Kjo është sfidë e përbashkët dhe ta përballojmë së bashku.  Së fundmi dua të nënvizoj edhe çështjet e rinisë. Ju me keni thënë që në këtë rajon të kishte më shumë shanse për të rinjtë. Nismën e universiteteve evropiane që studentët e Ballkanit Perëndimor do të mund të studiojnë jo vetëm fizikisht por edhe në formë virtuale. Faleminderit që ju e nisët”, tha Von Der Leyen.

Ora 16:26
Von der Leyen përgëzon Ramën për samitin: Jeni një mikpritës i shkëlqyer! KE jep 1 miliard euro për energjinë dhe ndihmë për familjet

Presidentja e Këshillit të Evropës Ursula von der Leyen në fjalën e saj pas samitit në Tiranë, tha se BE ka dhëne një pakete prej 1 miliardë euro për infrastrukturën dhe për energjinë. Von der Leyen nuk la pa komplimentuar kryeministrin Edi Rama për mbajtjen e samtit.

‘Ju jeni një mikpritës i shkëlqyer, ishte fantastike! Faleminderit shumë për fjalët tuaja. Më lejoni tju them që mbështetja jonë për rajonin vjen vërtetë nga zemra. Më vjen mirë që do të bashkëpunojmë se bashku. Faleminderit shumë për këtë samit të mrekullueshëm fantastik. Ishte një samit partneriteti me biseda të thella, të qarta të drejtpërdrejta dhe të sinqerta. Një temë madhore është se ne dëshirojmë të përballemi me sfidat nga kjo luftë e tmerrshme. KE jep 1 miliard euro në grante si mbështetje të menjëhershme financiare. Ne përballemi me këtë sfidë së bashku, ku reflektojmë çdo gjë që bëjmë në BE në Ballkanin Perëndimor. Paketa për sektorin e energjisë është e ndarë në dy pjesë. 500 mln euro për buxhetin, ndihmë për familje, 500 mln euro të tjera janë mbështetje për infrastrukturën për energjinë e së ardhmes”- tha Von der Leyen.

Ora 16:19
Rama lajme të mira për studentët: Studime në universitetet më të mira të Evropës,  në Tiranë Kampus i Kolegjit të Bruzhit

 

Kryeministri Rama dha një lajm shumë të mirë për të rinjtë për disa projekte që janë diskutuar në Samitin e Tiranës.

“Studentët dhe të rinjtë kanë një lajm të shkëlqyer. Jo vetëm universitete do të jenë në gjendje të angazhohen me Erazmus Plus por me aleancën e arsimit të lartë në Evropë. Në një moment kur të jenë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, studentët tanë mund të studiojnë prej këtej në universitetet e Evropës në mënyrë digjitale. Kjo ishte diçka që deri më sot ishte e mundur vetëm po të ishe anëtar. Edhe ‘rrugët e gjelbra’ me Kroacinë apo me vend tjetër është gjë e re.  Tjetër gjë fantastike që diskutuam dhe morëm mbështetjen plotë të udhëheqësve për të pasur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Evropës në Bruzh. Një universitet me reputacion mjaft të lartë. Është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë. Jo më pak është marrëveshja për Roaming, Qytetarët tanë do të kenë tarifa më të ulëta”, tha Rama.

Ora 16:19
Batuta e Ramës: Dëgjoja nga liderët Europian, ‘dielli, dielli’, e sollëm për ta, ça mund të bënim më shumë

 

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat në konferencën e tij për mediat me liderët Euopian.

“Kur isha në foton e grupit dhe po dëgjoja shumë prej tyre “dielli, dielli, dielli i mrekullueshëm”, ia dolëm pas 10 ditësh moti Brukseli, të sjellim diellin për ta, kështu që ca mund të bëjmë më shumë”, tha Rama.

Ora 16:15
Rama pas samitit: BE është këtu për ne! Ky takim është një gur themeli për rrugëtimin tonë drejt Evropës

Pas mbarimit të samitit të BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp tha se zhvillimi samitit në vendin tonë është një mesazh për shqiptarët se BE është këtu me ne. kreu i qeverisë tha se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor.

‘Është në nder të gazetarëve të huaj të flas në anglisht, dua të falënderoj Charles Michel, presidentin e KiE, mikun e dashur, një mik i vërtetë i angazhuar ndaj rajonit pasi e kam parë të luftojë për rajonin. Për këtë dua të falenderoj edhe Ursulën një luftëtare  e mirënjohur në Rajon. Thënë kjo do doja të theksoja përmasën historike të këtij samiti. Është hera e parë kur BE del nga kufijtë e BE-së për të mbajtur një samit dhe kjo ndodh në Ballkanin Perëndimor, është shenjë e jashtëzakonshme e një vetëdijesimi se sa ka nevojë BE për Ballkanin Perëndimor. E shoh rolin e Shqipërisë në rajon si një faktor i paqes, prosperitetet dhe bashkëpunimit. Është momenti që të gjithë njerëzve në rajon, e sidomos popullit shqiptar që tu përçohet mesazhi që BE është këtu për ne. BE  e ka thënë se shqiptarët janë populli me pro BE në Europë. Vijmë nga ferri i vërtetë i izolimit dhe i pamundësisë totale për tu lidhur me Europën, por kurrë nuk kemi hequr dorë nga kjo besimi tek BE. Ky është një takim është një hap, nuk është fundi i rrugëtimit tonë drejt BE-së, por është një gur themeli që tregon jo vetëm nëpërmjet pranisë, por edhe fakteve të tjera.’- tha Rama.

Ora 16:11
Samiti/ Presidenti i Këshillit Europian: Ngjarje historike! Pati progres konkret

 

Mes falënderimeve për kryeministrin Edi Rama, si organizator, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel  e cilësoi këtë si një mbledhje historike për faktin se për herë të parë është mbajtur në një vend të Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij në konferencë, Charles Michel tha se pasur progres konkret në bashkëpunimin mbi pasojat e luftës apo edhe fusha të tjera.

“Kjo është një mbledhje historike që shkruam historinë se u organizua për herë të parë në rajonin e Ballkanin Perëndimor. Kjo mbledhje është deklarata që shoqëron punimet tuaja sepse përmban, kam pak emocion që jam në këtë tribunë, ka pritshmëri që reforma në drejtë, lufta nga korrupsioni të avancojë, BE duhet të përforcojë kapacitetin për të përforcuar tregun e përbashkët, Roaming është një hap përpara dhe do bëj të mundur që vitin e ardhshëm të zvogëlojmë shpenzimet e roaming që është vërtetim i angazhim konkret dhe zhvillim turistik, ka pasur progres konkrete për të përballuar pasojat e luftës, ka pasur pasoja të rënda në energji, ekonomi. Dua të them dhe disa fjalë për emigracionin, është një temë sfiduese, rritja e shifrave dhe ky bashkëpunim është konkret, dua të shpreh mirënjohjen se patën progres në politikën e vizave, duhet të merren vendime shtesë dhe të bëjmë progres të mëtejshëm. Është një mbledhje e rëndësishme, dua të falënderoj Ramën dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, se pati respekt e besim. Kriza e COVID nga tronditi të gjithëve. Besoj se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurtë dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE.  A duam që parimet demokratike të jenë baza është zgjedhja jonë, duhet të punojmë që të punojmë për një BE të qëndrueshme”, tha Charles Michel.

Ora 16:03
Mbyllet samiti i BE-Ballkani Perëndimor, pritet konferenca për shtyp e Ramës, Von der Leyen dhe Charles Michel

Është mbyllur samiti i BE-Ballkani Perëndimor i mbajtur në Tiranë. Ndërkohë që tashmë pritet një konferencë e përbashkët ndërmjet kryeministrit Edi Rama, presidentes së KE-së dhe presidentit të KiE-së Charles Michel.

Ora 16:00
Mbyllet Samiti/ 32 pikat që u ranë sot dakord, nga emigracioni, te arsimi, lufta në Ukrainë dhe bashkëpunimi ekonomik

TIRANË- Energjia, lufta në Ukrainë, arsimi dhe mbështetje ekonomike, kanë qenë kryefjalë e samitit të mbajtur këtë të martë të 6 dhjetorit në Tiranë.

Lufta në Ukrainë ka sjellë pasoja të rënda në energji, e për këtë arsye liderët europian kanë hartuar një paketë me një vlerë prej 1 miliardë euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime, do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon. Kjo paketë përmban përmban masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për t’u dhënë ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në Ballkanin Perëndimor. Nga të cilat, 500 milionë euro në formë grantesh do të shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.

Një fokus të veçantë ka pasur edhe emigracioni, për të cilët liderët europian kanë ndarë të njëjtin mendim se kjo është një sfidë e përbashkët. Për këtë arsye është rënë dakord për një paketë që synon forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro. Nga ana tjetër, një paketë e dytë me vlerë 30 milionë euro do të vihet në funksion që ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale. Theksi është vënë edhe në politikën e kthimit të emigrantëve të paligjshëm në vendin e origjinës.

“Bashkëpunimi i ndërsjellë për kthimet do të thellohet, duke maksimizuar përdorimin e kornizave ekzistuese dhe të kanaleve të disponueshme. Në këtë drejtim, BE-ja qëndron e gatshme ta mbështetë Ballkanin Perëndimor për të rritur kthimet vullnetare dhe jovullnetare, duke përfshirë edhe ato drejtpërdrejt nga rajoni drejt vendeve të origjinës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Pikërisht për këtë frenuar këtë fenomen, speficikisht largimin e të rinjve nga atdheu i tyre, liderët Europian kanë nënshkruar marrëveshjen e cila mundëson që universitete e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kështu Shqipërinë, të anëtarësohen në Aleancën e Universiteteve Europiane. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, pasi është hera e parë që në këtë aleancë anëtarësohen vende që nuk janë pjesë e BE-së. Ajo mundëson që çdo student mund të studiojë në universitetet europiane, duke mos u larguar nga vendi i tij i origjinës.

“Nisma e Universiteteve Evropiane hap mundësinë që institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor të marrin pjesë në aleanca ambicioze ndërkombëtare dhe të zhvillojnë bashkëpunim afatgjatë strukturor dhe strategjik. Garancia për Rininë e vënë në veprim në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në uljen e rrjedhjes së trurit që po përjeton rajoni, vijon deklarata.

Nisur nga fakti që Shqipëria, por edhe vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë rënë së fundmi pre  e sulmeve kibernetike, në këtë Samit është rënë dakord që duke filluar nga 2023 BE do të japë një mbështetje konkrete për të parandaluar këto sulme. Në fund, vihet theksi që vendet duhet të bëjnë më shumë përpjekje për zbatimin e reformave dhe ruajtjen e stabilitetin rajonal.

Deklarata e plotë
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve të tij Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, sot mbajtëm këtë Samit për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe dolëm në përfundimet e mëposhtme:

1. Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

2. BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët. BE-ja përshëndet progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor 2021. Në veçanti, BE-ja përshëndet mbajtjen e Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

3. BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë ndarjen e pushteteve. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërësit vendimtarë të çdo sistemi demokratik dhe ne përshëndetim dhe mbështetim rolin që ato luajnë në Ballkanin Perëndimor.

4. Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi reciproke dhe vlera të përbashkëta. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me Partnerët, ne i nxitim ata të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS) dhe të veprojnë në përputhje me të, duke përfshirë edhe me masat kufizuese të BE-së. Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të  ndjekin shembullin e tyre.

5. BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor si dhe partneri tregtar dhe donatori parësor i rajonit. Shkalla dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga Partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të munden të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në.

6. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat.

7. BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

8. BE-ja vazhdon të mbështetë plotësisht angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal përfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.

9. Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy Palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

10. Ne përshëndetim takimin e parë të suksesshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt më 6 tetor 2022 në Pragë. Takimi ofroi një platformë për koordinim politik dhe një mundësi për shkëmbime të thelluara për çështje urgjente që kanë të bëjnë me të gjithë kontinentin. Presim me padurim takimin tjetër që do të mbahet në Republikën e Moldavisë në gjysmën e parë të vitit 2023. Trajtimi i përbashkët i ndikimit negativ të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndërtimi i një themeli të fortë ekonomik për të ardhmen

11. Rusia është përgjegjësja e vetme për krizën aktuale energjetike dhe ekonomike. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e pasojave negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.

12. Paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliardë euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime, do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon. Paketa financohet nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) dhe përmban masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për t’u dhënë ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në Ballkanin Perëndimor. 500 milionë euro në formë grantesh do të shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.

13. Ne kujtojmë vendimin tonë për të hapur blerjet e përbashkëta të gazit, GNL-së dhe hidrogjenit për Ballkanin Perëndimor, bëjmë thirrje për vënien e shpejtë në funksion të kësaj platforme dhe inkurajojmë partnerët që ta përdorin këtë mundësi. Plani REPoëer i BE-së do të ndihmojë për të ulur varësinë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga gazi rus. Nëpërmjet Komunitetit të Energjisë, BE-ja po hap tregun e saj të energjisë elektrike për Ballkanin Perëndimor, edhe në sektorin e energjive së rinovueshme, duke iu nënshtruar reformave rregullatore.

14. Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, duke përfshirë edhe mbështetjen e mëtejshme për lidhshmërinë, tranzicionin e energjisë dhe diversifikimin e furnizimeve me energji. PEI-ja parashikon një paketë ambicioze investimi, duke mobilizuar afërsisht 30 miliardë euro për rajonin, të përbëra nga 9 miliardë euro financim me grante nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime, të mobilizuara nga Instrumenti i ri i Garancisë së Ballkanit Perëndimor. Në kuadrin e Planit, në gjysmën e parë të vitit 2022 u miratua zbatimi i një totali prej 1,4 miliardë euro në grante investimi nën Kuadrin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) për të financuar 28 projekte parësore investimi me një vlerë totale prej 4,5 miliardë euro. Sapo është miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja me vlerë investimi prej 1,2 miliardë euro, për të financuar 12 projekte investimesh, ndërkohë që projektet e miratuara po hyjnë në fazën e zbatimit. Gjatë vitit të kaluar, puna vazhdoi në të gjitha projektet e investimeve të lidhshmërisë të miratuara nën agjendën e lidhshmërisë, me disa projekte që po i afrohen përfundimit, në veçanti korridori hekurudhor Orient-Lindje-Mesdhe, Korridori rrugor Vc dhe dy urat ndërkufitare, Svilaj dhe Gradiška. Në këtë kontekst, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të rritin sundimin e ligjit dhe të ndërmarrin me vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta për dialogun ekonomik dhe financiar.

15. Përveç kësaj, BE-ja është e gatshme të mbështetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e angazhimit të tyre për të zbatuar plotësisht Agjendën e Gjelbër për rajonin, ku përfshihen angazhimet e tyre në fushën e klimës në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit, si një shtytës kryesor për tranzicionin drejt ekonomive moderne, neutrale ndaj klimës dhe rezistente ndaj klimës dhe me efikasitet të burimeve, gjë që synon të çlirojë potencialin e ekonomisë qarkulluese, të luftojë ndotjen, të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër në rajon. BE-ja do të vazhdojë gjithashtu të mbështetë rajonin në zhvillimin e politikës së çmimit të karbonit në kontekstin e Mekanizmit të BE-së për Rregullimin e Kufirit të Karbonit (CBAM), ku përfshihet asistenca teknike dhe financiare. Projekti “EU 4 Green” është instrument i rëndësishëm për të ndihmuar partnerët në përpjekjet e tyre zbatuese.

16. Që nga fillimi, partnerët e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë gjithashtu në Mekanizmin Evropian të Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Krizave të Sigurisë Ushqimore për të përmirësuar sigurinë ushqimore. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për sektorin e bujqësisë , përkatësisht në kuadrin e IPA III dhe të Instrumentit të Asistencës së ParaAnëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD III). Për këtë të fundit, në fillim të këtij viti u miratua kontributi i BE-së prej 560 milionë euro për periudhën e ardhshme shtatë vjeçare. Intensifikimi i angazhimit politik dhe të politikave

17. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të përshpejtojnë dhe thellojnë angazhimin tonë politik dhe të politikave, duke përfshirë ndër të tjera mbajtjen e Samiteve të rregullta BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrjen e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor në veprimtaritë dhe takimet e nivelit të lartë të BE-së dhe dialogët e rregullt në kuadrin e PPJS-së. Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar tashmë të japin mendime në mbledhjet e Këshillit të Punëve të Jashtme dhe më pas të marrin një përmbledhje nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian. Ky angazhim i rritur pasqyron përkushtimin e BE-së për rajonin.

18. BE-ja do të thellojë më tej bashkëpunimin ndërsektorial me Ballkanin Perëndimor në fusha me interes të përbashkët si drejtësia dhe punët e brendshme, ekonomia dhe tregu i brendshëm i BE-së, energjia, transporti dhe politika digjitale, mbrojtja civile, shëndetësia, politikat sociale, arsimi dhe kërkimi dhe inovacioni si dhe politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja, duke përfshirë trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimet e tjera hibride dhe kundër-terrorizmin.

19. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kujtojnë angazhimin e përbashkët në shtimin e përpjekjeve për të rritur integrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun e brendshëm të BE-së. Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) i Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë si pikëmbështetjeje për këtë integrim. BE-ja përgëzon marrëveshjet e fundit të partnerëve për lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit si dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit. Këto marrëveshje janë etapa të rëndësishme në përmbushjen e angazhimit të partnerëve për të krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal. BE-ja inkurajon partnerët e Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë me shpejtësi këto marrëveshje në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë prej tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Nevojiten përpjekje të mëtejshme vendimtare nga të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që Tregu i Përbashkët Rajonal të bëhet realitet, sidomos sa i takon miratimit të një numri vendimesh për nismat që lidhen me tregtinë, për të cilat tashmë është rënë dakord në nivel teknik në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Ky bashkëpunim rajonal përfshirës i bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së do të stimulonte gjithashtu tregtinë ndër-rajonale dhe do të tërhiqte investimet.

20. BE-ja përshëndet punën e të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor drejt modernizimit të sistemeve të tyre të pagesave për t’i sjellë ata më afër standardeve të BE-së dhe për plotësimin e kushteve për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.

21. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e Partnerëve për të vazhduar punën e tyre për zbatimin e agjendës së Ballkanit Perëndimor për inovacionin, kërkimin, arsimin, kulturën, rininë dhe sportet dhe tashmë po i bashkon gradualisht Partnerët me programet e BE-së si Erasmus+, Korpusi Evropian i Solidaritetit dhe Nisma e Universiteteve Evropiane me synimin për të krijuar mundësi të mëtejshme për të rinjtë. Nisma e Universiteteve Evropiane hap mundësinë që institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor të marrin pjesë në aleanca ambicioze ndërkombëtare dhe të zhvillojnë bashkëpunim afatgjatë strukturor dhe strategjik. Garancia për Rininë e vënë në veprim në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në uljen e rrjedhjes së trurit që po përjeton rajoni.

22. Në fushën digjitale, duke u mbështetur në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Udhërrëfyesit Rajonal “Roam like at Home” që prej korrikut 2021, për eliminimin e kostove të roaming-ut brenda rajonit, ne përshëndetim deklaratën e përbashkët të sotme të operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor e cila që do të bëjë të mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas. Është gjithashtu për t’u përgëzuar që Partnerët kanë nënshkruar Deklaratën për të Ardhmen e Internetit dhe janë plotësisht të asociuar me punën e Organit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike.

23. Ne përshëndesim gjithashtu progresin në zbatimin e Korsive të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor dhe bëjmë thirrje për zbatimin e tyre në të gjithë kufijtë përkatës, duke respektuar ndërkaq acquis-në dhe procedurat e BE-së. Përveç kësaj ne përshëndetim ngritjen e nismës “Korsitë Blu” që do të përmirësojë lidhjet tregtare midis porteve të Adriatikut. Këto nisma kontribuojnë në menaxhimin më të mirë të kufijve, uljen e kohës së pritjes për pasagjerët dhe mallrat dhe për rrjedhojë mbështetin aktivitetin ekonomik. Ato janë një demonstrim tejet publik se çfarë mund të sjellë bashkëpunimi midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe Shteteve të tij Anëtare. Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës ndaj ndërhyrjeve të huaja

24. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë të përbashkëta një numër sfidash të sigurisë që kërkojnë veprime të bashkërenduara, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të forcojnë më tej bashkëpunimin për çështjet thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes, edhe në nivel operacional. Në këtë drejtim, ne mirëpresim faktin që Partnerët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM), duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave. BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet mbrojtëse të tij, edhe nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes. BE-ja përshëndet angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve për zhvillimin e instrumenteve efektive për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. BE-ja do të rritë më tej angazhimin e saj edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake.

25. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të angazhuar të luftojnë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që janë të pranishme në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të minojnë stabilitetin e rajonit, proceset demokratike dhe perspektivën e tij evropiane. Në këtë pikëpamje, ne do të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë për të ngritur qëndresën, duke rritur gjithashtu profesionalizmin dhe edukimin e medieve dhe duke rritur ndikimin e komunikimit tonë strategjik rreth marrëdhënieve BE - Ballkani Perëndimor dhe procesit të zgjerimit në veçanti.

26. Duke qenë se kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij, ne do të punojmë së bashku për të rritur sigurinë tonë kolektive kibernetike. Sulmet e fundit kibernetike në shkallë të gjerë tregojnë nevojën për angazhim të zgjeruar, duke u mbështetur në programet ekzistuese dhe në bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe me Qendrën Evropiane të Kompetencës Kibernetike, të kombinuara me nismat dypalëshe të Shteteve Anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë. Në kuadrin e projektit për Reagimin e Shpejtë në fushën e Sigurisë Kibernetike, veprimi i BE-së po përqendrohet në rritjen e qëndresës kibernetike dhe të gatishmërisë ndaj incidenteve kibernetike të partnerëve që kanë qenë objektiv i sulmeve të fundit, duke dhënë mbështetje kibernetike më afatgjatë të BE-së në mbarë rajonin duke filluar nga viti 2023. BE-ja është e gatshme të rritë mbështetjen e saj për qëndresën ndaj sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe të intensifikojë bashkëpunimin në nivel rajonal dhe me partnerët ndërkombëtarë. Migracioni i parregullt, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar

27. Rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022. Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III.

28. Teksa përgëzojmë partnerët tanë për përpjekjet e tyre dhe bashkëpunimin konstruktiv deri më sot, kërkohen përpjekje të qëndrueshme dhe të zgjeruara për të trajtuar migracionin e parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë luftën kundër kontrabandimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. BE-ja mbetet e angazhuar të mbështetë rajonin, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Në këtë drejtim, ajo synon të rrisë ndjeshëm fondet për Ballkanin Perëndimor për vitet e ardhshme në kuadrin e IPA III. Në dritën e trysninë së shtuar migratore në rajon, mbështetja e fortë financiare e BE-së përmes programeve të posaçme do t’u mundësojë partnerëve të forcojnë sistemet e azilit dhe të pritjes, të rritin mbrojtjen e kufirit, të luftojnë rrjetet e kontrabandës dhe grupet e krimit të organizuar dhe të shtojnë kthimet nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës. Në këtë perspektivë, BE-ja ka miratuar një program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale, me vlerë 30 milionë euro.

29. Përafrimi i shpejtë i partnerëve me politikën e vizave të BE-së është i një rëndësie urgjente dhe kritike për mirëfunksionimin dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të regjimeve pa viza midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Partnerët duhet të vazhdojnë të rritin sistemet e tyre të kthimeve, edhe duke nënshkruar marrëveshje ripranimi me vendet kryesore të origjinës, dhe të forcojnë bashkëpunimin me shoqëritë ajrore përkatëse. Bashkëpunimi i ndërsjellë për kthimet do të thellohet, duke maksimizuar përdorimin e kornizave ekzistuese dhe të kanaleve të disponueshme. Në këtë drejtim, BE-ja qëndron e gatshme ta mbështetë Ballkanin Perëndimor për të rritur kthimet vullnetare dhe jovullnetare, duke përfshirë edhe ato drejtpërdrejt nga rajoni drejt vendeve të origjinës. Duhet gjithashtu të intensifikohet bashkëpunimi me Frontex-in, edhe nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të shpejtë të Marrëveshjeve Statusore të përditësuara, si dhe me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Azilin dhe me Europol-in.

30. Ne bëjmë thirrje që të forcohet më tej bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku përfshihet parandalimi i radikalizimit dhe financimit të terrorizmit, në pajtim me Planin e Përbashkët të Veprimit për Kundër-Terrorizmin për Ballkanin Perëndimor. Ne ritheksojmë rëndësinë e marrjes së veprimeve të vendosura për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, në veçanti pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin dhe trafikimin e drogës.

31. BE-ja është plotësisht e angazhuar të vazhdojë punën për parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe të trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe të municioneve të tyre, përgëzon udhërrëfyesin e posaçëm të Ballkanit Perëndimor në këtë aspekt dhe do të mbështetë më tej Ballkanin Perëndimor në këtë fushë. Udhërrëfyesi është i njohur në shkallë ndërkombëtare si shembull i praktikave të mira në fushën e bashkëpunimit rajonal për të rritur kontrollin e armëve të vogla.

32. BE-ja inkurajon Ballkanin Perëndimor të krijojë dhe mbajë marrëdhënie bashkëpunimi me Zyrën Evropiane të Prokurorëve Publikë (EPPO) në fushën e asistencës së ndërsjellë ligjore në çështjet penale. Mirëpresim marrëdhëniet e punës të krijuara tashmë ndërmjet EPPO-së dhe disa partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajojmë partnerët e tjerë për një bashkëpunim të ngjashëm sa më shpejt të jetë e mundur.

***

33. Mirëpresim bashkimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me pikat e mësipërme.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tani: 06/12/2022 17:54

    Meh… shume zhurme per asgje.

    Përgjigju
    • Injoranti ne BE: 06/12/2022 20:49

      Kot per kuriozitet cfar prisje me shume?!

  • flori: 06/12/2022 16:52

    bravo europes,,,por edhe edi rama e donte nje grusht sot.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë