Samiti i Vjenës, Rama në Kosovë
 për koordinim me Isa Mustafën 

Samiti i Vjenës, Rama në Kosovë<br /> për koordinim me Isa Mustafën 
PRISHTINË - Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë jo zyrtare në Kosovë. Ai është takuar me homologun e tij, Isa Mustafa dhe me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Drejtoria e Komunikimit pranë kryeministrit bën me dije se qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i qëndrimeve mes dy shteteve për pjesëmarrjen në Samitin e Vjenës si dhe koordinimi i projekteve të përbashkëta.

Në këtë vizitë të shpejtë Edi Rama është shoqëruar nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati, dhe tema e bisedimit ka qenë përgatitja për Samitin e Vjenës që mbahet në 27-29 gusht. Samiti i Vjenës është i dyti pas atij të Berlinit që mbahet me inicimin e kancelares gjermane Merkel.

Në Berlin u konsolidua bashkëpunimi ekonomik në parim mes 6 vendeve të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Vendet ranë dakord që me ndërmjetësimin e Gjermanisë do t’i drejtohen Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta rajonale ku do të kërkohen financime. Hapi i radhës qe takimi në Tiranë i 6 kryeministrave të rajonit, në tryezën “Tirana Talks” ku vendet ranë dakord për koordinimin e projekteve të përbashkëta.

Me këtë paketë qëndrimesh dhe projektesh vendet do të mblidhen në Vjenë ku do të parashtrojnë kërkesat për financime të projekteve përkatëse. Projekti kryesor është ai i autostradës  Adriatiko-Joniane. Autostrada është planifikuar të realizohet si një autostradë pa ndërprerje. Ajo fillon në Trieste (Itali) dhe kalon së pari përmes Sllovenisë për në Rijeka në Kroacia. Në afërsi të Dubrovnikut, autostrada Adriatiko-Joniane do të kalojë përmes Bosnja-Hercegovinës në Trebinje për në Montenegro.

Atje ajo do të vazhdojë përmes Podgoricës, për të kaluar në Shqipëria. Vendi ynë pritet të preket prej saj në të gjithë vijën bregdetare, pasi autostrada të kalojë në drejtim të Greqisë. Në Greqi ajo do të kalojë nga Janina dhe Patra dhe do ta ketë pikën fundore në Kallamata. Ky korridor shihet nga vende si Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria si një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor, e megjithatë deri në ditët e sotme nuk është mbështetur financiarisht nga BE.

Me ndihmën e Gjermanisë, mësohet se ky është projekti për të cilin Ballkani do të insistojë më shumë. Projekte të tjera kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën dhe transportin e hidrokarbureve. Po ashtu, linjat e interkonjeksionit të energjisë elektrike janë përcaktuar si prioritare nga vendet e Ballkanit, e po ashtu edhe linjat hekurudhore të transportit të qytetarëve dhe mallrave. BE pritet të shprehë qëndrimin e saj në Vjenë. 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës