Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilluan sot në Romë një samit me pjesëmarrjen e disa anëtarëve të qeverive përkatëse.

Meloni dhe Merz nënshkruan një Protokoll mbi planin e veprimit italo-gjerman për konkurrueshmërinë, që do të paraqitet në samitin e posaçëm të liderëve europianë, të thirrur me nismën e kancelarit gjerman më 12 shkurt.

«Evropa po mbetet prapa», është fjalia hapëse e planit dhe koha për të vepruar «është tani». Për këtë arsye, Italia dhe Gjermania, dy vendet kryesore prodhuese, kanë rënë dakord për «një axhendë të qartë dhe angazhime konkrete për të forcuar konkurrueshmërinë e Evropës, për të siguruar rritje, autonomi strategjike dhe më pak cenueshmëri ndaj goditjeve të jashtme».

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Villa Pamphili, kryeministrja theksoi afërsinë, «sot më shumë se kurrë», mes Italisë dhe Gjermanisë: «Një lajm i mirë për popujt tanë dhe për Evropën në tërësi». Meloni paralajmëroi se situata historike «veçanërisht» komplekse në të cilën ndodhemi «i imponon Evropës të zgjedhë nëse dëshiron të jetë protagoniste e fatit të saj apo ta pësojë atë» dhe kërkon «qartësi mendimi, përgjegjësi, guxim dhe inteligjencën e nevojshme për t’i kthyer krizat në mundësi».

«Nuk e di nëse 2026 do të jetë viti i Italisë dhe Gjermanisë – u shpreh me shaka kryeministrja, duke komentuar vlerësimet e disa analistëve – nuk e di nëse ky parashikim i përgjigjet realitetit, por synojmë të bëjmë pjesën tonë për të konsoliduar një miqësi strategjike jo vetëm për vendet tona, por për gjithë Evropën».

«Tranzicioni i gjelbër i ka gjunjëzuar ndërmarrjet tona»

«Me kancelarin Merz jemi dakord se nevojitet një ndryshim i vendosur kursi në Evropë për konkurrueshmërinë – shtoi kryeministrja – sepse një vizion i caktuar ideologjik i tranzicionit të gjelbër i ka gjunjëzuar ndërmarrjet tona pa ndikuar realisht në mbrojtjen e mjedisit. Ka hapësirë për të korrigjuar gabimet dhe për të shmangur rënien industriale, por kërkohet guxim».

«Më 12 shkurt në Bruksel do të paraqitemi me një non paper të përbashkët të fokusuar në disa përparësi që nuk mund të shtyhen – sqaroi kryeministrja –: thjeshtimi i burokracisë europiane, forcimi i tregut të përbashkët, rilançimi i industrisë automobilistike në frymën e neutralitetit teknologjik, një politikë tregtare ambicioze e bazuar në rregulla të përbashkëta dhe kushte të barabarta».

«I bashkohemi marrëveshjes europiane për eksportin e armatimeve»

«Sistemet tona prodhuese mund të japin një kontribut në ndërtimin e shtyllës europiane të Aleancës Atlantike, të cilën prej vitesh e kemi kërkuar pa hedhur hapa konkretë. Për këtë qëllim i kam komunikuar kancelarit Merz vendimin italian për t’iu bashkuar marrëveshjes shumëpalëshe që tashmë ekziston mes Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Britanisë së Madhe për eksportin e armatimeve», njoftoi Meloni.

«Për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme harmonia jonë ka qenë gjithmonë e fortë – shpjegoi Meloni – do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë si për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, ashtu edhe për të ndërtuar një kuadër të qëndrueshëm sigurie dhe prosperiteti në Lindjen e Mesme».

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse forcimi i marrëdhënieve italo-gjermane ka edhe një funksion mbrojtës ndaj qëndrimeve të Donald Trump ndaj Evropës, Meloni u shpreh: «Nuk do ta thosha. Vullneti ynë për të bashkëpunuar me SHBA-të mbetet i palëkundur; Italia dhe Gjermania janë ndër vendet europiane që kanë marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-të, edhe për faktin se në territorin e tyre ndodhen baza amerikane, dhe – shtoi ajo – mund të ndihmojnë në këtë raport, veçanërisht nëse punojnë së bashku me një qasje pragmatike dhe jo instinktive ndaj marrëdhënieve me SHBA-të».

Merz: «BE-ja të forcojë konkurrueshmërinë në industri dhe siguri»

Kancelari gjerman Merz konfirmoi «konvergjencën shumë të fortë mes Italisë dhe Gjermanisë»: «BE-ja duhet të forcojë konkurrueshmërinë e industrive dhe të bëjë më shumë për sigurinë. Me Italinë duam të çmontojmë burokracinë për t’u bërë më konkurrues; kjo është përparësia jonë».

Ai theksoi se Evropa duhet të përqendrohet te çështjet thelbësore, si për shembull «të angazhohet për paqen në Ukrainë».

Sa i përket sigurisë së Arktikut, kancelari theksoi se «Evropa duhet të bëjë më shumë»: «Synojmë të mbështesim bisedimet mes Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara mbi bazën e sovranitetit territorial».