Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Brukseli deklaratë me 35 pika: Nga përshpejtimi i anëtarësimit te rritja e investimeve

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Brukseli deklaratë me 35 pika: Nga përshpejtimi i anëtarësimit te rritja e investimeve

1702500266_edirama.jpg

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor nga Brukseli, Bashkimi Evropian ka dalë me një deklaratë me 35 pika. Tre janë shtyllat themelore të diskutimeve dhe të veprimeve konkrete që pritet të merren: Përshpejtim i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit, rritja e investimeve nga ana e BE-së dhe siguria kibernetike.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor Deklarata e Brukselit, 13 dhjetor 2023

Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve të tij Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, sot pajtohemi për sa më poshtë:

1-Mjedisi gjeostrategjik gjithmonë e më i ndërlikuar, i mbizotëruar nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe i shënjuar thellë nga kriza në Lindjen e Mesme, vazhdon të vendosë në rrezik sigurinë evropiane dhe atë globale. Kjo tregon rëndësinë e bashkimit dhe synimit brenda familjes evropiane dhe të partneritetit strategjik ndërmjet BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor për të sjellë lidhje gjithmonë e më të ngushta dhe bashkëpunimin më të thellë me BE-në, duke u bazuar në parimet dhe vlerat e përbashkëta.

2-Duke rikujtuar Agjendën e Selanikut dhe Deklaratat e Sofjes, Zagrebit, Brdos dhe Tiranës, BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë. BE-ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë.

3-BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u angazhuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave e vlerave themelore dhe shtetit të së drejtës. Në pajtim me Deklaratën e Tiranës të dhjetorit 2022, BE-ja nënvizon nevojën për arritjen e reformave të qëndrueshme dhe të pakthyeshme për shtetin e së drejtës, për funksionimin e institucioneve demokratike, ekonominë dhe reformën në administratën publike. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërës vendimtarë të çdo sistemi demokratik.

4-Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, duke pasur parasysh luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidat e tjera të sigurisë. BE-ja do të vazhdojë të investojnë në qasjen shumëpalëshe dhe do të bashkëpunojë me partnerët për të mbrojtur dhe respektuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin vlera të përbashkëta dhe përgjegjësi të ndërsjella. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxitim ata të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS), duke përfshirë masat shtrënguese të BE-së, dhe të veprojnë në përputhje me to. Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të ndjekin shembullin e tyre. Ne theksojmë rëndësinë e përmirësimit të zbatimit të masave shtrënguese dhe parandalimin e anashkalimit të tyre.

5-BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori dhe partneri tregtar kryesor si dhe donatori parësor i rajonit. Shkalla dhe gama e jashtëzakonshme e kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të mund të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në. Partnerët duhet gjithashtu të kenë komunikim të qartë për angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe ndaj reformave të nevojshme.

6-BE-ja thekson nevojën për angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve si dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, duke përfshirë Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.

7-Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja Palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që Palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane. Ne nxitim Palët të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugëtimin drejt Normalizimit dhe Shtojcën e saj Zbatuese si dhe të gjitha Marrëveshjet e mëparshme, pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. Ne gjithashtu presim që Palët të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve.

8-Ne përshëndetim takimet e suksesshme të Komunitetit Politik Evropian, të mbajtura më 6 tetor 2022 në Pragë, më 1 qershor 2023 në Kishinau dhe më 5 tetor 2023 në Granada. Takimet ofruan një platformë për koordinim politik dhe mundësi për shkëmbime të thelluara për çështje urgjente që kanë të bëjnë me të gjithë kontinentin. Sjellja e partnerëve më afër BE-së dhe përparimi i integrimit gradual.

9-BE-ja synon të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, duke përgatitur terrenin për anëtarësimin dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët e tyre që gjatë procesit të zgjerimit. Për këtë qëllim, BE-ja synon të shqyrtojë masa të tjera që synojnë të përparojnë më tej integrimin gradual. BE-ja nënvizon rëndësinë e përdorimit të plotë të potencialit të instrumenteve ligjore ekzistuese. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, BE-ja rikujton ftesën e Këshillit Evropian për të çuar përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe sipas meritës.

10-Në këtë kontekst, Komunikimi i fundit i Komisionit për Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të përshpejtojë konvergjencën shoqërore dhe ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe nxit rajonin të shpejtojë ritmin e reformave që lidhen me BE-në dhe të bëjë përparim në integrimin ekonomik rajonal me anë të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR), i bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së.

11-BE-ja është e gatshme të shqyrtojë propozimet e bëra në Planin e Rritjes për rritjen e integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor me BE-në. BE-ja vëren se propozimet e bëra i nënshtrohen përafrimit të Ballkanit Perëndimor me rregullat e tregut unik të BE-së, hapjes së sektorëve dhe fushave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre, në pajtim me TPR-në, duke ruajtur plotësisht integritetin e tregut unik të BE-së dhe barazinë në treg.

12-BE-ja përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes së katërt të lëvizshmërisë për “Njohjen e Ndërsjellë të Kualifikimeve Profesionale për Infermierët, Kirurgët Veterinarë, Farmacistët dhe Mamitë” gjatë Samitit për Procesin e Berlinit të mbajtur në tetor të vitit 2023, e cila do të çojë përpara lëvizshmërinë e profesionistëve në Ballkanin Perëndimor. BE-ja përshëndet edhe hyrjen në fuqi të tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë për “Lirinë e lëvizjes me kartë identiteti” për qytetarët e rajonit si dhe për “Njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale” brenda rajonit, të nënshkruara vitin e shkuar. BE-ja inkurajon partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë me shpejtësi këto marrëveshje në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë prej tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

13-BE-ja rikujton angazhimin e përbashkët për shtimin e përpjekjeve për të rritur integrimin e Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së. TPR-ja e Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë si pikëmbështetje për këtë integrim. Nevojiten përpjekje të mëtejshme vendimtare nga të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që Tregu i Përbashkët Rajonal të bëhet realitet, sidomos sa i takon miratimit të një numri vendimesh për nismat që lidhen me tregtinë, për të cilat tashmë është rënë dakord në nivel teknik në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Ky bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës i bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së do të stimulonte gjithashtu tregtinë brenda rajonit dhe do të tërhiqte investimet. BE-ja fton rajonin, me ndihmën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), CEFTA-s dhe Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (CIF), të përgatitë një pasardhës ambicioz të planit aktual të veprimit për TPR-në, para se planit aktual t’i mbarojë vlefshmëria në vitin 2024.

14-BE-ja përshëndet punën e të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor drejt modernizimit të sistemeve të tyre të pagesave për t’i sjellë ato më afër standardeve të BE-së dhe për plotësimin e kushteve për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.

15-Transporti dhe lidhshmëria janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik, pasi ata nxitin më shumë integrimin rajonal dhe përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve. Nëpërmjet Komunitetit të Transportit, BE-ja ka hapur mundësinë për integrim më të ngushtë të Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit, veçanërisht përmes reformave rregullatore. Në këtë aspekt, BE-ja inkurajon partnerët të vazhdojnë në mënyrë ambicioze me reformat që nevojiten. BE-ja përshëndet marrëveshjet e nivelit të lartë të cilat rishikojnë shtrirjen orientuese të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor dhe propozimin për të ngritur Korridorin e Transportit Evropian Ballkani PerëndimorMesdheu Lindor. BE-ja do të mbështetë partnerët e Ballkanit Perëndimor në integrimin e tregjeve të transportit rrugor duke u bazuar në miratimin e acquis përkatës të BE-së. Ne përshëndetim gjithashtu progresin e bërë për zbatimin e Korsive të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor dhe kërkojmë zbatimin e tyre në të gjithë kufijtë përkatës, duke respektuar ndërkaq acquis dhe procedurat e BE-së. Përveç kësaj ne përshëndetim ngritjen e nismës Korsitë Blu, e cila do të përmirësojë lidhjet tregtare dhe të transportit midis porteve të Adriatikut. Këto nisma kontribuojnë në menaxhimin më të mirë të kufijve, në uljen e kohës së pritjes për pasagjerët dhe mallrat dhe për rrjedhojë përkrahin aktivitetin ekonomik. Ato nënvizojnë ndikimin pozitiv të bashkëpunimit të mëtejshëm doganor ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. BE-ja njeh përpjekjet e Komunitetit të Transportit dhe CEFTA-s për zhvillimin e një Udhërrëfyesi për zbatimin e Korsive të Gjelbra dhe për sinkronizimin e kontrolleve në kufi. Përveç kësaj, BE-ja është e përkushtuar të mbështetë modernizimin e rrjetit hekurudhor në rajon dhe inkurajon përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të rivendosur lidhjet hekurudhore për pasagjerët ndërmjet qyteteve më të mëdha në rajon si dhe ndërmjet rajonit dhe fqinjëve të rajonit në BE.

16-BE-ja rikujton vendosmërinë e saj për të mbështetur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e angazhimit të tyre për të zbatuar plotësisht Agjendën e Gjelbër për rajonin, ku përfshihen angazhimet e tyre në fushën e klimës në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit, Komunitetit të Energjisë dhe Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si një shtytës kryesor për tranzicionin drejt ekonomive moderne, neutrale dhe rezistente ndaj klimës dhe me burime efikase. BE-ja do të vazhdojë të mbështetë dekarbonizimin e rajonit edhe përmes asistencës teknike, sidomos për rritjen e energjive të përtëritshme. Projekti “EU4Green” është instrument i rëndësishëm për të ndihmuar partnerët në përpjekjet e tyre zbatuese. BE-ja do të vazhdojë të mbështetë rajonin në zhvillimin dhe zbatimin e politikave në fushën e klimës dhe tranzicionit energjetik, duke përfshirë çmimet e karbonit duke u bazuar në monitorimin, raportimin dhe verifikimin e rreptë të shkarkimeve si dhe të politikave.

17-Lidhur me integrimin në Tregun Unik Digjital të BE-së, duke u mbështetur në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes Rajonale të Roaming-ut “Roam like at Home” nga korriku i vitit 2021, ne përshëndetim uljen e kostove të të dhënave në roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që prej 1 tetorit 2023, me qëllimin për të zhvilluar një marrëveshje afatgjatë roaming-u për të përfshirë rajonin në hapësirën e BE-së “Roam like at Home”. Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të rreket të rritë përpjekjet në fushën e transformimit digjital dhe medias, sidomos për reformat në fushën e sigurisë kibernetike dhe duke siguruar shpërndarjen e sigurt të rrjeteve 5G nëpërmjet zbatimit gjithëpërfshirës të Instrumenteve të Sigurisë Kibernetike BE-së për rrjetet 5G. Për të nxitur më shumë lidhshmërinë digjitale, ne përshëndetin synimin për të zhvilluar nismën “ËIFI4ËB”, e cila ofron qasje pa pagesë në rrjetet ËIFI për qytetarët dhe vizitorët në hapësirat publike.

18-Sa i takon integrimit të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët industrialë të furnizimeve, ne përshëndetim interesin e shprehur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e Partnerëve të Zinxhirit të Vlerës të BE-së për Lëndët e Para Kritike dhe për të marrë mbështetje për zhvillimin e industrive të lidhura me to, në përputhje me nevojat dhe standardet e tregut unik të BE-së.

19-Duke rikujtuar deklaratën e Brdos në 2021 dhe atë të Tiranës në 2022, BE-ja është e angazhuar të përshpejtojë dhe thellojë më tej angazhimin e saj në politikë dhe në politika me Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera edhe nëpërmjet organizimit të Samiteve të rregullta BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në veprimtaritë e nivelit të lartë të BE-së, nëpërmjet dialogëve të rregullt në kuadrin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe rritjes së bashkëpunimit në forumet shumëpalëshe. Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar tashmë të japin mendime në mbledhjet e Këshillit të Punëve të Jashtme dhe më pas të marrin përmbledhje të rregullta për këto mbledhje. Takimi ministror BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur në nëntor, intensifikoi më tej angazhimin në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, njësoj si Forumi Ministror BEBallkani Perëndimor i mbajtur në tetor në Shkup për drejtësinë dhe punët e brendshme.

20-BE-ja përshëndet fuqishëm ngritjen e një dege të re të Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe nisjen e procesit të aplikimeve për vitin e parë akademik 2024-2025. Ky kampus do t’i pajisë studentët nga Ballkani Perëndimor dhe përtej tij me njohuri eksperte për çështjet e BE-së dhe do t’ju japë studentëve nga Shtetet Anëtare të BE-së ekspertizë rajonale, duke nxitur kështu mirëkuptimin dhe përkatësinë e ndërsjellë.

21-BE-ja rikujton edhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për reformimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të administratave publike në Ballkanin Perëndimor, mbështetje e dhënë veçanërisht përmes granteve, binjakëzimeve si dhe përmes Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

22-BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e partnerëve për të përshpejtuar punën e tyre në zbatimin e agjendës së Ballkanit Perëndimor për risinë, kërkimin, arsimin, kulturën, rininë dhe sportin. Përveç pjesëmarrjes në “Horizon Europe” dhe “Creative Europe”, BE-ja po i bashkon partnerët gradualisht në programet e BE-së si Erasmus+ dhe Korpusi Evropian i Solidaritetit dhe po hap pjesëmarrjen në Nismën e Universiteteve Evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor me synimin për të krijuar mundësi të mëtejshme për të rinjtë. Garancia Rinore dhe Masat për Mbështetjen e Risisë të vëna në jetë në Ballkanin Perëndimor do të ndihmojnë për të zbutur mospërputhjen e aftësive dhe largimin e trurit që rajoni po përjeton. Takimi tjetër ministror i Platformave Drejtuese të Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojë për të forcuar më tej bashkëpunimin në rajon në fushat e këtyre politikave dhe për të ruajtur hovin politik. BE-ja përshëndet rolin e rëndësishëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) në rritjen e bashkëpunimit dhe pajtimit midis të rinjve të Ballkanin Perëndimor. Ndërtimi i themeleve të forta ekonomike për të ardhmen dhe përballimi së bashku i pasojave negative të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

23-Rusia është përgjegjësja e vetme për krizat energjetike dhe ekonomike në vazhdim. Përdorimi i energjisë, ushqimit dhe informacionit si armë ka prekur partnerët e Ballkanit Perëndimor, sidomos duke shënjestruar ata që përafrohen plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe me masat e saj shtrënguese. Për të zbutur ndikimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja është e vendosur të intensifikojë më tej angazhimin e saj politik me rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç asistencës së dhënë tashmë nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit, Planit Ekonomik dhe të Investimit, Paketës Mbështetëse për Energjinë, Mekanizimit Evropian të Paqes si dhe mbështetjes që kontribuon për të ndërtuar rezistencën kibernetike dhe për t’u përballur me Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Informacionit të Huaj (FIMI).

24-BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e efekteve negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre, konkretisht nëpërmjet Paketës Mbështetëse të BE-së për Energjinë, me vlerë 1 miliard euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime. 90% (450 milionë euro) e gjysmës së parë të paketës, për të amortizuar rritjen e çmimit të energjisë për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla dhe për ekonomitë familjare të cenueshme, janë lëvruar tashmë. Pjesa e mbetur prej 500 milionë euro në grante jepet nga BE-ja nëpërmjet Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) për të ecur përpara me tranzicionin energjetik dhe pavarësinë energjetike, për të mbështetur projektet e energjisë së përtëritshme, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën dhe interkonektorët e energjisë, duke përfshirë GNL-në, për të përmirësuar sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen urbane dhe për të rritur efiçencën e energjisë së infrastrukturave private dhe publike në Ballkanin Perëndimor.

25-Ne rikujtojmë vendimin tonë për hapjen e mekanizmit të BE-së për blerjen e përbashkët të gazit dhe GNL-së për Ballkanin Perëndimor dhe nxitim përdorimin e tij nga partnerët tanë që kanë tregje gazi për të ulur varësinë e tyre nga gazi rus. Nëpërmjet Komunitetit të Energjisë, BE-ja po hap gjithashtu tregun e saj të energjisë elektrike për Ballkanin Perëndimor, duke iu nënshtruar reformave rregullatore.

26-Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë dhe rezistencës së rajonit, duke përfshirë mbështetjen e mëtejshme për lidhshmëri rezistente dhe të sigurt, tranzicion të energjisë dhe larmi të furnizimit me energji. Mbështetja e dhënë nëpërmjet PEI-së përmban 9 miliardë euro në financim grantesh nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime për periudhën 2021-2027 dhe është në fazë të avancuar zbatimi. Nga thuajse 30 miliardë euro të paketës së investimeve për rajonin, deri tani janë mobilizuar 16,6 miliardë euro. Në këtë kontekst, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të forcojnë shtetin e së drejtës dhe të ndërmarrin me vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta për dialogun ekonomik dhe financiar. Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës.

27-Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës përbën sfidë thelbësore për sigurinë. BE-ja qëndron e vendosur të forcojë më tej bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor për çështjet themelore të sigurisë dhe mbrojtjes, madje edhe në nivel operacional. Në këtë drejtim, ne përshëndetim faktin që partnerët kanë vazhduar të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM), edhe duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave. BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet e tij mbrojtëse, edhe nëpërmjet Mekanizmit Evropian të Paqes. BE-ja mbetet e përkushtuar të kontribuojë për sigurinë në rajon, edhe nëpërmjet operacionit EUFOR Althea në kuadrin e PPSM-së dhe misionit të saj EULEX. BE-ja përshëndet angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve për zhvillimin e instrumenteve efektive për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. BE-ja ka nisur gjithashtu të rritë më tej angazhimin e saj me rajonin në fusha të tilla si trajtimi i kërcënimeve hibride dhe kibernetike, hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake.

28-BE-ja do të vazhdojë të mbështetë Ballkanin Perëndimor në luftën kundër manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj (FIMI), duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që synojnë të minojnë stabilitetin, proceset demokratike dhe perspektivën evropiane të rajonit. Në këtë pikëpamje, ne do të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë për të ngritur qëndresën, duke rritur gjithashtu profesionalizmin dhe edukimin e medias dhe duke rritur ndikimin e komunikimit strategjik rreth marrëdhënieve BE – Ballkani Perëndimor dhe procesit të zgjerimit në veçanti. BE-ja gjithashtu do të shtojë punën e saj me partnerët për të luftuar narrativat e rreme dhe dezinformimin rus për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

29-Ne do të vazhdojmë të rritim sigurinë tonë kibernetike kolektive në bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë mbështetjen e bashkërenduar operacionale dhe teknike dhe nëpërmjet përfshirjes së rajonit në mekanizmat e sigurisë kibernetike të BE-së. Përpjekjet tona të përbashkëta të përforcuara mbështeten në programet ekzistuese dhe në bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe me Kolegjin Evropian të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të kombinuara me nismat dypalëshe të Shteteve Anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë. Në kuadrin e projektit “Cybersecurity Rapid Response” me vlerë 2,6 milionë euro, veprimi i BE-së është përqendruar te rritja e qëndresës kibernetike dhe te gatishmëria e partnerëve ndaj incidenteve kibernetike. Programi rajonal i financuar nga IPA me vlerë 5 milionë euro për ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike të Ballkanit Perëndimor po mbështet qëndresën kibernetike të rajonit në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Këto programe plotësohen nga asistenca ndërmjet homologësh e dhënë rregullisht nga TAIEX-i. Ne përshëndetim ngritjen e Qendrës së Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor, e cila nxit bashkëpunimin rajonal në ndërtimin e qëndresës kibernetike. Rritja e bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor me ENISA-n dhe me Qendrën Evropiane të Kompetencës Kibernetike si dhe roli ndihmës i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal do të ketë me rëndësi më të madhe në ecjen përpara. Bashkimi Evropian pret me padurim ngritjen e rezervës kibernetike të BE-së, e cila do të jetë e disponueshme për partnerët e Ballkanit Perëndimor me qëllimin për t’u përgjigjur incidenteve të rënda dhe në shkallë të gjerë në fushën e sigurisë kibernetike. Migracioni i parregullt, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar

30-Menaxhimi i migracionit mbetet një sfidë dhe përgjegjësi kryesore e përbashkët. Ne njohim progresin e bërë për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në dhjetor 2022. Falë veprimeve të bashkërenduara, trysnia e përgjithshme migratore në rrugën e Ballkanit Perëndimor pësoi rënie në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, rruga është ende tejet aktive me shifra të larta të kalimeve të parregullta të kufirit të pikasura. Në këtë këndvështrim, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor mbeten të vendosur të zbatojnë plotësisht Planin e Veprimit të BE-së, duke përfshirë luftën ndaj kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, dhe të sigurojnë qasje në mbrojtjen ndërkombëtare për personat që kanë nevojë për mbrojtje dhe për të forcuar më tej monitorimin e prirjeve përgjatë rrugës. Në këtë aspekt, partnerët e Ballkanit Perëndimor ftohen të forcojnë përfshirjen e tyre në Platformën Shumëdisplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), instrumenti kryesor i BE-së për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar. Mbështetja e rëndësishme financiare e BE-së nëpërmjet programeve të dedikuara do t’u mundësojë partnerëve të forcojnë sistemet e azilit dhe të pritjes, të forcojnë mbrojtjen e kufijve, të luftojnë krimin e organizuar dhe rrjetet e tjera kriminale, sidomos ato që angazhohen në kontrabandën e emigrantëve dhe të rritin kthimet nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës.

31-Duke nisur nga viti tjetër, njerëzit nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza drejt hapësirës Shengen. BE-ja përshëndet progresin e bërë për përafrimin me politikën e vizave të BE-së nga disa partnerë të Ballkanit Perëndimor dhe kërkon përafrim të mëtejshëm për të parandaluar abuzimin me sistemet e migracionit dhe azilit të Shteteve Anëtare të BE-së. Sa i takon ripranimit, BE-ja ka përshëndetur përpjekjet e partnerëve për të përmirësuar zbatimin e Marrëveshjeve ekzistuese të Ripranimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Partnerët duhet të vazhdojnë të përmirësojnë sistemet e kthimit, edhe duke lidhur marrëveshje për ripranimin me vendet kryesore të origjinës. Mbështetja shtesë financiare dhe teknike e BE-së – e ndihmuar nga Frontex-i – synon të rritë bashkëpunimin për kthimet dhe ripranimet me vendet e origjinës. BE-ja përshëndet nënshkrimin dhe përfundimin e Marrëveshjeve të reja për Statusin e Frontex-it me disa nga partnerët dhe u bën thirrje partnerëve të tjerë të ndjekin menjëherë shembullin e tyre. Bashkëpunimi duhet të intensifikohet më tej me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Azilin dhe me Europol-in.

32-BE-ja kërkon të forcohet më shumë bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha format e tij, duke përfshirë parandalimin e radikalizimit dhe të financimit të terrorizmit. BE-ja përshëndet rezultatet e arritura gjatë pesë viteve të zbatimit të Planit të Përbashkët të Veprimit për të Luftuar Terrorizmin për Ballkanin Perëndimor dhe pohon vendosmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen, edhe kundrejt kërcënimeve të reja si ekstremizmi i djathtë, shpërndarja në internet e përmbajtjes ekstremiste të dhunshme dhe sulmet e mundshme ndaj infrastrukturës kritike. BE-ja përsërit rëndësinë e marrjes së veprimeve të prera për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, sidomos pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e drogës, nëpërmjet bashkëpunimit të rritur midis agjencive ligjzbatuese dhe doganave, bashkëpunim i ndihmuar nga EMPACT-i. Në kontekstin e pasojave shkatërrimtare nga përdorimi dhe trafikimi i drogës në shëndetin dhe sigurinë e shoqërive tona, ne biem dakord të vazhdojmë dhe të intensifikojmë përpjekjet tona të përbashkëta nëpërmjet një qasjeje të bazuar në prova, të integruar, shumëdisplinore dhe të baraspeshuar.

33-BE-ja përshëndet vendosmërinë e ripohuar të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të çrrënjosur trafikimin dhe përhapjen e armëve të vogla dhe të lehta dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit për të trajtuar kontrabandën e armëve të zjarrit brenda EMPACT-it. BE-ja do të vazhdojë të mbështetë Ballkanin Perëndimor në këtë fushë. Udhërrëfyesi, i cili u zgjat përtej vitit 2024, është i njohur në shkallë ndërkombëtare si shembull i praktikave të mira në fushën e bashkëpunimit rajonal për të rritur kontrollin e armëve të vogla.

34-BE-ja vazhdon të inkurajojë partnerët në Ballkanin Perëndimor të krijojnë dhe mbajnë marrëdhënie bashkëpunimi me Zyrën Evropiane të Prokurorëve Publikë (EPPO) në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale. Ne përshëndetim marrëveshjet e punës të krijuara tashmë ndërmjet EPPO-së dhe disa partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajojmë partnerët e tjerë të angazhohen në një bashkëpunim të ngjashëm sa më shpejt të jetë e mundur.

35-Ne përshëndetim radhitjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me pikat e mësipërme.


Lajmi kryesor:

Samiti BE-Ballkani Perëndimor përmbyllet me deklaratë: Përshpejtim integrimit! Zgjidhni mosmarrëveshjet dypalëshe! Veprime të prera ndaj korrupsionit në nivel të lartë


B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille