Samiti në Mal të Zi: Shtohen thirrjet për shmangie të destabilizimit të Ballkanit

Samiti në Mal të Zi: Shtohen thirrjet për shmangie të destabilizimit të Ballkanit

Gjatë Samitit në Mal të Zi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak (majtas), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Samitin e 30 majit në Mal të Zi. Pjesëmarrësit e Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi, kanë dënuar ashpër pushtimin rus në Ukrainë, dhe kanë thënë se nevojitet kujdes për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Në Samitin e organizuar me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan” marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkan Perëndimor, Stuart Peach dhe më vonë pritet që këtij samiti t’i adresohet i dërguari amerikan për këtë rajon, Gabriel Escobar.

I dërguari britanik, Peach, vlerësoi ndër të tjera se pushtimi rus në Ukrainë ishte një akt barbar i paprovokuar dhe tha se Mbretëria e Bashkuar qëndron krah Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme të reagojë në rast të pasojave të luftës.

Sipas tij, Rusia ka synime destruktive.

“Ne duhet të jemi të lëvizshëm dhe të gatshëm për të reaguar. Askush nuk mund të jetë i qetë në rajon (Ballkanin Perëndimor) kur bëhet fjalë për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe as t’i injorojë ato. Ne jemi të ndjeshëm ndaj faktit se lufta në Ukrainë u parapri nga luftëra tjera në Evropë”, ka thënë Peach, duke shtuar se siguria kolektive është kyçe.

“Si aleatë të NATO-s, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë kolektive. Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet e vendeve të rajonit, përmes sundimit të ligjit dhe politikave të forta dhe në këtë mënyrë, të ndërtojmë qëndrueshmërinë në përballje me situatën në të cilën ndodhemi”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse është realiste të pritet që, pas bisedimeve dhe marrëveshjes së 29 majit mes presidentëve të Rusisë dhe Serbisë, Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë:

“Bashkimi Evropian e sheh rajonin përmes pranimit dhe harmonizimit me normat dhe vlerat evropiane, duke përfshirë politikën e jashtme dhe sanksionet. Kjo është ajo që ne presim nga të gjitha shtetet anëtare. Çdo vend në rajon e di se cilat janë pritjet lidhur me këtë pjesë. Veprimet konkrete do t’i marrim parasysh kur të sjellim vendimin për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilit vend të rajonit. Ne gjithashtu do të marrim parasysh veprime konkrete kur të vendosim për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilës prej vendeve të rajonit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, tha se Serbia do të ketë çmim shumë të favorshëm të gazit dhe marrëveshja do të nënshkruhet për tre vjet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përsëriti solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës dhe tha se ekziston frika e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Është i nevojshëm veprimi i përbashkët në ditët dhe vitet në vijim. Është e rëndësishme që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të respektojnë sanksionet e Bashkimit Evropian dhe veprimet e tjera, të cilat i ndërmarrin partnerët tanë. Jo të gjitha vendet në rajonin tonë na janë bashkuar”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se agresioni rus kundër Ukrainës paraqet një përkujtues të madh për vendet e Ballkanit Perëndimor që kaluan luftërat.

“Kemi kaluar nëpër agresione dhe katastrofa humanitare dhe e dimë se çfarë do të thonë krimet e luftës. Prandaj, është detyrim i çdo vendi në Ballkanin Perëndimor të kontribuojë që të arrihet sa më parë paqja, të ruajë vlerat universale, të mbrojë trashëgiminë demokratike dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe çdo shteti tjetër të pavarur në botë”.

Duke folur për takimin e ardhshëm në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Abazoviq tha se qëllimi i vetëm dhe më i lartë i politikës së jashtme të Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.

 “Nuk na intereson kurrfarë zëvendësimi për këtë. Por çdo gjë që mund të përdorim si mekanizëm për të arritur këtë qëllim, për ne është plotësisht i pranueshëm”, tha Abazoviq, duke saktësuar se në takimin e “Ballkanit të Hapur” do të shkojë si mysafir dhe jo që ta përfaqësojë Malin e Zi si anëtar të nismës.

“Do të shqyrtojmë gjithçka që është e mirë për vendin tonë. Nëse rezulton se është në favor të synimeve tona të politikës së jashtme, nuk kam asgjë kundër bashkimit të plotë në nismë. Nëse jo, atëherë do të shohim se si do të organizohemi”, theksoi Abazoviç.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë./ REL


Lajmi kryesor:

Debat për Ballkanin e Hapur në samitin e Malit të Zi, Abazoviç: Jam pro çdo bashkëpunimi rajonal! Reagon Osmani: Pjesë e nismës edhe Vuçiç, ish-ministër i Milosheviçit


K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Tani në shënjestrën e Kievit janë depot dhe logjistika ruse, por edhe trupat e Penjanit

Lufta/ Tani në shënjestrën e Kievit janë depot dhe logjistika ruse, por edhe trupat e Penjanit