Samiti në Tiranë për Ukrainën, Koçi: Shqipëria, qendër ekselence për bindjen euroatlantike! Gjunkshi: Vëmendja e gjithë botës, në kryeqytetin tonë

Propozimi i presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për bashkëprodhimin e fishekëve me Shqipërinë, duket se ka qenë risia e samitit për Ukrainën që u mbajt ditën e sotme në Tiranë ku ishin të pranishëm edhe liderët e Europës Juglindore. Kështu u shprehën të ftuarit në studion e ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv.

Deputeti i PS, Petro Koçi tha se bëhet fjalë për municione të standarteve të larta të cilat i shërbejnë edhe Shqipërisë nëse do të nisë prodhimi i tyre. Ndërsa sa i përket arsyes së organizimit të një samiti të tillë në Trianë, Koçi tha se vendi ynë shihet si faktori më pro-euroatlantik në rajonin e Ballkanit. Ai tha se tashmë samite të tilla janë bërë të zakonshme për Shqipërinë. 

“E para njëherë këto samitet janë bërë disa herë në Shqipëri dhe kjo nuk na lejon të kemi përshtypjen e duhur për rastin. Shqipëria është qendër ekselence e bindjes euroatlantik. Nuk besoj se gjendet në rajon një vend një komb që mund të ketë këtë një qëndrim kaq pro-euroatlantik. Shqipëria është partneri numër 1 në Ballkan”- u shpreh Koçi.

I të njëjtit mendim ishte edhe Sekretari për Sigurinë Kombëtare në PD, Xhemal Gjunkshi i cili tha se vëmendja e gjithë botës ka qenë sot e përqendruar në Tiranë ku u zhvillua samiti për mbështetjen e Ukrainës.

“Vëmendja e gjithë botës ka qenë e drejtuar këtu. Është një shenjë shumë e mirë që kishte një numër të madh liderësh shqiptarë në Samit, si kryeministrin Rama, presidenten Osmani dhe kryeministrin Talat Xhaferi”- tha Gjunkshi.

Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes së Re, Arian Galdini e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë për Shqipërinë por sipas tij arsyeja përse Tirana mikpriti një samit të tillë që nuk është mbajtur nga vende që janë shumë më afër Ukrainës, është sepse është i vetmi konflikt ku kryeministri Edi Rama mund të ndërhyjë për të marrë vëmendjen.

“Duhet të jemi të gëzuar e të themi se Shqipëria po merr një rol që nuk e ka patur kurrë më parë. Ne mund ta mbartim këtë rol. Pse? Në radhë të parë, Shqipëria qëkur mori misionin e OSBE-së, vizita e parë që bëri Rama ka qenë në Moskë për të takuar Lavrovin mbi një konflikt të mundshëm me Ukrainën. Këtu kemi një përzgjedhje të Ramës. Nëse ky ka një vullnet parimor për të ndërhyrë në situata kritike, pse nuk bën një samit për Gazën? Nuk e lë Erdogani. Ky ka përzgjedhur atë konflikt ku nuk ka pengesa”- tha Galdini duke theksuar se Rama e përdori samitin me qëllim që të ngrejë imazhin e tij. 

Lidhur me planin e Zelenskyt për arritjen e paqes, analisti për Çështjet Rajonale, Armand Plaka tha se një plan i tillë nuk mund të pranohet nga Rusia pasi do e detyronte të hiqte dorë nga shumë territore të pushtuara. Sipas tij, plani i Moskës është që nëse do t'i duhet të ulet në tavolinë për arritjen e paqes, të mund të lëshojë vetëm rajonin e Odessës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
‘Zelensky, i vetmuar’, Galdini: Lufta në Ukrainë do përfundojë shpejt! Rusia do të fitojë

 

Duke dhënë një ‘prognozë’ mbi atë që pritet të ndodhë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, kreu i Lëvizjes së Re, Arian Galdini tha se duke marrë parasysh braktisjen që i është bërë Zelenskyt, lufta do të përfundojë shpejt në favor të Rusisë.

“Unë mendoj se kjo luftë do mbarojë shpejt. Vetmia e Zelenskyt tregon se Moska fatkeqësisht do ta fitojë këtë luftë. Problemi që ka Zelensky apo perëndimi është se do kemi një shtet disfunksional të mbetur, pasi Moska do ketë pushtuar rreth 30% të territorit. Do jetë një shtet që do kthehet një problem për BE-në. Kjo luftë tregon se do kemi një sfidë të madhe për BE-në”- tha Galdini.

I të njëjtës ide ishte edhe deputeti i PS, Petro Koçi i cili tha se nëse perëndimi nuk jep ndihmën e duhur për Ukrainën atëherë lufta është e humbur.

“Nëse perëndimi nuk arrin të japë ndihmën e duhur për Ukrainën, sfida është e humbur për të. Ajo e vetme e ka të vështirë. Nuk arrin të përballojë nëse nuk do ketë një ndihmë të rëndësishme me teknologji ushtarake”- argumentoi Koçi.

Ora 22:20
Përfitimi i Shqipërisë nga samiti për Ukrainën, Galdini: Rama e ka vendosur vendin në dispozicion! Analisti: Rritet roli në arenën ndërkombëtare

 

Sipas kryetarit të Lëvizjes së Re, Arian Galdini samiti në Tiranë për Ukrainën, i shërben kryeministrit Edi Rama. I ftuar në ‘Repolitix’, Galdini tha se Rama po e vendos Shqipërinë në dispozicion të vendeve të tjera për qëllimet e tij personale.

“Rama ka zgjedhur që në vend që të ketë vizionin e një Shqipërie që zhvillohet , të ketë vizionin e një Shqipërie në dispozicion. Ai e vendos vendin në dispozicion të të gjithë shteteve që kanë një hall. Është tipikisht lideri që hipën mbi Shqipërinë për të ngritur veten”- tha Galdini.

Ndërsa analisti për Çështjet Rajonale, Armand Plaka tha se me samitet e organizuara, Shqipëria do të ketë përfitime në të ardhmen.

“Mendoj se gjithçka që po ndodh, rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare bën që në të ardhmen Shqipëria të jetë përfituese në të ardhmen”- theksoi Plaka.

Ora 22:07
Mundësia që Shqipëria dhe Ukraina të bashkëprodhojnë fishekë, Koçi: Na shërben edhe ne! Bëhet fjalë për municione të standarteve të larta

 

Në samitin për Ukrainën që u mbajt sot në Tiranë u hodh edhe ideja e bashkëprodhimit të fishekëve mes Ukrainës dhe Shqipërisë. I ftuar në Repolitix’ në Report Tv, deputeti i PS, Petro Koçi tha se bëhet fjalë për municione të standarteve të larta.

Ai tha se nëse një gjë e tillë ndodh, do të ishte lajm i mirë edhe për Shqipërinë që rikrijon kapacitetet për prodhime ushtarake.

“Besoj është më shumë për municione. Nëse do e shihnim edhe nga interesi ynë, përtej asaj që duhet ndihmuar Ukraina, për ne do ishte një avantazh i madh se do rikrijonim një kapacitet. Bashkëprodhimi do ishte një aktivitet ku ne jemi aksioner, do kishte efekte pozitive për ne sepse prodhimet ushtarake janë pothuajse zero.  Ukraina ka marrë armatim modern nga vende europiane. Edhe armatimi ynë është i një standarti tjetër, nuk kemi më kallashnikovë. Bëhet fjalë për municion të standarteve të sotme. Do na shërbente edhe neve”- tha Koçi.

Ndërsa sekretari i PD-së për sigurinë, Xhemal Gjunkshi tha Shqipëria duhet ta shohë këtë si një mundësi për të mbajtur një pjesë të municionit të prodhuar.

“Të prodhohet edhe një sasi t’i mbetet edhe ushtrisë shqiptare. Pra të jemi më të zgjuar, më largpamës jo thjesht ta shohim si një biznes për të kaluar një situatë të vështirë që po kalon Ukraina”- u shpreh Gjunkshi.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Martin: 29/02/2024 06:29

    Ky kriçi galdinaj s Ka mbaruar as te mesmen, te keqen e Sazan fruit Mos na nxirre I me sharlatana se bill Ku sure ka ai popull

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë