TIRANE- Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen ku dy ditë më parë u dhunua kreu i Partisë Demokratike, duke vënë në pranga një nga 2 vëllezërit e shoqëruar dhe shpallur në kërkim një tjetër, i identifikuar si Jani Manaj. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se njëri nga dy vëllezërit e arrestuar mbrëmjen e së premtes është lënë i lirë pasi nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa për tjetrin Policia e Sarandës ka nxjerrë një urdhër-arresti mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve, kanë qenë kamerat e sigurisë ato që kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë të ngjarjes, duke identifikuar dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Kreu i PD Hariz Mema, u dhunua ditën e premte teksa ishte duke bërë shëtitje me vajzën në shëtitoren e qytetit. Menjëherë pas ngjarjes uniformat blu kanë shoqëruar dy vëllezërit Fatjon dhe Ferge Manaj, ky i fundit tashmë i arrestuar, të dyshuar si agresorët e mundshëm ndaj kryedemokratit të Sarandës. Policia e Sarandës bën me dije se po punohet për të arrestuar autorin e dytë të dyshuar. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje mësohet se janë vëllezër me njëri-tjetrin.

Mema: Nuk kam konflikte
Një ditë pas dhunimit nga dy persona të kryetarit të Partisë Demokratike të Sarandës Hariz Mema, zyrtari i opozitës doli në një deklaratë për mediat, ku i bëri thirrje Policisë të zbardhë ngjarjen. Mema deklaroi dje se nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm që të jetë burim i kësaj ngjarjeje. Hariz Mema ishte i shoqëruar nga vajza e tij e vogël dhe një anëtar i PD-së, të cilët po lëviznin përgjatë rrugës kur është sulmuar nga dy persona, të cilët e kanë goditur atë me doreza dhe më pas me shkelma dhe grushte. PD e cilësoi goditjen e tij një sulm banditesk dhe kërkoi vënien e autorëve para drejtësisë.
 
Arrestimi

Pas verifikimeve të kryera, Policia e Sarandës ka vënë në pranga Ferge Manaj, ndërsa ka lënë të lirë vëllain e tij Fatjon Manaj. Ndërsa është shpallur në kërkim policor vëllai tjetër i tyre


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)