Një oficer i Komisariatit të Policisë Sarandë është përfshirë në një konflikt fizik mbrëmjen e së enjtes në qytet, ndërsa policia ka zhvilluar kontrolle të shumta dhe ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, oficeri i krimeve Mihal Velço po lëvizte me motor kur është përballur me një grup personash. Fillimisht mes palëve ka pasur fyerje dhe kanosje verbale, ndërsa më pas situata ka degraduar në përplasje fizike.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të planifikuar ndaj efektivit të policisë. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Vetë oficeri i Policisë, Miham Velço, ka deklaruar se nuk i njihte personat me të cilët u përfshi në konflikt dhe sipas tij, gjithçka ndodhi pasi ata e kishin sharë e ofenduar.

“Po udhëtoja me motor dhe dëgjoj që një grup personash të panjohur më kanë sharë dhe ofenduar. Zbrita nga motori dhe u përlesha me ta. Nuk i njihja fare. Ishte dhe shumë vonë kur ndodhi ngjarja, rreth orës 00:15”, tha mes të tjerash oficeri Miham Velço.

Pas incidentit, forca të shumta policie zhvilluan kontrolle në zona të ndryshme të qytetit deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë operacionit janë kontrolluar banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje. Janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë.

Deri në këtë fazë nuk ka informacion zyrtar për identifikimin apo arrestimin e autorëve të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.