Sarandë - Dy të rinj që shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve në zonën e Gjirit të Sarandës janë gjobitur nga Policia Kufitare me nga 500 mijë lekë të rinj.
Po ashtu bëhet me dije se të rinjve u janë bllokuar edhe mjetet lundruese (Jet Ski).
Për garantimin e sigurisë publike, policia alpelon përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në zonën e Gjirit të Sarandës, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski) që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Gjithashtu, po gjatë patrullimit, në zonën e Gjirit të Ksamilit, u konstatua edhe një tjetër mjet lundrues (Jet Ski) që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në kundërshtim me rregullat e lundrimit.
Në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit.
Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Komente









