Në gjyqin e aferës “Partizani”, me të pandehur për korrupsion Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi, i akuzuar dhe për pastrim parash, do të jetë sot radha për të dëshmuar e ish ministrit të Mbrojtjes (më pas zv. kryeministër) në kohën e qeverisjes Berisha, Gazmend Oketa.
Ai është kërkuar si dëshmuar nga Prokuroria e Posaçme dhe pritet të japë llogari para togave të zeza duke nisur nga ora 10:00
Oketa ishte një prej anëtarëve të kabinetit që sipas dosjes së SPAK u përdor nga Berisha për të ushtruar presion që ish kompleksi Partizani të privatizohej me urgjencë.
Një moment i rëndësishëm për të cilin ish ministri i Mbrojtjes do të duhet të japë llogari është një takim që Oketa ka zhvilluar me Gjeneralin e asaj kohë në ushtri, Vladimir Qirjazi, i cili mbante detyrën e drejtuesit të Komandës së Mbështetjes, i vetmi zyrtar që kundërshtoi makinerinë e kryeministrit të asaj kohe dhe që doli hapur kundër privatizimit të kompleksit Partizan
Në dosje thuhet se më datë 31 mars 2009 Qirjazi u thirr në një takim me ministrin e Mbrojtjes që asokohe ishte Gazmend Oketa. Vetë Qirjazi, përmes një shkresë eprorit të tij shefit të Shtabit, i tregonte këtij të fundit se ku Oketa i ka kërkuar ballë për ballë që të firmosë privatizimin, pasi kjo i gjë i kërkoj edhe vetë atij.
“Me shkresën Nr. 1858 Regj. datë 02.04.2009, Gjeneral Brigade Komandant Vladimir Qiriazi, ka informuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, në lidhje me takimet e zhvilluara me Ministrin e Mbrojtjes Z. Gazmed Oketa për çështjen e dorëzimit të pronës me Nr. 11, ku në përmbajtje të shkresës ka sqaruar se ka informuar dhe për raste të tjera që Ministria e Mbrojtjes kërkon ushtarakët për të firmosur ndërkohë që ka në dispozicion Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes. Në këtë shkresë shtetasi Vladimir është shprehur se, Ministri i ka kërkuar Vladimirit që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij.
Sqaron se, ka marrë takim me ministrin më datë 31.03.2009 në orën 18.15 dhe se është ballafaquar me datë 01.04.2009 rreth orës 13.00 me personelin e DMIBM shtetasit Ardian Shashaj, Roland Llazari dhe Erinda Ndroqi, Fiqiri Kupe dhe Besnik Dervishi”, thuhet në dosje.
Gjatë hetimeve të SPAK për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, Qirjazi është marrë në pyetje dhe ai ka deklaruar se ministri Oketa i ka kërkuar të firmosë, por nuk ia kishte sqaruar se nga kush vinte kjo kërkesë. Madje Oketa e kishte paralajmëruar gjeneralin se mund të merreshin masa ndaj tij nëse nuk e hidhte firmën për urdhrin nr. 334 datë 13.03.2009 "Për dorëzim prone e lidhje kontrate" për pronën nr. 11, ish-kompleksi sportiv Partizani.
“I pyetur përgjatë hetimit shtetasi Vladimir Qiriazi ka deklaruar se: Unë i thashë Ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha "Duhet firmosur" por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa me tha se kjo gjë mund te shkonte deri në masë se faktikisht ne raportin e komisionit te auditit Ministrit Oketa i kërkohej qe unë te ndëshkohesha me mase disiplinore”, thuhet në dosjen e SPAK për “Partizanin”.
Gjeneral Qirjazi përmes një letre të dërguar vetëm pak ditë para takimit e kishte informuar ministrin Oketa se urdhrin për privatizimin e Partizanit nuk mund ta firmoste dot pasi “Prona nr. 11 nuk është marrë në administrim nga Komanda e Mbështetjes; nuk është kontabilizuar në librat e llogarisë pasi nuk u është dorëzuar asnjëherë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes; nuk disponojnë çertifikatë pronësie të kësaj prone, nuk kanë në administrim asnjë dokument për privatizimin e pronës”.
SPAK përshkruan në dosje, një letër të gjetur në kryeministri, fotokopje, e cila nuk rezulton në arkivën e qeverisë. Duket se bëhet fjalë për një ankesë të familjeve të pronarëve të tokës për gjeneralin që po pengonte procedurën.
“Ne Kryeministri, është gjendur një shkresë fotokopje (por jo origjinalja) e datës 30.03.2009, drejtuar z. Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë "Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar" nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari.
Dalja kundër Sali Berishës i kushtoi Vladimir Qirjazit, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim. Sali Berisha përdori ministrin e Mbrojtjes Oketa dhe zyrën anti korrupsion në Kryeministri, për t’u bërë presion me kontrolle korruptive dhe shkarkim Gjeneralit Vladimir Qirjazi. Për të gjitha këto ish ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa pritet të pyetet sot në GJKKO.
Veç ish ministrit Oketa janë thirrur për të dëshmuar sot edhe Elvira Lame, Paro Laçi dhe Isa Tare. Ky i fundit duhet të dëshmonte që në seancën e 22 qershorit, por tha se ndodhej jashtë shtetit.
Seancën e kaluar, dëshmi e fortë ishte ajo e Ylli Pangos, ish-ministrit të Sporteve, i cili tha se kishte qenë kundër ndryshimit të destinacionit të ambienteve të ish-klubit Partizani, pra ndërtimit të 19 kullave atje. Tha se edhe ndryshimi ligjor i vitit 2008 që e bënte të mundur këtë nuk ishte iniciativë e tij, por propozim i qeverisë Berisha.
Berisha akuzonte direkt Pangon më 18 qershor 2008 se me propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive. Megjithatë, në GJKKO ish-ministri mohoi të kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e qeverisë që vendosi kalimin e ligjit në Këshillin e Ministrave.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









