Por edhe një detaj i çuditshëm mes të tjerëve: Megjithëse Shqipëria ka 1/12th të të ardhurave bruto për frymë krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, niveli i rrezikshmërisë të vdekshmërisë së nënave është afërsisht i njëjtë në të dy vendet.
SHQIPËRIA, MË NEGATIVJA NË BALLKAN
Në studim, Shqipëria, edhe pse ka përgjysmime statistikore pozitive, mbart ende nivelin më të lartë të vdekshmërisë në ditën e parë të lindjes nga çdo vend tjetër në Gadishullin Ballkanik. Sipas raportit të përvitshëm të "Save the Children" - Situata e Nënave në Botë, 2013 të porsalindurit shqiptarë kanë 50% më shumë gjasa për të vdekur në ditën e lindjes se sa foshnjat e lindura në Kroaci, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.
Raporti paraqet Treguesin e Rrezikshmërisë në Ditën e Lindjes, i pari në llojin e vet, i cili krahason nivelin e vdekshmërisë foshnjore në ditën e lindjes të 186 vendeve dhe konstaton se në shumicën e vendeve, fëmijët janë më shumë të rrezikuar në ditën e lindjes. Në Shqipëri, 18% e të gjithë vdekjeve nën moshën 5 vjeç ndodhin në ditën e lindjes së fëmijës, ndërsa 50% ndodhin brenda muajit të parë të lindjes.
Bota ka bërë progres të jashtëzakonshëm që nga viti 1990 në reduktimin e vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave, përfshirë këtu edhe progresin e Shqipërisë. Numri i fëmijëve që vdesin nën 5 vjeç në mbarë botën çdo vit është ulur me mbi 40%, nga 12.milionë-6.9 milionë. Por, pak progres është bërë për fëmijët e porsalindur të cilët janë më të rrezikuar nga të gjithe.
Treguesi i Nënave 2013, i vlerëson të gjitha vendet duke u bazuar në pesë tregues: rrezikun e vdekshmërisë së nënave, nivelin e vdekshmërisë të fëmijëve nën 5 vjeç, mesataren e viteve të shkollimit, të ardhurat kombëtare bruto për frymë dhe pjesëmarrjen e grave në qeverisje. Shqipëria renditet e 81-ta ndaj 176 vendeve në Treguesin e Nënave.
STATISTIKA SHTESË MBI SHQIPËRINË
Niveli i rrezikut të vdekshmërisë së nënave, gjatë shtatzënisë apo lindjes është 1 në 2,200 dhe Shqipëria renditet i 48-i në listën e vendeve me rrezikshmëri më të ulët në botë. Ndërsa ne vendet fqinje si Greqia dhe Italia: rreziku i vdekshmërisë së nënave është më pak se 1 në 20,000.
Në 14 vdekje fëmijësh për 1,000 lindje ose ndryshe 1 në 70, Shqipëria renditet e 65-ta në mbarë botën për vdekshmërinë e fëmijëve nën moshën 5 vjeç.
Megjithëse Shqipëria ka 1/12th të të ardhurave bruto për frymë krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës niveli i rrezikshmërisë të vdekshmërisë së nënave është afërsisht i njëjtë në të dy vendet.
Shqipëria renditet më lart në treguesit shëndetësor krahasuar me treguesin që lidhet me zhvillimin ekonomik. Për pjesëmarrjen e grave në qeverisje, Shqipëria renditet mes 40% të vendeve me nivelin më të ulët dhe për mesataren e viteve të shkollimit në 30% të vendeve me nivelin me të ulët.
STATISTIKAT NËPËR BOTË
Çdo vit në botë, thuajse 3 milionë foshnje vdesin brenda muajit të parë të jetës, shumica nga shkaqe të parandalueshme. Më shumë se 1 milion foshnje vdesin ditën e parë të jetës - duke e bërë ditën e lindjes më të rrezikshmen për të porsalindurit dhe nënat. Sipas raportit, Republika Demokratike e Kongos (DRC) është vendi më i vështire në botë për të qenë nënë - dhe Finlanda vendi më i mirë.
Në të gjithë botën, më shumë se 80% e të gjithë vdekjeve të foshnjave të porsalindura shkaktohen nga komplikacionet gjatë shtatzënisë dhe lindjeve të parakohshme apo infeksione të rënda. Përveç kujdesit të pamjaftueshëm për fëmijën, një tjetër shkak kryesor i vdekjeve për të porsalindurit, në vendet në zhvillim përfshirë këtu edhe Shqipërinë, është shëndeti i dobët dhe ushqyerja e nënave, sidomos gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës menjëherë pas lindjes.
Raporti i Save the Children “Situata e Nënave në Botë”, hedh dritë mbi çështjet më sfiduese me të cilat përballen nënat dhe fëmijët. Raporti i këtij viti ndalet veçanërisht në ditën me kritike të jetës për një foshnje të porsalindur, siç është dita e parë e lindjes. Ai sjell të dhëna nga kërkimet më të fundit, që hulumtojnë thellë nëpër statistika dhe konstaton se dita a parë e lindjes është dita më e rrezikshme në jetën e fëmijës.
MASAT PËR TË NDRYSHUAR GJENDJEN
“Save the Children” i bën thirrje udhëheqësve në botë të ndërmarrin veprime kombëtare dhe ndërkombëtare të përshpejtojnë përpjekjet në luftën kundër vdekshmërisë të porsalindurve, fëmijëve dhe nënave, duke:
Forcuar sistemet shëndetësore në mënyrë që nënat të asistohen më mirë gjatë lindjes nga punonjës shëndetësor të kualifikuar. Ata mund t’u sigurojnë ndërhyrje që ju zgjat jetën të gjithë nënave dhe fëmijëve. Përveç kësaj duhen siguruar më shumë fonde për programet e shëndetit të nënës, fëmijës dhe të porsalindurve: duhet investuar më shumë tek punonjësit e sistemit shëndetësor parësor për të asistuar nënat dhe foshnjat më të rrezikuara në komunitet.
Luftuar shkaqet e vdekshmërisë tek të porsalindurit, sidomos pabarazinë gjinore dhe kequshqyerjen. Duke ndihmuar nënat, për një gjendje më të mirë dhe të qëndrueshme - fizikisht, financiarisht dhe ne aspektin social – ndihmojmë fëmijët të mbijetojnë, të rriten të shëndetshëm dhe të zhvillohen.
Investuar në zgjedhje me kosto-të ulët që reduktojnë në mënyrë të ndjeshme vdekshmërinë për të porsalindurit. Ndërhyrjet e thjeshta dhe medikamentet në lindje mund të parandalojnë dhe trajtojnë infeksionet vdekjeprurëse. Ushqyerja vetëm me gji duhet të inkurajohet. Këto praktika kushtojnë shumë pak, por mund të shpëtojnë qindra e mijëra jetë foshnjash çdo vit. Përveç kësaj, asistuesit shëndetësor në lindje duhet të jenë të mire trajnuar dhe te mbështeten me pajisje dhe medikamente të nevojshme.
Rritur përkushtimin dhe burimet financiare për të shpëtuar jetën e nënave dhe të foshnjave.
BERISHA: SHQIPËRIA, VDEKSHMËRI FOSHNJORE NJËSHIFRORE
Kryeministri Berisha në mbledhjen e 4 prillit 2013 të qeverisë, por dhe në takime të tjera, ka deklaruar se "Shqipëria rendit në grupin e vendeve të zhvilluara përsa i përket vdekshmërisë foshnjore".
“Treguesi për vdekshmërinë foshnjore është ulur. Për herë të parë vendi ynë arrin këta tregues themelorë të jetës, duke u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara me mortalitet infantil 1 shifror”, tha Berisha. Për kryeministrin Berisha, ulja e vdekshmërisë foshnjore është rezultat i zhvillimit të gjithanshëm të vendit.
“Asgjë nuk shpreh më shumë se kjo renditje shkallën e zhvillimit ekonomik dhe social, gërshetimin e këtij zhvillimi. Shqipëria për fatin e keq të saj ka pasur nivele afrikane të vdekshmërisë, ndërkohë sot ka një mortalitet infantil 1 shifror, kjo është arritje për vendin”, ka bërë të ditur Berisha, duke theksuar se “arritja është rezultat i zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit, por është gjithashtu dëshmi e një sistemi shëndetësor efikas”.
Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)