Savra është një lagje e jashtme e qytetit të Lushnjes, vetëm 3 kilometra larg saj. Një lagje e varfër dhe pa formë, larg, shumë larg Europës, ku duam të shkojmë. Një lagje e ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste dhe shëndrruar në një geto për mbi 1.500 jetë njerëzish. Pikërisht këtu, regjimi i egër komunist, ngriti një kamp internimi për kundërshtarët e tij politik. Njerëzit, që vuajtën këtu ferrin dantesk për më shumë se 40 vjet, qysh nga koha e krijimit të kampit, e quajtën Savrën gulagun shqiptar, pas atij të Spaçit, Gradishtës dhe Tepelenës.