/ATSH-AFP/ - Greqia nuk ka paraqitur propozime thelbësore që prej javës së kaluar dhe në këto kushte samiti i zonës euro që do të zhvillohet sot në mbrëmje në Bruksel do sjellë pak gjëra, deklaroi ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble.
"Nuk e di se si, pa propozimet thelbësore, do të përgatisim samitin e zonës euro që është parashikuar në mbrëmje", theksoi ministri gjerman pas mbërritjes në vend.
"Sot do të jetë rasti për të bërë një vlerësim të parë, është një bazë e fortë për diskutimet e tjera", theksoi kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, me mbërritjen në një takim të me ministrat e Financave të 19 vendeve të eurozonës në Bruksel.
Kryeministri grek, Aleksis Cipras u takua sot në mëngjes me drejtuesit e institucioneve kreditore të Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar para samitit të jashtëzakonshëm të shefave të qeverive dhe të shteteve në Bruksel, tha sot një burim qeveritar grek pranë bisedimeve.