Scholz: Pranimi i shpejtë i Ukrainës në BE do të ishte i padrejtë për Ballkanin

Scholz: Pranimi i shpejtë i Ukrainës në BE do të ishte i padrejtë për Ballkanin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të përshpejtohen, pavarësisht pushtimit të Rusisë.

“Nuk ka rrugë të shkurtra për në BE”, tha Scholz para Budestagut gjerman më 19 maj, duke shtuar se nëse do të bëhej një përjashtim i tillë për Ukrainën, do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po ashtu aspirojnë anëtarësimin në bllok.

“Procesi i pranimit nuk është çështje e muajve apo viteve”, tha Scholz.

Scholz tha se ka mënyra të tjera për të ndihmuar Ukrainën në terma afatshkurtër, duke shtuar se prioritet duhet të jetë “përqendrimi në mbështetjen e shpejtë dhe pragmatike të Ukrainës”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka thënë se do të duhen “dekada” për një kandidat, si Ukraina, që t’i bashkohet BE-së, duke sugjeruar krijimin e një organizate të re politike, ku do të mund të përfshiheshin shtetet joanëtare të bllokut, përfshirë edhe Britaninë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, reagoi pas deklaratës së Scholzit.

“Paqartësitë strategjike mbi perspektivën evropiane të Ukrainës, që po praktikohen që disa vjet nga disa kryeqytete të BE-së kanë dështuar, dhe këto praktika duhet të marrin fund”, tha ai përmes Twitterit.

Scholz në fjalimin më 19 maj po ashtu tha se do të marrë pjesë në samitin e BE-së në fund të muajit, ku do të paraqesë “mesazh të qartë se Ballkanin Perëndimor e ka vendin në BE”.

“Për vite me radhë, ata po ndërmarrin reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim”, tha Scholz.

“Nuk është vetëm çështja e besueshmërisë sonë që ne t’i mbajmë premtimet e dhëna për ta. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është po ashtu interesi ynë strategjik”, tha kancelari gjerman.

Në samitin e liderëve të bllokut të mbajtur në Slloveni në tetor në vitit të kaluar, blloku dështoi që të jepte afate për anëtarësimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, por në fund të këtij samiti, liderët thanë se janë të përkushtuar për procesin e zgjerimit.

Kjo deklaratë e BE-së u prit me zhgënjim nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia./REL

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës