Seanca e Frikshme

Seanca e Frikshme
Ajo që pritej ndodhi. Çkishin paralajmëruar prej ditësh politikanët më të vjetër, çfarë I trembeshin të majtët ndodhi. Kryeministri Sali Berisha dy muaj përpara zgjedhjeve, vuri dorë mbi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Edhe me ndihmën e votave të ish-socialistëve, Kuvendi, pa praninë e opozitës, ka shkarkuar anëtarin Ilirian Muho dhe ka emëruar si anëtar të ri të KQZ, Klement Zgurin.

Një vendim i frikshëm për të ardhmen e zgjedhjeve. Pavarësisht justifikimeve me shkarkime, me vendime të viteve më parë, tabloja ishte e qartë: mazhoranca dhe Berisha përdorin sërish forcën e kartonit për të bërë çfarë duan. As paralajmërimet e qarta të ambasadorit amerikan dhe ambasadës amerikane, as deklaratat e përsëritura të Bashkimit Europian, nuk e kthyen nga rruga Berishën dhe maxhorancën.

Gjuha e përdorur dje, edhe në prani të ambasadorit amerikan në sallën e Kuvendit, ishte gjuha e sfidantit që lëshon dorashkën ndaj kundërshtarit, dhe jo e politikanëve që përpiqen për vendin. Ajo e djeshmja ishte një seancë e turpshme në sytë e ndërkombëtarëve dhe e frikshme për shqiptarët. Me pak fjalë, votat e djeshme, edhe të ish-socialistëve, treguan përfundimisht se në këtë vend nuk ka më asnjë institucion, i cili sadopak mund të kishte pavarësi.

Ajo e djeshmja ishte një seancë që brenda një ore tregoi qartë se si do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Mazhoranca e sotme do të përpiqet me të gjitha mundësitë, me të gjitha format, me të gjitha mënyrat, që të jetë ajo sërish maxhoranca e ardhshme. Ajo e djeshmja ishte një seancë që tregoi se për pak ditë të njëjtin skenar, por ndoshta në përmasa më të vogla do t’i shohim edhe për KZAZ-të dhe KQV-të, ku sërish mazhoranca e sotme do të përpiqet ti marrë në zotërim.

Ajo e djeshmja ishte një seancë që tregoi se për të mbajtur një vend deputeti, mund edhe të durosh fyerjet, përbuzjen dhe sharjet e ish-kolegëve të tu, madje edhe të votuesve të tu. Ajo e djeshmjua ishte një seancë, kur përfundmisht u tregua se Berisha as i ka pasur ndonjëherë në mendje institucionet jo politike. Vetëm duke i pasur këto institucione nën urdhërat e tij, ai do të hyjë në zgjedhje dhe do të përpiqet t’i deformojë ato.

Nuk ishte një ditë e lehtë për opozitën shqiptare. Pavarësisht fjalimeve, takimeve, thirrjes së logjikës, përfundimisht duhet ta kenë kuptuar se përballë Berishës politika elegante nuk pi ujë. Por megjithatë seanca e djeshme ishte një damar lidhës mes PS dhe LSIsë, e për më tepër mes opozitës së bashkuar dhe elektoratit të saj.

Nuk ishte ditë e lehtë as për ndërkombëtarët, e sidomos për ambasadorin Arvizu. Sot në mëngjes ai deklaroi shumë seriozisht se nuk mendonte se ka ndonjë që do ta çojë Shqipërinë në përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar përsa i përket zgjedhjeve të lira e të ndershme, sigurisht duke iu referuar pretendimit për ndërhyrje në KQZ. Dje në mbrëmbje, nga lozha e tij në sallë, Aleksandër Arvizu pa me sytë e tij, se ka një njeri që mund ta bëjë këtë. Ai është Sali Berisha.

Redaksionale e Gazetës Shqiptarja.com

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Aerodromi i Gjirokastrës kthehet në qendër të turizmit sportiv

Aerodromi i Gjirokastrës kthehet në qendër të turizmit sportiv