Seanca paraprake për dosjen “Meta”, me të pandehur ish-presidentin, Monika Kryemadhin, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun është shtyrë sërish këtë të enjte. Shkak u bë bojkoti i gjyqeve nga avokatët. Seanca e radhës për ish presidentin do të mbahet më 28 tetor, ora 09:00.

Seanca e kaluar u shty me kërkesë të avokatit të tij, Kujtim Cakrani me pretendimin se në fletën e njoftimit për thirrjen në seancë nuk ishte bërë me dije emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.

Ndërkohë po sot Apeli i GJKKO ka rrëzuar ankimimin e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë. 

Një ditë më parë, GJKKO rrëzoi sërish Metën për ndryshimin e masës së sigurisë pasi pretendonte se janë shkelur të gjitha afatet e paraburgimit. Më 16 tetor edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij për masën e sigurisë.

Ish-presidenti ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit të kaluar ndërsa është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Edhe Monika Kryemadhi përballet me të njëjtat akuza si ish bashkëshorti i saj, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:48
Monika Kryemadhi shkon në GJKKO me duar në xhepa dhe e buzëqeshur (VIDEO)

 

Ish-kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është paraqitur sot në GJKKO.

Siç shihet nga pamjet, Kryemadhi e buzëqeshur dhe me duar në xhepa, ka hyrë në Gjykatën e Posaçme, në lidhje me masën e sigurisë.

Ndaj saj është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’.