Projektbuxheti i vitit 2026 u prezantua për herë të fundit në Kuvend, dhe pritet të kalojë në votim nen për nen dhe në tërësi. Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, tha se janë pranuar kërkesat e 7 komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione me vlerë 504.9 milionë lekë, që do të mbulohen brenda tavaneve të parashikuara në buxhet.
SHTESAT E BËRA NË BUXHET
1. Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shtohen 30 milionë lekë shpenzime personeli për mbajtjen e një strukture tranzitore punonjësish të miratuar me vendim Kuvendi jo më shumë se 28 punonjes për një periudhë 6-mujore, me qëllim mbylljen e plotë të aktitivetit administrativ të institucionit.
2. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë shtohen shpenzimet operative me 2 milionë lekë për nevoja të institucionit.
3. Në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë shtohen shpenzimet kapitale me 123 milionë lekë për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve, në përputhje me rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit.
4. Në Gjykatën Kushtetuese shtohen shpenzimet kapitale me 2 milionë lekë për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes nga zjarri.
5. Shtohen 14 punonjës në organikë (6 këshilltarë dhe 3 koordinatorë për 3 komisionet e reja të përhershme, si dhe 5 këshilltarë pranë grupeve parlamentare); Shtohen shpenzimet me 145 milionë lekë
6. Në Kontrollin e Lartë të Shtetit shtohen shpenzimet operative me 5 milionë lekë për organizimin e Konferencës së të Rinjve - EUROSAI.
7. Në Komisionerin e Prokurimit Publik shtohen shpenzimet operative me 7 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit të ankimeve elektronike (faza II).
8. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave shtohen shpenzimet operative me 10 milionë lekë për procesin e digjitalizimit të arkivave.
9. Në Prokurorinë e Përgjithshme shtohen 17 punonjës në organikë (pa shtuar shpenzimet e personelit) për të adresuar çështjen e sigurisë në Prokuroritë.
10. Në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shtohen shpenzimet kapitale me 6 milionë lekë për financimin e projektit e-learning dhe për vendosjen e një tende kupole në ndërtesën e institucionit.
11. Në Institutin e Statistikave shtohen shpenzimet kapitale me 36.9 milionë lekë për realizimin e Censusit të Bujqësisë.
12. Në Komitetin Shtetëror për Kultet Fetare shtohen shpenzimet korrente me 60 milionë lekë për të kompensuar pagat e mësuesve dhe aktivitetin e tyre.
Këto ndryshime do të përballohen brenda tavaneve buxhetore tha Ekonomi.
“Totali i shtesave në buxhet prej 504.9 milionë lekësh do të përballohet nga këto burime: 436.9 milionë lekë pakësohen në Ministrinë e Financave në programin “Ekzekutimi i pagesave”, në shpenzime korrente, 70 milionë lekë pakësohen në grupin 87, programi “E-Qeverisja”, në shpenzime korrente”, tha Ekonomi.
Sa i takon 50 amendimeve të opozitës Ekonomi tha se cenonin parametrat fiskale pasi rrisnin me 278.9 mld lekë shpenzimet.
"Këto amendime shkonin në 278.9 miliardë lekë, që ishte dhe më e madhe sesa 10% e GDP-së, kërkesa që vinte nga e deputetët e opozitës. Në fakt shpenzimet tona zënë 31.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo rritje kaq e lartë që kërkonte opozita cenonte pikërisht konsolidim fiskal të gjithë buxhetit të shtetit që ishte paraqitur përpara komisionit të ekonomisë dhe financave nga qeveria. Për këtë arsye, të gjitha nuk u pranuan amendimet që erdhën nga opozita, duke pasur parasysh se cenonin pikërisht të konsolidim fiskal dhe nuk ishin të argumentuar në mënyrë të qartë, burimin se nga do të realizoheshin shpenzimet”, tha Ekonomi.
Lajmi në përditësim...
Deputeti i PS, Erion Braçe ka kundërshtuar ashpër projektligjin për gjuetinë. Braçe ironizoi Ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe deputetin Vullnet Sinaj që mbrojtën ligjin, ndërsa kritikoi ashpër përkufizimin e kurtheve për të kapur kafshët.
Braçe ngriti shqetësimin edhe për distancat e sigurisë, duke thënë se 300 metra larg shkollave apo zonave të banuara nuk mjafton, sidomos kur gjuetarët mund të mos kenë përvojën e duhur.
Kritika të forta pati edhe për moshën minimale të gjuetarëve, që propozohet të jetë 25 vjeç.
'Imagjinoni një shpend që kapet në këtë mënyrë me kurth, kush është kafsha këtu? Ministria përgjegjëse për gjuetinë dhe ministri që e mbron këtë ligj duhet ta shohin këtë realitet. Si mund të jetë gjuetia “estetike”? Si mund të quhen “produkte estetike” ato që vijnë nga gjuetia? Si mund të jetë estetik një shpend i qëlluar, i gjakosur? Ka edhe përkufizime për produkte “kulturore” dhe “studimore”. Si mund të quhen kështu?
Po shkoj më tej: në përkufizime thuhet që zonat e gjuetisë të mos përfshijnë qendra ekonomike, sportive dhe fetare dhe të jenë 300 metra larg tyre. Po të jetë një gjuetar pa nishan, e kuptoni çfarë mund të ndodhë 300 metra larg një shkolle? Për zonat e mbrojtura, distanca është vetëm 200 metra. Kjo nuk garanton asgjë.
Gjuetar konsiderohet personi fizik, shtetas shqiptar ose i huaj, që ka mbushur moshën 25 vjeç. Këta 25‑vjeçarët i keni në poligone duke bërë qitje, duke u stërvitur për të qëlluar në shenjë, dhe tani u jepni pushkë për t’u stërvitur me shënjestra të gjalla, që janë kafshët. Kjo mosha 25- vjeç nuk vlen më, s'mund të bëhet gjuetar në atë moshë, se nesër e ke kontingjent krimi', tha ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla gjithashtu uroi drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho duke e cilësuar procesin e përzgjedhjes si të denjë për një vend demokratik.
Ai shprehu krenarinë për kontributin e PS-së në këtë proces dhe uroj që punët e mira të nisura nga drejtuesi i mëparshëm, Altin Dumani, të vazhdojnë.
Balla komentoi edhe festën e 35-vjetorit të PD-së, ku tha se uron që për 36-vjetorin, të mos jenë kaq e hallakatur dhe se nëse do të ftonin edhe nga PS do të ishin pjesë e festës.
‘Doja ti uroja kolegët e PD që kanë ikur në festën e partisë së tyre, ta gëzoni 35- vjetorin dhe urojë që 36 vjetori mos t’ju gjejë kaq të hallakatur, po keni harruar traditën e vjetër që ftonit edhe kundërshtarët, nëse do të na kishit ftuar edhe ne do të kishim ardhur.
Dua të urojë punë të mbarë drejtuesit e ri të SPAK. Ishte një procesi që i ka hije një vendi demokratik. Mes 4 kandidatëve u zgjodh njëri që të drejtojë këtë institucion të drejtësisë dhe ne jemi krenar sepse kemi dhënë kontributë. Urojmë të vijoi më tej punët e mira të nisura nga Altin Dumani. U vaftë sa më mbarë’, tha ai.
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se kreun e PL Ilir Meta po e mbajnë në burg të izoluar pa asnjë provë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Blushi krahasoi situatën në Shqipëri me atë të Rusisë, duke theksuar se edhe në regjimin e Vladimir Putinit kritikët e tij, përfshirë Alexey Navalnyn, lejoheshin të jepnin intervista nga burgu.
Ai tha se edhe Avokati i Popullit konstatoi shkelje të rënda ndaj ish-presidentit Meta, përfshirë kufizimin e takimeve, moslejimin e deputetëve për ta vizituar dhe ndalimin e bisedave telefonike.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kërkojnë takime me Metën, duke theksuar se kjo e drejtë u njihet me ligj.
'Një nga denoncuesit e koncensioneve sot ndodhet në burg pa prova. I kujtojë Ministrit të Drejtësisë dhe kryeministrit që të paktën respektoni standardet e Rusisë së Vladimir Putinit, ku Navalny që humbi jetën në burgje lejohej edhe të jepte intervista për mediat. Një tjetër kritik i Putinit që ishte në burg lejohej që të jepte intervista për mediat, kurse në Shqipërinë e Edi Ramës nuk lejohen.
Rama është tmerruar nga të vërtetat e Ilir Metës. Avokati i popullit ka konstatuar 4 shkelje të rënda, kufizimi i takimeve të Metës, mos lejimi i deputetëve që ta takojnë dhe ndalimi i telefonatave të tij. Përpiquni që të arrini standardet e Vladimir Putinit. Meta është burgosur pa asnjë provë, është shkelje e rregullores europiane të burgjeve dhe e rregullave të kombeve të bashkuara.
Një shtet serioz duhet që ti lejonte që të komunikonte me mediat dhe të ushtronte aktivitete sportive që ky regjim i Metës nuk ja mundëson sot Metës. U bëjë thirrje deputetëve të opozitës që të kërkojnë takime me Metës sepse këtë ua mundëson ligji. Përveç të drejtës së takimeve, e drejta për biseda telefonike nuk mund që të kufizohet. Ministri i Drejtësisë të mos fshihet pas urdhrave të Ramës. Sot hajdutët janë të lirë dhe denoncuesit janë pas hekurave pa bërë asnjë vepër penale. Kjo betejë do të fitohet nga Meta si i ka fituar të gjitha betejat’, tha ai.
Depetja e PD Jorida Tabaku, gjatë fjalës saj në Kuvend, ka folur për projektligjin për koncensionet dhe partneritetin publik privat.
Tabaku e cilësoi mungesën e transparencës si problemin më të madh. Ajo theksoi se pjesa më e madhe e kontratave aktuale janë në shkelje të standardeve të BE-së dhe kërkoi vendosjen e barrierave të reja ligjore për të kufizuar operatorët, sidomos ata që sipas saj kanë kryer abuzime.
'Ligji që vjen sot ka disa probleme, të cilat dua t’i theksoj dhe t’i përmend. Në vitin 2023 kam paraqitur disa propozime ligjore për të afruar praktikën më të mirë të vendeve të Bashkimit Europian në procedurat e koncesioneve dhe partneriteteve publike–private në Shqipëri. Dhe në fakt, z. Braçe përmendi një nga problematikat kryesore që ka ligji: mungesën e transparencës. Transparencë sa i përket prokurimeve publike, por edhe vetë koncesioneve. Pyetja është: Çfarë do të ndajë qeveria me publikun? Cilët janë informacionet që duhet të jenë publike për qytetarët? Qeveria ka vendosur që të jetë minimaliste me informacionin që ndan. Ka vendosur që jo gjithmonë të japë informacion që nga gjeneza e një koncesioni – që nga kërkesa apo momenti kur nis procedura koncesionare – por përpiqet ta zëvendësojë këtë me një “pasaportë për biznesin” dhe për kompanitë që do të operojnë.
Ndërkohë, legjislacioni i Bashkimit Europian kërkon standardin më të lartë të transparencës në prokurime: pasqyrim të çdo faze – nga analiza, tek miratimet ndërinstitucionale, tek raportet e performancës që duhet të publikojnë ministritë, e deri tek kontrata koncesionare, e cila normalisht duhet publikuar pasi miratohet. Deri më sot, asnjë nga kontratat koncesionare të qeverisë shqiptare nuk është e publikuar e plotë. Edhe ky ligj, nëse miratohet kështu, do të ruajë të njëjtin standard: asnjë nga kontratat koncesionare nuk do të ofrohet në transparencë të plotë. Kjo është mangësia e parë. Për këtë arsye kam përgatitur disa amendamente që do t’i diskutojmë gjatë miratimit nen për nen. Unë besoj se është e domosdoshme të zgjerohet lista e dokumenteve që duhet të publikohen: studimet e fizibilitetit, dokumentet e tenderit, vetë kontrata, ndryshimet kontraktuale, miratimet e ministrive. Sepse, nëse shikoni problemet që kanë sot kontratat koncesionare, ato lidhen pikërisht me këto elementë.
Hapësira e lënë në errësirë u ka dhënë mundësi ministrave, zëvendëskryeministrave, çdo nivelet politik, të ndryshojnë kontratat me një mesazh apo me një vendim të mbyllur. Nëse kjo hapësirë do të ishte e kufizuar dhe këto dokumente do të ishin transparente, unë besoj se një pjesë e madhe e këtyre abuzimeve nuk do të kishin ndodhur. Së dyti, duhet të ketë përjashtim nga asetet, fondet dhe shërbimet publike të një grupi kompanish dhe operatorësh të cilët: kanë kryer korrupsion, mashtrim, falsifikim, pastrim parash, kanë marrë pjesë në grupe kriminale. Sepse sot kemi rrezikun real që kontratat koncesionare dhe partneritetet publike–private po përdoren për pastrim parash.
Nuk e them vetëm unë, këtë e thotë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe ky është një standard që ne duhet ta vendosim. Duhet një standard i qartë se ku shkojnë paratë publike, dhe njëkohësisht kufizim i numrit të kontratave që mund të marrë një kompani e vetme.
Sot, pothuajse të gjitha kontratat koncesionare janë të përqendruara në 5–10 kompani. Nëse një kompani që nuk respekton punimet dhe standardet, merr 80% të fondeve, merr tender pas tenderi, atëherë më vjen keq, por kjo kompani nuk duhet të ketë më akses në financat publike.
Nuk mund të marrë tenderin tjetër, e kështu me radhë, deri sa të kufizohen mundësitë dhe të hapet gara reale për operatorët e tjerë në treg. Çdo kompani që kryen këto shkelje duhet të skualifikohet nga gara', tha ajo.
Në Kuvend po diskutohet për projektligjin ‘Për Koncesionet’, që është për miratim këtë të enjte.
Ky projektligj parashikon që në Shqipëri nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar, hiqet praktika e kontratave me tarifën simbolike 1 euro si dhe përcakton se Ministria e Financave do të miratojë paraprakisht çdo studim fizibiliteti e projekt-kontratë, rivlerëson transferimet, ndryshimet kontraktore, kërkon raporte tremujore monitorimi dhe përgatit raportin vjetor të portofolit PPP.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe tha nga foltorja e parlamentit se një problem serioz, që mund vë në rrezik edhe sigurinë kombëtare, është transferimi i kontratave të subjkteve private me shtetin të përfituara nëpërmjet prokurimeve publike, nga vetë fituesit tek palë të treta.
"Ne kemi përvoja shume të lidhura me transferimin e kontratave. Mjafton të vihet në vëmendje fakti që aeroporti i Rinasit në formën e vet origjinale menaxhohej nga një koncorsium parëndimor dhe që është dorëzuar në koncesion kinez, dhe ka të bëjë me sigurinë kombëtar. Sidomos në fushën e energjisë që ka lidhje me gazin, naftë e të tjerë me radhë nuk kemi marrë mjaftueshëm investime në Shqipëri, me transferimin e kontratave nga aksionerë amerikanë në kinezë",- tha ndër të tjera Braçe.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin ‘Për Koncesionet’, që është për miratim këtë të enjte në parlament.
Ky projektligj parashikon që në Shqipëri nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar, hiqet praktika e kontratave me tarifën simbolike 1 euro si dhe përcakton se Ministria e Financave do të miratojë paraprakisht çdo studim fizibiliteti e projekt-kontratë, rivlerëson transferimet, ndryshimet kontraktore, kërkon raporte tremujore monitorimi dhe përgatit raportin vjetor të portofolit PPP.
“Rrisia më e madhe që ky projektligj është lidhja e detyrueshme me projektet e PPP-së sistemi i kontrollit të menaxhimit të investimeve publike. Pra çdo projekt me ndikim të lartë fiskal ekonomik do të kalojë të njëjtat filtra si investimet publike. Analizë kosto përfitimi, fizibilitet teknik financiar dhe vlerësim për qëndrueshmëri afatgjatë. Ligji parashikon rregulla të qarta për bashkitë dhe njësitë vendore. Pra projektligji vendos kriteret e zhvillimit dhe mekanizma koordinimi në nivelin qendror për të shmangur angazhimin e bashkive në kontrata afatgjata pa kapacitete dhe pa vlerësimi të ndikimit fiskal”, tha Ibrahimaj.
Një risi që i shtohet këtij ligji është edhe “Njësia e Zbatimit të Kontratës’, e cila do të ngrihet në autoritetet kontraktuese dhe do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e kontratës, dhe monitorimin e performancës së kontratës, mënyrë për të shmangur zvarritjet.
“Ligji parashikon të caktojë një agjenci me rol teknik, këshillues dhe vendos standarde. Ai mbështet autoritetet, dhe i mbikëqyr kontratat. Njësitë e zbatimit të kontratave duke vendosur një standard të ri në cilësi dhe në transparencë dhe në mbikëqyrje. Ligji parashikon ngritjen e njësive të zbatimit të kontratave, ku për herë të parë do të ngrihen si njësi të posaçme pranë çdo autoriteti, të cilat do të monitorojnë kontratat dhe gjithashtu do të ruajnë në memorien institucionale për të gjitha kontratat koncesionare të miratuara për secilin institucion. Ligji funksionalizon regjistrin elektronik ku depozitohen të gjitha dokumentet kryesore të procedurave të kontratave dhe duke rritur në të mënyrën transparencën dhe llogaritjen. Ligji përditëson gjithashtu të gjitha përcaktimet kryesore që lidhen dhe përputhen direkt me direktivat e BE-së që janë të lidhura me koncesionet. Ligji parashikon një kontroll fiskal të fortë për çdo projekt dhe çdo ndryshim me ndikim financiar i nënshtrohet miratimit nga Ministria e Financave. Raportimi bëhet katër herë në vit me raportin vjetor i paraqitet Kuvendit”, tha Ibrahimaj.
Për koncesionet gara do të jetë vetëm me procedurë të hapur, ndërsa kur lidhen kontratat e ‘Partneritetit Publik Privat’ do të ketë edhe procedurë e kufizuar; procedurë konkurruese me negociim dhe procedurë me negociim me shpallje paraprake të njoftimit.
Përmes projektligjit theksohet se institucionet do të bëjnë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike. Deri më tani këto janë konsideruar konfidenciale nga operatorët privatë.
Aktualisht në vend janë të lidhura 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja tha ministrja.
“Deri në vitin 2024 janë 233 kontrata koncesioni apo PPP-ja, kryesisht në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, me një peshë investimesh që kap 27% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga këto vetëm 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore direkte dhe pagesat për to janë 2.2% të të ardhurave tatimore, duke qenë në linjë me ligjin që është në fuqi”, tha ministrja Ibrahimaj.
Komente












