Pas disa orësh diskutime, Kuvendi ka kaluar në votimin e 40 amendamenteve të opozitës për projektbuxhetin e vitit 2027. Partia Demokratike ka paraqitur 28 propozime dhe Partia e Lirisë 12. Pas votimit të amendamenteve, pritet votimi përfundimtar i projektbuxhetit dhe i paketës fiskale.

Me votat e PS-së, Kuvendi miratoi ndryshimin që përjashton për 10 vjet nga tatimi mbi fitimin subjektet që operojnë hotele dhe resorte me 4 ose 5 yje, me status special dhe me markë ndërkombëtare. Përjashtimi zbatohet për strukturat që marrin statusin special deri në dhjetor 2029.

Projektbuxheti parashikon 976 miliardë lekë shpenzime, nga 906 miliardë këtë vit. Për investimet publike janë parashikuar 202 miliardë lekë, ndërsa 24 miliardë lekë do të shkojnë për bonusin mujor të pensionistëve dhe indeksimin e pensioneve në prill. Nga 1 korriku parashikohet të nisë edhe pagesa mujore për fëmijët deri në moshën pesëvjeçare.

Paketa fiskale parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore dhe higjienike, ndërsa norma standarde propozohet të rritet në 21%. Në TVSH do të përfshihen edhe bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi paketën “të pamëshirshme”, duke thënë se do të çojë në falimentimin e mijëra bizneseve.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:58
Paketa fiskale/ Uji i ambalazhuar hiqet nga lista me TVSH 6%, rrëzohen edhe amendamentet e PD-së për ujin e pijshëm

Kuvendi miratoi amendamentin e deputetit të PS-së, Erjon Malaj, që heq ujin e ambalazhuar nga lista e produkteve për të cilat TVSH-ja ulet në 6%. Uji i ambalazhuar ishte përfshirë më herët në listën e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.

Kuvendi rrëzoi gjithashtu amendamentet e Partisë Demokratike, që kërkonin zbatimin e TVSH-së 6% për ujin e pijshëm.

Ora 23:54
Parjashtohen me 10 vite nga tatimi mbi fitimin të gjitha investimet me status special në hotelet më 4 dhe 5 yje, amendamenti i Çakërrit miratohet me 77 vota në Kuvend! Tabaku: Ligj i qepur me porosi për klientët e pushtetit

1795732900_votim.JPG

Kuvendi rrëzoi me shumicë votash 4 amendamente të deputetes demokrate Jorida Tabaku, ndërkohë që miratoi me 77 vota amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri, për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin të gjitha investimet me status special në hotelet më 4 dhe 5 yje.

Pra përjashtohen për 10 vite nga tatimi mbi të ardhurat korporative i entiteteve që operojnë në struktura akomoduese, hotele restorte me 4-5 yje me status special që zotërojnë marka ndërkombëtar. Përjashtimi zbatohet për strukturat që marrin status special deri në dhjetor 2029.

Ndërkohë për këtë amendament, deputetja Jorida Tabaku reagoi ashpër, duke thënë se nuk ishte bërë transparent. Ajo e cilësoi amendamentin një nga ato ‘ligje special të qepura për klientët e pushtetit’.

“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e Pakicës. Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ato ndryshime që përmenden edhe në progresraport si ndryshime pa transparencë. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtet.

Ndërkohë, që i kanë premtuar KE që ligji iinvestimeve strategjike do të shfuqizohet. Kanë që në 2018 që i shtyjën favoret këtyre. Buxheti që diskutihet natën pa transpatencë. Me një amendim që nuk është publikuar, përdoren deputetët për ligje që favorizojnë interesa të veçanta”, tha Tabaku pas miratimit të amendamentit të propozuar nga deputetja Brisejda Çakërri.

Ora 23:33
Ndarja nga jeta e ish-deputetit socialist Ylli Ziçishti, deputetët në Kuvend mbajnë 1 minutë heshtje (VIDEO)

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë kanë mbajtur një minutë heshtje për kirurgun e njohur dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, është ndarë nga jeta këtë të enjte, në moshën 76-vjeçare.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje”, tha mes të tjerash kryeparlamentari Niko Peleshi.

Ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që kërkoi më herët në seancën plenare të Kuvendit mbajtjen e një minute heshtjeje në nderim të ish-kolegut të tij.

Ora 09:49
Buxheti 2027, ja 40 amendamentet e opozitës! PD: Po vidhen qytetarët! PL: Fonde shtesë për rininë, prodhimin e sigurinë

1793650128_seliaepd.JPG

Kuvendi do të miratojë sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027. Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.

28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.

Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.

Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.

28 amendamentet e PD:

1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

4 paketat e PL

1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.

 

Kliko këtu për të lexuar amendamentet e PD