Me 80 vota pro dhe 22 kundër, Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2027, më të madhin në histori, me vlerë rreth 10 miliardë euro. Kuvendi miratoi edhe pesë ligjet e paketës fiskale, që për herë të parë ulin në 6% TVSH-në për 54 produkte ushqimore dhe higjienike. Opozita votoi kundër, duke e cilësuar paketën “të pamëshirshme”, ndërsa mazhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e saj. Ndonëse bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm për një qeveri, kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në seancë dhe as në votim.

Me votat e PS-së, Kuvendi shtyu me tre vjet, nga dhjetori 2026 deri në dhjetor 2029, afatin brenda të cilit hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare mund të marrin statusin special për të përfituar përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin. Amendamenti u propozua nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri.

Votimi i papritur i këtij propozimi, pa u prezantuar as në komisione, solli reagimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku e cila akuzoi mazhorancën se e kaloi amendamentin pa e publikuar dhe se ndryshimi ishte bërë me porosi për klientët e pushtetit. Ajo tha se qeveria i ka premtuar Komisionit Evropian shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, ndërsa prej vitit 2018, sipas saj,po u zgjat favoret përfituesve.

“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e pakicës. Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ato ndryshime që përmenden edhe në progresraport si ndryshime pa transparencë. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtetit”, tha Tabaku. 

I konsideruar nga mazhoranca si më sociali ndonjëherë, buxheti i ri i shtetit arrin në 976 miliardë lekë (rreth 10 mld euro), nga 906 miliardë lekë këtë vit. Fondet do të shkojnë për investime, paga e pensione, si dhe për skemën e ndihmës ekonomike dhe bonusin e bebeve. 

Janë 202 miliardë lekë që do të shkojnë për investimet publike, 24 miliardë lekë do përdoren për bonusin mujor të pensioneve dhe indeksimin në prill, si dhe prej 1 korrikut do të nisë pagesa mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeçare.

Sa i takon borxhit publik projektohet të zbresë në përqindje në 52.4% të PBB-së, dhe i gjithë ky skenar i ligjit më të rëndësishëm ekonomik është ndërtuar mbi projeksionin e një rritje ekonomike prej 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi.

Me pesë ligjet e paketës fiskale, për herë të parë pas tri dekadash, TVSH-ja ulet nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore dhe higjienike. Kuvendi hoqi nga lista ujin e ambalazhuar, që ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Amendamenti i Erjon Malajt, kishte ardhur pasi ministria e Financave kishte parashikuar një efekt financiar të lartë. U rrëzuan edhe amendamentet e PD-së për uljen në 6% të TVSH-së për ujin e pijshëm. 

Ndërkohë rritet TVSH-ja nga 20% në 21%. Pra për çdo produkt apo shërbim tjetër barra do të shtohet. Gjithashtu rritet nga 6% në 10% edhe TVSH-ja për strukturat akomoduese me përjashtim të agroturizmit. Kurse për bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit, kalohet direkt në regjimin e TVSH-së.
Me ndryshimet e ligjit për tatimin mbi të ardhurat ulet barra tatimore për pagat deri 700 mijë lekë në muaj, ndërsa ato mbi 700 mijë lekë do të tatohen 30%. Njëkohësisht rritet në 15% tatimi mbi dividendin nga 8% që është aktualisht.

Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen. E gjithë kjo paketë fiskale, për opozitën merr para nga xhepat e qytetarëve dhe do të sjellë falimentin e mijëra bizneseve. Nga taksat, tatimet dhe miradministrimi fiskal me fokus luftën ndaj informalitetit në 2027-ën synohet të mblidhen 907 miliardë lekë.

Pasi dha votën kundër për buxhetin dhe paketën fiskale, opozita nuk priti të ezaurohej deri në fund lista e projektligjeve që do të votoheshin, por u largua. Qëndroi vetëm Bujar Leskaj, i cili bashkoi votën me socialistët për ligjin për sponsorizimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:10
Kuvendi miraton ligjin për donacionet dhe sponsorizimet me 81 vota pro! Bujar Leskaj del nga rreshti, ngre kartonin jeshil

Pas një seance maratonë dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për donacionet dhe sponsorizimet.

Projektligji mori 81 vota pro mes tyre (mes tyre edhe vota e deputetit demokrat Bujar Leskaj) dhe 0 kundër, duke siguruar shumicën e nevojshme për miratimin e tij. 

Seanca parlamentare u shoqërua me debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët patën përplasje gjatë diskutimit të projektligjit dhe qëndrimeve për të.

Në përfundim të diskutimeve maratonë, mazhoranca siguroi votat për miratimin e ligjit, ndërsa opozita votoi kundër tij.

Sipas propozimit, bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin do të mund të zbresin drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor shumën e sponsorizuar, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës. Skema synon të kanalizojë më shumë fonde private drejt sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar një alternativë financimi përtej buxhetit të shtetit.

Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet, duke përfshirë arsimin, kërkimin shkencor, shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore, ndihmën humanitare dhe zhvillimin social.

Një tjetër risi e parashikuar është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar për regjistrimin dhe monitorimin e donacioneve dhe sponsorizimeve. Gjithashtu, parashikohen rregulla për dokumentimin e kontratave, transparencën e fondeve, ndalimin e kontributeve anonime dhe kryerjen e pagesave përmes sistemit bankar..

Ora 02:59
Me 80 vota pro, miratohet buxheti dhe paketa fiskale, opozita voton kundër, i rrëzohen të gjitha amendamentet

Me 80 vota pro u miratua buxheti me vlerë 10 mld euro, ndërsa opozita votoi kundër. Të gjitha amendamentet e saj u rrëzuan.

Ora 01:33
Kuvendi miraton paketën fiskale/ Për herë të parë, TVSH-ja ulet në 6% për 54 produkte ushqimore

1795734511_kuvendiishqiperise.jpg

Kuvendi miratoi pesë projektligjet e paketës fiskale, që ulin nga 20% në 6% TVSH-në për 54 produkte ushqimore. Nga lista me TVSH të reduktuar u hoq uji i ambalazhuar, i cili ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Kuvendi rrëzoi edhe amendamentet e PD-së për uljen e TVSH-së në 6% për ujin e pijshëm.

Çfarë parashikon paketa fiskale?

TVSH-ja ulet nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Nëse ulja e taksës reflektohet plotësisht në çmime, produktet e prekura mund të kushtojnë deri në 12% më pak. Norma e reduktuar përfshin edhe paketat higjienike për gratë dhe foshnjat, si dhe shërbime të tilla si projektimet e studimet për investimet e klubeve sportive.

Nga viti 2027, norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%. Për strukturat akomoduese, TVSH-ja rritet nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit. Pragu i hyrjes së bizneseve në regjimin e TVSH-së ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%. Për pagat mujore, fasha me tatim 13% zgjerohet nga 60–200 mijë lekë në 60–300 mijë lekë. Norma 23% zbatohet për fashën mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë vendoset norma 30%. Paga minimale mbetet e përjashtuar nga tatimi.

Taksa e qarkullimit, që aktualisht paguhet në çmimin e çdo litri naftë ose benzinë dhe arrin në 32,4 lekë me TVSH, kalon te detyrimet vjetore të automjetit. Me këtë ndryshim, taksat vjetore të mjetit dyfishohen.

Votimi për paketën fiskale
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar", 82 vota pro
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Рër tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar 78 pro
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar", 80 vota pro
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, "Për taksat kombëtare", tëndryshuar", 80 pro 20 kunder
Projektligji “Për disandryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar", 78 pro
Ora 00:23
Rrëzohet me 80 vota kundër amendamenti i PD-së për pagën e 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar (VIDEO)

 

Kuvendi rrëzoi me 80 vota kundër amendamentin e PD-së për pagën e 13-të për mësuesit. Propozimi parashikonte që paga shtesë t’u jepej të gjithë mësuesve të arsimit parauniversitar.

Ora 00:19
Buxheti 2027/ Rrëzohet propozimi për minimumin jetik 200 euro, Berisha: Ulni TVSH-në për oligarkët, rëndoni bizneset e vogla (VIDEO)

 

Kuvendi rrëzoi me 80 vota kundër propozimin e Sali për vendosjen e minimumit jetik në 200 euro. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se rritja e çmimeve e bën të domosdoshme këtë masë për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Ai akuzoi mazhorancën se ul TVSH-në për përfituesit e investimeve strategjike, ndërsa shton barrën për bizneset e vogla.

“Polarizim i jashtëzakonshëm i të ardhurave, rritje e papërmbajtur e çmimeve. Sot çmimet në Shqipëri janë tri herë më të larta se mesatarja e BE-së. Këto çmime në vitin 2005 kanë qenë 74% e çmimit mesatar në BE. Ju, që i mbushni xhepat me para duke vjedhur, nuk e ndieni. Ka një rritje çmimesh që të paktën 550 mijë pensionistë me pensione të pjesshme apo invaliditeti i bën të dridhen duke numëruar kafshatën. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë me ndihmë sociale, të cilët nuk marrin as gjysmën e shumës që u duhet për të përballuar ushqimet. Janë familje të tëra që jetojnë me paga minimale. Në vitin 2012, rritja ekonomike shndërrohej në mirëqenie për shqiptarët dhe, në këtë aspekt, Shqipëria, sipas Grupit të Bostonit, renditej e katërta në botë.

Ulni TVSH-në për oligarkët e investimeve strategjike dhe këputni me TVSH bizneset e vogla, të gjithë shqiptarët. Jeni në bashkëpunim në një krim të rëndë me këtë që po bëni. Vendosja e minimumit jetik është e domosdoshme”, tha Berisha.

Ora 23:58
Paketa fiskale/ Uji i ambalazhuar hiqet nga lista me TVSH 6%, rrëzohen edhe amendamentet e PD-së për ujin e pijshëm (VIDEO)

 

Kuvendi miratoi amendamentin e deputetit të PS-së, Erjon Malaj, që heq ujin e ambalazhuar nga lista e produkteve për të cilat TVSH-ja ulet në 6%. Amendamenti u votua me 78 pro, 0 abstenim dhe 12 kundër. Uji i ambalazhuar ishte përfshirë më herët në listën e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.

Kuvendi rrëzoi gjithashtu amendamentet e Partisë Demokratike, që kërkonin zbatimin e TVSH-së 6% për ujin e pijshëm.

Ora 23:54
Hotelet me 4 e 5 yje, me status special, pa tatim fitimi edhe për 3 vjet, amendamenti i Çakërrit miratohet me 77 vota në Kuvend! Tabaku: Ligj i qepur me porosi për klientët e pushtetit (VIDEO)

Me votat e PS-së, Kuvendi shtyu me tre vjet, nga dhjetori 2026 deri në dhjetor 2029, afatin brenda të cilit hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare mund të marrin statusin special për të përfituar përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin. Amendamenti u propozua nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri.

Ndërkohë për këtë amendament, deputetja Jorida Tabaku reagoi ashpër, duke thënë se nuk ishte bërë transparent. Ajo e cilësoi amendamentin një nga ato ‘ligje special të qepura për klientët e pushtetit’.

“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e Pakicës. Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ato ndryshime që përmenden edhe në progresraport si ndryshime pa transparencë. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtet.

Ndërkohë, që i kanë premtuar KE që ligji iinvestimeve strategjike do të shfuqizohet. Kanë që në 2018 që i shtyjën favoret këtyre. Buxheti që diskutihet natën pa transpatencë. Me një amendim që nuk është publikuar, përdoren deputetët për ligje që favorizojnë interesa të veçanta”, tha Tabaku pas miratimit të amendamentit të propozuar nga deputetja Brisejda Çakërri.

Ora 23:33
Ndarja nga jeta e ish-deputetit socialist Ylli Ziçishti, deputetët në Kuvend mbajnë 1 minutë heshtje (VIDEO)

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë kanë mbajtur një minutë heshtje për kirurgun e njohur dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, është ndarë nga jeta këtë të enjte, në moshën 76-vjeçare.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje”, tha mes të tjerash kryeparlamentari Niko Peleshi.

Ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që kërkoi më herët në seancën plenare të Kuvendit mbajtjen e një minute heshtjeje në nderim të ish-kolegut të tij.

Ora 09:49
Buxheti 2027, ja 40 amendamentet e opozitës! PD: Po vidhen qytetarët! PL: Fonde shtesë për rininë, prodhimin e sigurinë

1793650128_seliaepd.JPG

Kuvendi do të miratojë sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027. Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.

28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.

Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.

Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.

28 amendamentet e PD:

1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

4 paketat e PL

1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.

 

Kliko këtu për të lexuar amendamentet e PD