Pas diskutimeve maratonë, Kuvendi ka kaluar në votimin e amendamenteve për projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale. Opozita ka paraqitur 40 propozime, 28 nga Partia Demokratike dhe 12 nga Partia e Lirisë. Pas votimit të amendamenteve, pritet votimi përfundimtar i projektbuxhetit dhe i paketës fiskale.
Me votat e PS-së, Kuvendi miratoi amendamentin e propozuar nga deputetja Brisejda Çakërri, që përjashton për 10 vjet nga tatimi mbi fitimin subjektet që operojnë hotele dhe resorte me 4 ose 5 yje. Përjashtimi zbatohet për strukturat që marrin statusin special deri në dhjetor 2029.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi se e kaloi amendamentin ën fshetësi dhe sipas saj është një ligj i “qepur” me porosi për klientët e pushtetit.
“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ato ndryshime që përmenden edhe në progresraport si ndryshime pa transparencë. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtetit”, tha Tabaku.
Projektbuxheti parashikon 976 miliardë lekë shpenzime, nga 906 miliardë këtë vit. Për investimet publike janë parashikuar 202 miliardë lekë, ndërsa 24 miliardë lekë do të shkojnë për bonusin mujor të pensionistëve dhe indeksimin e pensioneve në prill. Nga 1 korriku parashikohet të nisë edhe pagesa mujore për fëmijët deri në moshën pesëvjeçare.
Paketa fiskale ul TVSH-në nga 20% në 6% për një listë produktesh ushqimore dhe higjienike, nga e cila Kuvendi hoqi ujin e ambalazhuar. Norma e TVSH rritet nga 20% në 21%, ndërsa në regjimin e TVSH-së do të përfshihen edhe bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit.
Lajmi në përditësim....

Kuvendi rrëzoi me 80 vota kundër amendamentin e PD-së për pagën e 13-të për mësuesit. Propozimi parashikonte që paga shtesë t’u jepej të gjithë mësuesve të arsimit parauniversitar.

Kuvendi rrëzoi me 80 vota kundër propozimin e Sali për vendosjen e minimumit jetik në 200 euro. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se rritja e çmimeve e bën të domosdoshme këtë masë për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Ai akuzoi mazhorancën se ul TVSH-në për përfituesit e investimeve strategjike, ndërsa shton barrën për bizneset e vogla.
“Polarizim i jashtëzakonshëm i të ardhurave, rritje e papërmbajtur e çmimeve. Sot çmimet në Shqipëri janë tri herë më të larta se mesatarja e BE-së. Këto çmime në vitin 2005 kanë qenë 74% e çmimit mesatar në BE. Ju, që i mbushni xhepat me para duke vjedhur, nuk e ndieni. Ka një rritje çmimesh që të paktën 550 mijë pensionistë me pensione të pjesshme apo invaliditeti i bën të dridhen duke numëruar kafshatën. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë me ndihmë sociale, të cilët nuk marrin as gjysmën e shumës që u duhet për të përballuar ushqimet. Janë familje të tëra që jetojnë me paga minimale. Në vitin 2012, rritja ekonomike shndërrohej në mirëqenie për shqiptarët dhe, në këtë aspekt, Shqipëria, sipas Grupit të Bostonit, renditej e katërta në botë.
Ulni TVSH-në për oligarkët e investimeve strategjike dhe këputni me TVSH bizneset e vogla, të gjithë shqiptarët. Jeni në bashkëpunim në një krim të rëndë me këtë që po bëni. Vendosja e minimumit jetik është e domosdoshme”, tha Berisha.

Kuvendi miratoi amendamentin e deputetit të PS-së, Erjon Malaj, që heq ujin e ambalazhuar nga lista e produkteve për të cilat TVSH-ja ulet në 6%. Amendamenti u votua me 78 pro, 0 abstenim dhe 12 kundër. Uji i ambalazhuar ishte përfshirë më herët në listën e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.
Kuvendi rrëzoi gjithashtu amendamentet e Partisë Demokratike, që kërkonin zbatimin e TVSH-së 6% për ujin e pijshëm.
Kuvendi rrëzoi me shumicë votash 4 amendamente të deputetes demokrate Jorida Tabaku, ndërkohë që miratoi me 77 vota amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri, për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin të gjitha investimet me status special në hotelet më 4 dhe 5 yje.
Pra përjashtohen për 10 vite nga tatimi mbi të ardhurat korporative i entiteteve që operojnë në struktura akomoduese, hotele restorte me 4-5 yje me status special që zotërojnë marka ndërkombëtar. Përjashtimi zbatohet për strukturat që marrin status special deri në dhjetor 2029.
Ndërkohë për këtë amendament, deputetja Jorida Tabaku reagoi ashpër, duke thënë se nuk ishte bërë transparent. Ajo e cilësoi amendamentin një nga ato ‘ligje special të qepura për klientët e pushtetit’.
“Ka një muaj që diskutohet buxheti në Parlament, por kemi një amendament këtu që hiqni taksat për investimet strategjike për 10 vite, që janë hotele me 5 yje? Kjo është qeveria e Pakicës. Kjo është qeveria e pakicës që merr vendime vetëm për klientët e tyre. Këto janë ato ndryshime që përmenden edhe në progresraport si ndryshime pa transparencë. Këto janë ligjet speciale të qepura për klientët e pushtet.
Ndërkohë, që i kanë premtuar KE që ligji iinvestimeve strategjike do të shfuqizohet. Kanë që në 2018 që i shtyjën favoret këtyre. Buxheti që diskutihet natën pa transpatencë. Me një amendim që nuk është publikuar, përdoren deputetët për ligje që favorizojnë interesa të veçanta”, tha Tabaku pas miratimit të amendamentit të propozuar nga deputetja Brisejda Çakërri.
Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë kanë mbajtur një minutë heshtje për kirurgun e njohur dhe ish-deputetin e Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, është ndarë nga jeta këtë të enjte, në moshën 76-vjeçare.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje”, tha mes të tjerash kryeparlamentari Niko Peleshi.
Ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që kërkoi më herët në seancën plenare të Kuvendit mbajtjen e një minute heshtjeje në nderim të ish-kolegut të tij.
Kuvendi do të miratojë sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027. Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.
28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.
Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.
Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.
28 amendamentet e PD:
1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
4 paketat e PL
1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.






Komente
Komento