Avokati Spartak Ngjela ishte i ftuari i sotëm në ‘Frontline’ nën moderimin e Marsela Karapanço. Gjatë kësaj interviste Ngjela komentoi rreth punës së SPAK dhe në lidhje me polemikat nëse seancat gjyqësore duhet të zhvillohen apo jo live.

Duke iu referuar raportit vjetor të SPAK të bërë një ditë më parë, Ngjela tha  SPAK ka bërë një punë mjaft të mirë.

“Derisa ka progres, bilanci është i mirë. Ne kemi shpresën që SPAK do të frenojë korrupsionin i cili në koncept është i lidhur së bashku me krimin e organizuar. SPAK ka dalë për të dyja, sepse pa krimin e organizuar korrupsioni nuk bën dot gjë. SPAK-un nuk e drejtojmë, ne por ekspertiza amerikane. SPAK ka personel të zgjedhur dhe nuk paguhet nga ne”, tha Ngjela.

Sa i përket polemikave për zhvillimin e seancave gjyqësore live avokati theksoi se zakonisht për shkak të hetimeve proceset nuk lejohen që të mbahen të hapur për publikun. Ndërkohë për të pandehurit që mbahen në kafazin e qelqtë,Ngjela nënvizoi se kjo ndodh për arsye sigurie.

“Janë sekretet hetimore prandaj nuk i lejon proceset live. Kjo është në funksion të provave, ndaj e mbajnë në kafaz. Sepse në seancë mund të shkojë kushdo dhe mund të vijë dikush e të marrë të pandehurin. Kafazi është që ai mos të ketë mundësi të arratiset. Janë arratisur shumë nga gjykata kudo në botë”, tha Ngjela.

Ndërkohë në lidhje me nisjen të gjyqit në themel për ish-presidentin Ilir Meta, avokati shprehet se ai e ka akuzën mjaft të rëndë.

“Meta ka akuzën e rëndë, ai akuzën mund ta ketë edhe me burgim të përjetshëm. Dihet që Meta ka qenë i korruptuar, por këtë gjë në fund e përcakton në Gjykata. Organet kompetente shikojnë të gjithë elemenët, mes tyre familjen dhe të afërmit”, thotë Ngjela teksa thekson edhe njëherë që kafazi është një masë paraprake.

Në fund të intervistës, Ngjela komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama ndaj Elisa Spiropalit një ditë më parë. Kreu i qeverisë e paralajmëroi Spiropalin për përjashtim nga grupi i PS.

“Rama ka imituar Enver Hoxhën. Kush të godet kështu. Në perëndim do ta kishin arrestuar, sepse ka rrezikshmëri shoqërore në bazë të funksionit që ka. Rama ka ndryshuar metodë, por nuk ia dimë qëllimet. Se kë kërkon të trembi dhe pse e bën këtë e di vetëm ai”, tha Ngjela.