TIRANE- Guvernatori Sejko priti në takim një ekip të Bankës Botërore (BB), në kuadër të Programit të Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë Financiare, të kryesuar nga znj. Rekha Reddy, në rolin e saj të ri si menaxhere e projektit.
Diskutimi u përqendrua kryesisht në vijimin e bashkëpunimit dhe programet e asistencës teknike të Bankës Botërore me Bankën e Shqipërisë.
Në krye të takimit, Guvernatori Sejko prezantoi shkurtimisht zhvillimet ekonomike dhe financiare të vendit, dhe falënderoi Bankën Botërore për kontributin e dhënë nëpërmjet programeve të ndryshme të asistencës, të cilat kanë përfshirë fillimisht fushën e mbikëqyrjes, për të vijuar më tej me ndërhyrjen e jashtëzakonshme, sistemet e pagesave, përfshirjen financiare të popullsisë dhe vlerësimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike. Asistenca e Bankës Botërore në këto fusha ka përfshirë jo vetëm përshtatjen e kuadrit rregullativ, por edhe zbatimin praktik të tij.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehën vlerësimin e tyre për cilësinë e bashkëpunimit të ofruar nga Banka e Shqipërisë, dhe u shprehen të gatshëm të zgjerojnë atë edhe në aspekte të tjera të fushave në fjalë. Në këtë kuadër, u përmend ndikimi që do të sjellë kalimi në standardin e IFRS9 në mënyrën se si bankat do të vlerësojnë rrezikun e kredisë, dhe nevoja që kjo të shoqërohet me ndryshimet përkatëse rregullative sa i përket administrimit të rrezikut të kredisë, dhe u evidentua nevoja që kjo të shoqërohet me ndryshimin e rregullores së administrimit të rrezikut të kredisë.
Guvernatori Sejko vlerësoi si me interes bashkëpunimin në drejtimet e mësipërme, duke shtuar se kuadri rregullativ dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, edhe falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm.
“Aktualisht, jemi në fazën ku cilësia e këtij kuadri do të vlerësohet nga strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të ekuivalentimit, dhe pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë janë pozitive.”- u shpreh Guvernatori Sejko.
Ai shtoi se me interes për bashkëpunimin mes palëve do të ishte edhe analiza e përparësive dhe rreziqeve që shoqërojnë proceset e digjitalizimit të sistemit financiar, dhe më në përgjithësi, ndryshimet ligjore e rregullative që do të bëhen në kuadër të procesit të integrimit evropian, në sferën e shërbimeve financiare.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën të hapur për bashkëpunim në të gjitha këto drejtime. Ata ofruan gjithashtu mundësinë e asistencës sa i përket gjenerimit dhe përpunimit të të dhënave duke ofruar mundësi për analiza më të fokusuara në drejtime të caktuara, si për shembull, aksesi në financim i ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Në përfundim të takimit, palët shprehën edhe njëherë vlerësimin e ndersjelltë për bashkëpunimin mes tyre dhe gatishmërinë për zgjerimin e tij. Guvernatori shfrytëzoi rastin për t’i uruar zj. Reddy suksese në pozicionin e ri.