Sekretari i Jashtëm britanik më 22 maj në Tiranë, 'luftë' emigracionit të paligjshëm dhe plan kundër krimit! Takim me Ramën, Begajn e Hasanin

TIRANË- Pavarësisht masave të marra për frenimin e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, për qeverinë atje prurjet e paligjshme nga vendi ynë vazhdojnë të mbeten shqetësim.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se sekretari i Jashtëm i Britanisë David Camerun do të vijë vizitojë Shqipërinë në datë 22 maj, ku pritet të takojë Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani me fokus emigracionin e paligjshëm dhe goditjen e grupeve kriminale. 

Kjo vizitë vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik më 10 maj, ku në fokus ka qenë pikërisht trajtimi dhe zgjidhja e problematikës së emigrantëve të paligjshëm.

Tabloidi britanik 'The Sun' shkruan se Camerun do të vijë në Shqipëri për të prezantuar një program të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe për të njoftuar një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Sa i takon planit që do prezantohet, ambasada britanike zbulon se bëhet fjalë për një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare.

Nga ana tjetër edhe vetë kryeministri britanik Rishi Sunak do të udhëtojë drejt Vjenës ku do të takohet me kancelarin austriak Karl Nehammer për të diskutuar rreth masave më të ashpra për frenimin e emigracionit të paligjshëm dhe mbrojtjen e kufijve të Europës.

Qeveria shqiptare dhe ajo britanike janë angazhuar që në dhjetor të vitit 2022 përmes një marrveshje për luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, pasi një numër të madh të emigrantëve e zinin shqiptarët që kalonin ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

Një nga masat e marra të qeverisë britanike ishte dërgimi i mijëra emigrantëve që hynin në Britaninë e Madhe në Ruandë për të frenuar kalimet e paligjshme, anulimin e të cilit Kryeministri Rishi Sunak e ka cilësuar si një rrezik për Britaninë e Madhe.

Një marrëveshje të ngjashme ka miratuar edhe Italia me Shqipërinë, për strehimin e përkohshëm në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës, të refugjatëve që vijnë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme e që synojnë kalimin në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Marrëveshje e cila kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të përsëritet me asnjë vend tjetër veç Italisë fqinje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Ambasada britanike zbardh vizitën e Cameron në Tiranë: Diskutim për emigracionin e paligjshëm, plan për gjyqësorin për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Ambasada Britanike në Tiranë ka zbardhur fokusin e vizitës së sekretarit të Jashtëm amerikan, David Cameron. Në fokus të bisedimeve gjatë kësaj vizite do jetë emigracioni i paligjshëm.

Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t'u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.

Ora 12:43
Vizita e Cameron në Shqipëri, Meta: Shumë sekretarë kanë ardhur e ikur, por krimi mbetet problem madhor! Mbështetet nga qeveria e Ramës

 

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat komentoi edhe vizitën e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, i cili pritet të vijë në vendin tonë më 22 maj. Cameron pritet që të bëjë publik një plan mes dy qeverive për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Por Meta, tha se shumë sekretarë kanë ardhur e kanë ikur, por krimi sidomos në raportet mes Shqipërisë dhe Britanisë është një problem i madh, pasi sipas tij ka mbështetjen e qeverisë Rama.

“Sekretari është i mirëseardhur, shumë kanë ardhur dhe kanë ikur, problemi i krimit dhe korrupsionit vetëm është agravuar në Shqipëri. E sidomos në raportin mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe problemi i krimit të organizuar është një problem madhor për arsye se ky krim ka një mbështetje logjistike nga shteti i Ramës, në Britani por edhe kudo tjetër në Europë dhe Amerikën latine. Në 11 vjet Rama asnjëherë s’ka raportuar në kuvend lidhur me rezultatet e qeverisë për luftën kundër drogës, sipas detyrimit ligjor”, tha Meta.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 20/05/2024 07:46

    Ky eshte politikani me pa lidhje britanik.Ky i nxorri per votime,brexit,anglezet.Keni pare ndonjehere ndonje politikan,që nga kryeminister behet minister i jashtem?Ky behet.

    Përgjigju
  • Po mër po: 19/05/2024 15:27

    Shumë sekretar kanë ardh e kan ik, por Ilir Meta i ka pagu të gjithë me investimet në Londër, prandaj nuk je në burg zoti Qiprioti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë