Sekretariati i Etikës në Kuvend vendosi ditën e sotme përjashtimin e tre deputetëve të Rithemelimit nga seanca plenare. Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Saimir Korreshi pezullohen përkohësisht nga seancat pas kaosit të shkaktuar në seancën e fundit plenare ditën e hënë, e cila zgjati vetëm 7 minuta.

Pezullimi më i rëndë u dha për deputetin Noka me 30 ditë, pasi në një moment ai shtyu me grusht punonjësin e gardës teksa nuk la të fliste nga vendi deputetin e PS-së, Vullnet Sinajn duke i vendosur zhurmues tek mikrofoni. Gjithashtu për kaosin u përjashtua me 20 ditë deputeti Bledjon Nallbati, ndërsa Saimir Korreshi përjashtohet për 5 ditë.

Kërkesën për përjashtimin e deputetëve të Rithemelimit e bënë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kërkuan që të merret masë disiplinore ndaj tyre.

Dënimin më të rëndë nga rradhët e Rithemelimit e mban deputeti Edi Paloka pasi disa seanca më parë dogji rregulloren e Kuvendit, teksa ishte përpara foltores.