FIER- Një dyqan dhe një apartament që dyshohet se janë vënë me para të përfituara nga veprimtari të paligjshme janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit. Pasuritë i përkasin një personi me inicialet, E.Sh., i cili është nën hetim për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ai dyshohet se ka ushtruar aktivitet në një “Call Center” në Fier, përmes të cilit mashtronte persona të ndryshëm duke u marrë para në mënyrë të kundërligjshme.
Hetimet kanë zbuluar se shuma të konsiderueshme monetare janë depozituar cash në llogari bankare, pa burim të ligjshëm të justifikuar.
Më pas, këto para dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme, konkretisht në një njësi tregtare 230 m2 dhe një apartament 100 m2, për të cilat gjykata ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1381, datë 16.12.2021, i regjistruar ndaj personit nën hetim E.Sh., dyshohet se nëpërmjet një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Në vijim të hetimeve, u dokumentua fakti i depozitimit të vlerave të konsiderueshme monetare Cash, në llogaritë bankare të cilat nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të origjinës. Më pas, këto vlera u investuan në pasuri të luajtshme të paluajtshme, të cilat janë ende në verifikim. Nëpërmjet veprimeve juridike u synua transferimi i pasurive, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme, fakt që përmban elementë të veprës penale të dyshuar “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Në funksion të këtij procedimi penal ndaj personit nën hetim, u caktuan masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues. Njëkohësisht, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Proceduës Penale, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, u vendos masa e sigurimit pasuror "Sekuestro preventive" mbi:
1 - Pasurinë e llojit Njësi, me sipërfaqe 230 m2;, si dhe
2 - Pasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.
_________________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











