Nga Alba Malltezi
 
Mbrëmë në të njëjtën orë, por në një distancë prej 7000 mijë kilometrash dy politikanë shqiptarë, një i djathtë dhe një e majtë, njëri veteran dhe tjetra e gjeneratës së re, me 30 vite diferencë nga njëri-tjetri arrijnë në të njëjtin përfundim: Politika shqiptare i ka zhgënjyer.
Nga Uashingtoni, nga studiot e Zërit të Amerikës, Eduard Selami një nga pionerët e politikës shqiptare, deputet i Partisë Demokratike, sulmoi ashpër dhe me një zë që tregonte hidhërim, por edhe dhimbje; ai akuzoi jo vetëm lidershipin e ri të partisë së tij, por tërë klasën politike shqiptare që ka qeverisur Shqipërinë në 20 vitet e fundit se e ka çuar vendin në drejtimin e gabuar duke tradhëtuar parimet demokratike në vend dhe brenda partisë. “Tashmë partitë politike në Shqipëri janë prona personale të liderëve që i drejtojnë”.
Në Tiranë, në studiot e Report TV e qartë dhe e vendosur edhe deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë: Kejdi Mehmetaj, 22 vjeç, e zgjedhur nga LSI, edhe pse me fjalë të tjera, shpalosi të njëjtin hidhërim: “Politika është ndryshe nga ajo e parimeve dhe e fjalëve të bukura që thuhen në media... Unë jam zhgënjyer për burokracitë që duhet të kalosh nëpër dyert e insitucioneve. Predikohet ajo që është e pastër dhe e drejtë në media dhe kur bën punën konkrete aty kupton që luhen gjëra që nuk janë në interes të qytetarëve...”
Përballë politikanëve që tashmë janë totalisht të paaftë të dëgjojnë e të njohin realitetin, vuajtjet dhe përjetimet rënkuese të popullit të vet, më në fund dalin në sipërfaqe zërat e dy prej tyre që ndoshta për arsye të ndryshme u ndriçuan për të kuptuar atë që po ndodh: kjo politikë po na ka zhgënjyer!


INTERVISTA E EDUARD SELAMIT TE ZERI I AMERIKES

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami, një nga pjesëmarrësit aktivë të lëvizjes studentore 25 vjet më parë, kritikoi ashpër udhëheqjen e partisë së tij.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, deputeti tha se udhëheqja e opozitës së sotme nuk ngjall shpresë dhe besim.

“Udhëheqja e re e Partisë Demokratike, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të partisë që duan ta shikojnë edhe një herë PD-në si parti e shpresës për shqiptarët,” - tha zoti Selami.

Ne, - tha ai, - kishim një shpresë që përballë kësaj qeverisjeje të keqe Rama-Meta, nga më të këqijat që ka patur vendi, të dilnim me një drejtim tjetër dhe kjo nuk po arrihet.

Selami tha se partitë politike në Shqipëri janë kthyer në prona personale të drejtuesve të tyre, që nga vendimmarrja e deri te përzgjedhja e politikave.

Ky, - tha ai, - është një problem në të gjitha krahët dhe po vjen duke u përkeqësuar. Deputeti tha se hapat e bëra në drejtim të dekriminalizimit të parlamentit janë shumë pak, shumë vonë dhe nuk janë të thelluara.

Ai tha se demokracia në Shqipëri është anemike dhe shumica e shqiptarëve mezi presin të largohen nga vendi, duke mos e parë të ardhmen e tyre atje.

Elita politike, tha ish-udhëheqësi i Partisë Demokratike, duhet të kuptojë se është aty në radhë të parë për qytetarët, por ajo e ka shpërdoruar në këto 25 vjen ëndrrën e shqiptarëve.