TIRANE - Eduard Selami është kthyer tashmë nga “rrugëtimi” i tij 18 vjeçar jashtë Shqipërisë e politikës për të rifilluar nga e para karrierën politike e pse jo dhe atë akademike. Për shkak se dëbimi nga PD para 18 vitesh dhe qëndrimi në SHBA në kushtet e mbijetesës, pa pasur asnjë mundësi për të zhvilluar më tej të paktën karrierën profesionale, bëri që emri i tij të harrohej. Por kush ka qënë Eduard Selami dhe si ka lëvizur jeta e karriera e tij nga viti 1990 e deri më tani. I lindur në Librazhd, një qytet jo i madh, ardhja në Tiranë për të ka qënë një ngjarje e madhe, duke e vënë në lëvizje për të qënë një student i mirë dhe për të garantuar qëndrimin në kryeqytet. Selami nuk e la rastin të shpëtonte.

Lëvizja e dhjetorit ’90 e gjeti në kryeqytet, në Qytetin Studenti te godina 18, duke krijuar mundësinë dhe për shkak të moshës të jetë më afër studentëve. Por që në lëvizjen e dhjetorit, për arësye të ndryshme qëndroi larg, dhe vetëm kur u pranua pluralizmi nga Ramiz Alia arriti që të veshë “kapërdinën” e bardhë, për t’u bashkuar dhe për të qënë njëri ndër firmatarët e krijimit të PD. Por asnjëherë nuk ka qënë ndër ata që mund të quhej figurë qëndrore e PD, dhe kjo u pa me fitoren e opozitës së më 22 mars 1992, kur Berisha u bë President, Aleksandër Meksi u bë kryeministër, ndërsa për Selamin si i bindur u la posti fiktiv i kreut të PD, pasi kryetari real ka qënë dhe është vetë Sali Berisha.

Duke qënë se Selami ishte krahu i djathtë i Berishës në të gjitha sulmet kundër mocionistëve të Cekës, Imamit, Zogajt, Pashkos që më vonë themeluan PAD, pranonte kokëulur të lexonte pa zë ato që i diktonte Berisha, u përdor kundër të ndjerit Azem Hajdari në përjashtimet nga grupi parlamentar dhe kryesia e PD, u përdor kundër grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë në pranverën e 1994, Selami mbijetoi në xhunglën politike të PD. Kjo paqe zgjati deri në referendumin e nëntorit 1994 për Kushtetutën. Pikërisht në këtë moment Selami mendohej si një yll në ngjitje i politikës e kur nisi ta besonte dhe vetë, ndodhi rrëzimi. Mendoi të përfitonte nga popullariteti, pasi shumëherë në takime turma thërriste “Edi, Edi”, madje këtë e bëri dhe kur ishte Berisha me të.

Që nga ky moment Selami hyri nën vëzhgimin e kryetarit real të PD, Sali Berisha, që qëndroi në pritje të gabimit të tij. Pas kësaj Selami mendoi të bëntë politikë përfitese nga përplasja e “delfinëve” në PD, Berisha dhe Meksi, për të zënë postin e kryeministrit, përmes unifikimit të postit të kryetarit të PD me atë të kreut të qeverisë. Këtu u bë llogaria gabim, pasi Berisha e Meksi e gjetën gjuhën e përbashkët, dhe “kurbani” ishte Eduard Selami. Shkarkimi i tij ka qënë rrufe. Mblidhet Këshilli Kombëtar te Pallati i Sportit “Fahrije Hoti”, Selami shkakohet nga detyra, s’lejohet të marrë pjesë në mbledhje e më pas i “dorëzohet” azilit politik në SHBA.

Pas kësaj kohe ka lëshuar deklarata të forta kundër Berishës dhe uzurpimit nga ana e tij të PD. Më 2005 bëri një tentativë afrimi me “kokën lart” teksa me Kreshnik Spahiun e Erjon Veliajn denoncuan qeverinë Nano në DASH, por Berisha nuk e qasi pasi erdhi në pushtet më 2005, as më 2009 për deputet apo post qeverisës, duke e mbajtur të barazlarguar pa e goditur, por pa i dhënë asgjë. E takoi vetëm njëherë në 18 vite, para dy vitesh, në 20 vjetorin e krijimit të PD dhe asnjë takim tjetër. Tani e mendon rikthimin në PD, përmes një lutjeje për të qënë deputet. Kërkesën e bëri, është në pritje dhe përgjigjia ndoshta vjen shpejt, por dhe kurrë.

*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (print), data 15 shkurt


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)