Përplasje të ashpra u regjistruan jashtë Shkollës Politeknike të Universitetit Aristotel në Selanik në orët e para të mëngjesit të së shtunës, që çoi në më shumë se 330 të ndaluar nga policia. Tensionet nisën kur persona të panjohur hodhën koktej Molotov në drejtim të policisë së rendit në rrugën “3 Shtatori” pranë Kampusit.
Arsyeja e këtij reagimi nuk dihet ende, ndërsa sulmi ka ndodhur gjatë kohës që në territorin e kampusit po zhvillohej një festë. Një efektiv policie u plagos gjatë incidenteve, një e re u transportua për ndihmë mjekësore për shkak të problemeve në frymëmarrje, ndërsa polici i plagosur u dërgua në spital me djegie në qafë dhe në fytyrë.
U shkaktuan dëme të shumta në automjete, ndërsa sipërfaqja e rrugës i ngjante një fushe beteje. Policia shoqëroi 309 persona dhe mbetet të sqarojë rolin e gjithsecilit në përplasje dhe më pas të vijojë me arrestime të mundshme.
Hedhja e mjeteve shpërthyese artizanale thuhet se nisi përballë hyrjes së Universitetit Aristotel të Selanikut, ndërkohë që brenda Shkollës Politeknike po zhvillohej një festë, sipas ERT. Nëse ndonjë nga ndalimet do të përfundojë me arrestim, do të dihet pasi autoritetet të përfundojnë procesin e identifikimit, i cili është i ngadalshëm për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar. Ai pritet te saktësojë edhe nëse, ata që sulmuan policinë ishin studentë të Universitetit.
Forcat e policisë, të vendosura në gatishmëri, reaguan menjëherë duke përdorur granata trullosëse dhe gaz lotsjellës. Ministria greke e arsimit dënoi ngjarjen dhe sulmin ndaj policisë dhe kërkoi informacion të menjëhershëm dhe të plotë nga autoritetet e Rektoratit, organet përkatëse administrative dhe të sigurisë të Universitetit, si edhe nga autoritetet policore.
Ministria ka pyetur institucionet e mësipërme Universiteti kishin dijeni për aktivitetin, nëse kishte një kërkesë dhe leje përkatëse, rolin e kompanisë së sigurisë së Universitetit, rrethanat e sakta dhe përmasat e ngjarjeve dhe në çfarë mase janë kryer veprime të paligjshme apo shkatërrime brenda ambienteve universitare.
Komente











